Albspirit

Media/News/Publishing

“Angazhim” me qerpikë të vënë…

Dr. Mirela Oktrova

 

 

Edhe këtë vit mbulimi mediatik i Ditës Ndërkombëtare të Gruas na ra si dora mbitouch screen… Rrëshqiti ca ikona majtas, shpuri ca të tjera djathtas … veçoi nja dy syresh si interesante, po dhe ato s’arriti t’i përpunojë se kur ekrani u shua, vëmendjen e tërhoqi diçka tjetër më intriguese.., më ndjellëse.., më fitimprurëse…

Areali shqiptar i vetëquajtur “metropol” edhe këtë vit nuk bëri përjashtim nga rutina e rendjes qokavitëse pas opinioneve dhe “prekjes” sipërfaqësore të fakteve. Realitetet paralele thellësisht të distancuara nga njëra-tjetra u përpëlitën sërish më kot për pozicione të favorshme në hierarkinë e vëmendjes së protagonistëve të gjykimit, të veshur me “autoritetin” e mediave dhe “ikonave” të tyre… . Peizazhit nuk i mungoi as parada mediatike e grave të bukura, të kamura dhe të suksesshme, që nën admirimin e burrave përreth, mbytën në kotësi çdo prani natyrshmërie, përvoje a personaliteti duke diskutuar për diskriminimin gjinor me të njëjtën lehtësi që vendosin se cilin trend kozmetik do të zgjedhin, për t’u dalluar më shumë nga gratë e moshës dhe kategorisë së tyre…

Shumëkush mund të pretendojë se kategorisë së zonjave a zonjushave që media ka për zemër, taka e praruar u prek rrallë në truall të shkelshëm nga bashkëgjinoret … Dhe nëse po, toka duhet ta meritojë shkeljen…. dhe t’i vlejë e shërbejë shkëlqimit të tyre … sikurse dyshemetë e studiove televizive ose trotuaret para lokalit, dyqanit apo estetikës së preferuar në bllok….

Ndërkohë, ashpërsia prej kohësh e ka shfaqur praninë e vet edhe brenda Bllokut, ku shumica e brezit tonë shuan kompleksin e paarritshmërisë së dikurshme dhe të rinjtë vadisin iluzionet ende të pa humbura të fëmijërisë së sapombyllur në kufirin midis harresës së periferisë dhe panairit ndjellës të kotësisë… Sot më shumë se kurrë Blloku ofron shitës ambulantë sa dhe limuzina luksoze, banka të suksesshme sa lypës të leckosur, çmime marramendëse sa vogëlushë xhamafshirës, përfaqësi të huaja sa vrasje rrëqethëse në rrugë… Po kalorëset e vëmendjes publike, me vështrim të tretur në një realitet virtual të sponsorizuar e kanë të pamundur të shohin përtej hundës a syzeve të supershtrenjta mbi të… Kalimtaret e stresuara apo gështenjapjekëset dorëpërvëluar, të moshuarat e vetmuara apo lypëset e nëpërkëmbura, të rejat e hutuara nga rrjetet sociale dhe masa gri e të varfërve që lyp, shet a pastron duhet të vriten, të vrasin apo të keqtrajtohen publikisht për t’u perceptuar prej tyre… .

Si çdo festë edhe ky 8 Mars rinënvizoi polarizimin e shoqërisë në përgjithësi dhe atë brendagjinor në veçanti… Sipas traditës, që djallin e projekton gjithmonë gjetkë edhe këtë herë “armiqtë” e numëruar ishin sërish: varfëria, keqqeverisja, keqmenaxhimi, burrat, tradita patriarkale, modelet globale…. Dhe që të gjitha qëndrojnë…! Po sa herë që fokusi preku përgjegjësitë brenda gjinisë, gjuha ngeci sërish veç te “burrëzimi” i grave të politikës, formuluar sigurisht nga gojë joshëse e koketuese, si për të thënë, se kush nuk është e bukur apo s’di ta “investojë” bukurinë e ka fajin vetë apo për të propaganduar feminilitetin si recetë suksesi… . Një dhimbje dhe fyerje e shtuar për të gjitha viktimat e diskriminimit!

Vetëm kur modeli i komunikimit në pseudometropolin e fryrë nga mungesa e meritës dhe paratë e pista të pushojë ndonjëherë së qeni autist, në të do të fillojnë ta gjejnë veten mbase të harruarat kronike të arrogancës dhe vetëprotagonizmit – edhe gratë e varfra, që s’kanë me se të ushqehen dhe s’dinë ç’i tremb më shumë: privimi apo diskriminimi; edhe të moshuarat, që s’dinë ç’u dhemb më shumë: pleqëria apo harresa; edhe të rejat, që s’dinë ç’u vlen më shumë: vëmendja apo barazia; edhe të dhunuarat, që s’dinë ç’vuajnë me shumë: dhimbjen apo indiferencën, edhe të privuarat, që s’dinë ç’i pengon më shumë: diskriminimi gjinor apo lufta brenda llojit; edhe kryefamiljaret, që s’dinë ç’të bëjnë më parë: të fitojnë bukën apo të kurojnë paraqitjen; edhe inteligjenca femërore, që s’di ç’vlen më shumë: kultura apo koketëria… .

Kur kjo të ndodhë, ndoshta s’do të ishte e tepërt, që secila prej nesh përpara se të flasë teorikisht për barazinë gjinore dhe të akuzojë për indiferencë, të provonte qoftë edhe vetëm një 8 Mars, që paratë, e planifikuara për t’u krehur t’ia dhuronte një gruaje në nevojë. Dhe të pinte një pije më pak, por të bënte një bisedë më shumë me nënën, vajzën, mikeshën, fqinjën apo studentet e veta për sfidat e jetës së një femre, por dhe për kënaqësitë që ajo dhuron nëse guximi nuk mungon dhe shoqëria nuk pengon. Kjo do të ishte festa e vërtetë e sinqeritetit dhe solidaritetit tonë …

Ndryshe angazhimi dhe diskutimi i secilës prej nesh në studiot televizive, sado bukur i formuluar, do të tingëllonte po kaq i shtirur sa misteri i syve të një bukurosheje me qerpikë të vënë.

Kjo është sfida jonë! Këtë e kemi ne vetë në dorë!!!

Please follow and like us: