Albspirit

Media/News/Publishing

Çështja e ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare Michael Flynn

Shtëpia e Bardhë konfirmoi të premten se ekipi i tranzicionit të presidentit Donald Trump ka qenë në dijeni që para inaugurimit në janar se ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn, mund t’i duhej të informonte autoritetet se ai po vepronte në emër të një qeverie të huaj.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se presidenti nuk ishte në dijeni më parë për lidhjet e zotit Flynn me qeverinë e Turqisë, e cila kishte paguar firmën e zotit Flynn 530 mijë dollarë për shërbimet e tij.

“Ne kemi besim te njerëzit se do t’i plotësojnë formularët e nevojshëm në mënyrë të ndershme dhe ligjore. Dhe në këtë rast, ai në mënyrë prapavepruese paraqiti formularët që duhej të kishte bërë, por ne e këshilluam atë që të bënte veprimin e duhur dhe ligjor, dhe kjo është gjëja e drejtë për këtë administratë, kështu që ne bëmë gjënë e duhur, dhe presim që çdo punonjës të ndjekë ligjin” tha zoti Spicer.

Zoti Flynn njoftoi Departamentin e Drejtësisë javën e kaluar se ai kishte përfaqësuar Turqinë vitin e kaluar. Ai më parë kishte informuar Kongresin se kishte lobuar në emër të një firme holandeze, por nuk kishte përmenduar punën e tij për qeverinë turke, siç kërkohet me ligj të Shteteve të Bashkuara.

Gazetarët pyetën zotin Spicer rreth incidentit turk në lidhje me zotin Flynn, duke vënë në pyetje gjykimin e Presidentit Trump dhe nënpresidentit Mike Pence në zgjedhjen e gjeneralit amerikan si këshilltar të sigurisë kombëtare.

“Për çfarë po i referoheni – faktit se ai kishte një klient? Ai ishte gjithashtu kreu i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes. Tejet i kualifikuar, 40 vjet shërbim në ushtri, kështu që çfarë doni të thoni? Sepse deri tani, ai është shumë i kualifikuar, me një karrierë ushtarake të respektuar dhe i respektuar gjerësisht” tha Sean Spicer.

Zoti Flynn mori postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara kur presidenti Trump mori detyrën më 20 janar, por u shkarkua më pak se një muaj më vonë.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se gjenerali Flynn nuk e kishte informuar nënpresidentit Pence rreth takimeve që pati vitin e kaluar me ambasadorin e Rusisë në Uashington, kur ish-presidenti Barack Obama ishte ende në detyrë.

Please follow and like us: