Ben Blushi: Rama, Meta, Basha dhe Mediu rrezik për zgjedhjet, Rilindja po shkërmoqet
Kreu i Partisë LIBRA, Ben Blushi, ka lëshuar dje akuza ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, Kryeparlamentarit Ilir Meta, kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe kryetarit të Partisë Republikanë, Fatmir Mediu. Blushi i ka akuzuar katër të lartpërmendurit se po rrezikojnë zgjedhjet e 18 qershorit si edhe po mbajnë peng tërësisht reformën në drejtësi. Ai ka firmosur ditën e djeshme që partia e drejtuar prej tij, të garojë në zgjedhjet e 18 qershorit. Blushi është shprehur se ka shumë para të pista në qarkullim, ndërsa akuzoi me emra konkret ata që sipas tij cenojnë dhe ndikojnë në standardet zgjedhore. “Votat në Shqipëri i numërojnë 4 njerëz, këta 4 njerëz janë edhe subjekte edhe bllokues të reformës në drejtësi, janë Edi Rama, Lulzim Basha, Ilir Meta, Fatmir Mediu. Pyes shqiptarët; a besojnë këta se mund të ketë zgjedhje të drejta në qoftë 4 njerëz numërojnë votat e gjithë shqiptarëve? Ne kërkuam numërim elektronik çka nuk po bëhet, i sabotuar nga të gjithë partitë e vjetra. Këtë nuk e duan as partitë e vjetra”, ka thënë kreu i LIBRA përpara mediave. Partia e tij LIBRA deri tani ka mbledhur 10 mijë firma nga 5 që i kërkohen për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Blushi: Rilindja po shkërmoqet
Gjatë një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i Partisë LIBRA, Ben Blushi, është shprehur me kënaqësi duke cituar se Rilindja po shkërmoqet dhe se sipas tij të “kemi një qeveri septike”. “Kënaqësi kur shoh sesi Rilindja po shkërmoqet. Kishim një Qeveri Publike, u kërkua një Qeveri Teknike do kemi një Qeveri Septike!”, ka shkruar ai, duke reaguar pas dorëheqjes së Saimir Tahirit. Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, ka dhënë edhe ditën e premte alarmin në lidhje me bojkotin që partitë e bllokut opozitar në vend kanë vendosur t’i bëjnë procesit zgjedhor të 18 qershorit. Blushi tha se vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje është një kërcënim serioz që lidhjet drejtpërdrejt me të ardhmen e vendit, veçanërisht integrimin. “Tërheqja e deritanishme e shumicës së partive opozitare nga regjistrimi në KQZ është kërcënimi më serioz për zgjedhjet e 18 qershorit. Unë nuk besoj se ka hapësirë për marrëveshje pasi qeveria nuk është e ndërgjegjshme për pasojat e këtij vendimi dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të negociojë. Nuk mund të them nëse po shkojnë në një skenar rumun apo maqedonas por di të them se skenari shqiptar i krizave është zakonisht më i ashpër dhe më i rrezikshëm se kudo. Kemi përpara të paktën katër vjet krizë të rëndë dhe të paparashikueshme”, deklaroi Ben Blushi në një postim në rrjetet sociale. Kreu i LIBRA theksonte gjithashtu edhe faktin që ndërkombëtarët ende nuk po ndërhyjnë për të ndërmjetësuar palët në arritjen e një konsensusi të pranuar nga të gjithë. Sipas Ben Blushit kriza shqiptare nuk dihet se ku fillon dhe se ku mbaron dhe ky sipas tij është problemi më i madh. Kreu i partisë më të re në vend shprehej se edhe më shumë shqiptarë do të zgjedhin të largohen nga Shqipëria dhe se nuk dihet me siguri se cili do të jetë fundi një konflikti të tillë të krijuar në vend.