Dhoma e Përfaqësuesve kërkon prova mbi akuzat e Presidentit Trump
Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin i ka bërë kërkesë presidentit Donald Trump të paraqesë prova deri të hënën se telefonat në Kullën Trump janë përgjuar gjatë fushatës presidenciale.
Presidenti akuzoi në Twitter një javë më parë ish-presidentin Barack Obama se kishte urdhëruar përgjimin e telefonave, por zoti Trump nuk ka ofruar asnjë provë.
Javën e kaluar presidenti shkruajti në Twitter “ E tmerrshme. Mësova se Obama më ka përgjuar në Kullën Trump pak para fitores. Asgjë nuk u gjet”.
Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin Devin Nunes, një republikan nga Kalifornia, dhe Adam Schiff, demokrat nga Kalifornia, i dërguan një letër zotit Trump duke kërkuar prova për të mbështetur akuzat e tij mbi përgjimin.
Më herët kësaj jave, ligjvënësi Adam Schiff tha në një konferencë për shtyp:
“Presidenti i ka kërkuar komisionit tonë të bëjë hetimin. Dhe unë do të thoja: Zoti President, ne pranojmë. Ne pranojmë dhe do ta kryejmë hetimin. Presidenti ka thënë se ky është një skandal që e bën skandalin e Watergate-it të duket diçka e vogël, se paraardhësi i tij ka urdhëruar përgjim të paligjshëm të fushatës së tij. Ky është një skandal i mundshëm. Alternativa është një tjetër skandal. Është skandali i një presidenti amerikan në detyrë që akuzon paraardhësin e tij se ka vepruar në mënyrë të paskrupullt dhe të paligjshme. Edhe ky do të jetë skandal nëse këto pretendime dalin të jenë të rreme. Dhe ne duhet të jemi në gjendje ta gjejmë përgjigjen në një kohë mjaft të shkurtër nëse kjo akuzë është e vërtetë apo e rreme”.
Një zëdhënës i ish-presidentit Obama ka thënë se akuzat e zotit Trump janë “thjeshtë të rreme”.
Presidenti Trump nuk ka komentuar mbi përgjimet që kur shkruajti në Twitter javën e kaluar.
Sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, një president nuk mund të urdhërojë përgjimin e telefonit të dikujt tjetër. Ai do të duhet të ketë miratim nga një gjykatës federal dhe do të duhet të tregojë baza të arsyeshme se pse duhet të monitorohen telefonatat e një qytetari.
Akuzat e përgjimit ka të ngjarë të trajtohen në hetimin e Senatit mbi ndërhyrjen e dyshuar ruse gjatë zgjedhjeve dhe kontaktet e fushatës Trump me zyrtarët rusë.
Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se Rusia kreu sulm kibernetik në kompjuterin e shefit të fushatës Clinton, John Podesta, me grupin WikiLeaks dhe pastaj lëshuan mijëra e-maile të tij në javët para zgjedhjeve. Ajo ishte me sa duket pjesë e një përpjekjeje ruse për të ndihmuar zotin Trump të mundë demokraten Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale.