Albspirit

Media/News/Publishing

Acarohet marrëdhënia Turqi – Evropë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, u ndalua të hynte në Hollandë të shtunën, ndërsa intensifikohet kundërshtimi ndaj një fushate turke në gjithë Bashkimin Evropian.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e dënoi me forcë këtë veprim, duke e quajtur vendin partner të NATO-s, “një mbetje të nazizmit”, hera e dytë që ai krahason një vend evropian me nazistët këtë javë.

“Sigurisht që është një koment i çmendur. E kuptoj që janë të indinjuar, pork jo sigurisht që është e tepruar”, tha kryeministri hollandez Mark Rutte.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan premtoi të marrë masa kundër fluturimeve diplomatike hollandeze, në përgjigje të refuzimit të lejes nga autoritetet hollandeze për uljen e avionit që do të transportonte Ministrin e Jashtëm të Turqisë.

Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Evropës pësuan një rënie të papritur këtë javë pasi shumë vende të BE-së kundërshtuan vizitat e ministrave turq për të zhvilluar fushatë për referendumin e ardhshëm në Turqi për ndryshimet kushtetuese. Sot, Ankaraja kërkon të rrisë mbështetjen në radhët e miliona turqve që jetojnë Evropë, për t’i dhënë më shumë pushtet Presidentit Erdogan, ndoshta edhe duke i siguruar atij mundësinë e qëndrimit në post deri në vitin 2029.

Udhëheqësi i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, iu bashkua debatit më të fundit në Evropë, duke organizuar një protestë kundër vizitave të ministrave

“Këtu jemi në Hollandë, jo në Turqi. Dhe një ministër turk nuk ka vend këtu për të lobuar për dikë si Erdoganin, që është vetëm një diktator”, deklaroi zoti Wilders.

Pak më vonë edhe Kryeministri hollandez deklaroi kundështrimin e tij.

“Bëhet fjalë për një referendum me të cilin Republika e Turqisë i largohet demokracisë”, tha Kryeministri Rutte.

Gjermania dhe Austria gjithashtu kanë kundërshtuar vizitat e ministrave turq. Ankaraja fajëson atë që e quan fashizëm në rritje në Evropë, dhe e interpreton kundërshtimin si një përpjekje të Evropës për të influencuar rezultatin e referendumit të 16 prillit.

“Dashtë Zoti, 16 prilli do të jetë dita që bashkëkombasit e mi, të cilët janë vështirësuar në Perëndim dhe nëpër botë, do të festojnë”, deklaroi Presidenti turk.

Zoti Erdogan e krahasoi reagimin e Gjermanisë me veprimet e nazistëve. Berlini e quajti këtë gjë të pajustifikueshme. Analisti Kamran Matin thotë se Turqia po përpiqet ta shfrytëzojë situatën.

“Ka filluar realisht me shqetësimet e autoriteteve gjermane për marrëdhënien me Kurdët, pasi një numër i madh i shtetasve turq që jetojnë atje janë me origjinë kurde. Por, mendoj se qeveria turke dhe në veçanti Erdogani, e kapën me shpejtësi temën dhe e shfrytëzuan për fushatën e tyre për të ndryshuar strukturën e shtetit.”

Evropa i ka bërë të qarta shqetësimet e saj për drejtimin e qeverisë turke. Mbi 40 mijë persona janë arrestuar që nga dështimi i puçit të muajit korrik, ndër ta edhe një gazetar gjerman me qëndrim në Turqi. BE-ja mendon se dhënia më shumë pushtet për presidentin, do të dëmtojë më tej demokracinë.

Por, Evropës, dhe në veçanti Gjermanisë, u duhet që ta mbajnë Turqinë të angazhuar.

“Marrëveshja që kanë me Turqinë për refugjatët është tepër e rëndësishme për Gjermaninë. Fluksi i refugjatëve do të kishte ndikim të menjëhershëm në politikën e brendshme gjermane. Turqia është një vend tepër i rëndësishëm gjeopolitikisht dhe një faktor jo vetëm për Evropën, por për të gjithë Perëndimin, në veçanti në përballjen me rigjallërimin e Rusisë.”

Berlini shpreson se marrëdhëniet diplomatike do të përmirësohen pas referendumit.

Please follow and like us: