Albspirit

Media/News/Publishing

Familja Blloshmi që dha aq shumë për Shqipërinë

Image result for albspirit

Çerçiz Loloçi

Bedri Bloshmi vjen sërish para lexuesve me një libër testament, që tashmë nuk ka më drejtpërdrejt Spaçin, Qafë-Barin apo Burrelin, tre nga burgjet më të egra të diktaturës komuniste, por që flet për familjen Blloshmi.

I konceptuar sipas një rendi kronologjik autori ka bërë përpjekje për të ritreguar historinë e familjes së vet që zë fill shumë herët, madje që nga beteja e famshme në Fushë-Kosovë, ku heroi i vrasjes së Sulltanit është një i afërm i farefisit të tij.

Dhe për këtë ai sjell shënimet e një personaliteti të madh si Ago Agaj si dhe ato të shkrimtarit dhe poetit të burgosur Visar Zhiti. Më pas vijnë e shpalosen personalitete të tjera të familjes Blloshmi si Hyseni, Hajdari, Selahudini, Sara, Hakiu, Shefqeti, Xhevdeti, Shahini, Selmani, Azisi, Hasani, Samiu, Vilsoni dhe vetë autori.

Por po aq sa histori familjare, aq edhe manual kombëtar përbën libri më i ri i Bedri Blloshmit sepse të gjithë personazhet e risjellë në këtë libër të tipit monografik kanë lënë gjurmë të pashlyera në epoka të ndryshme të mbijetesës shqiptare.

Duke folur për fshatin Bërzeshtë, autori përmend individualitetet më të spikatura të këtij fshati në Quks të Librazhdit ku Blloshmët kanë qenë një derë e madhe dhe me shumë kontribute në historinë kombëtare.

Njëri prej tyre Hajdar Blloshmi, i arsimuar në Rumani, Greqi e Turqi, zotërues i disa gjuhëve të huaja, profesor i frëngjishtes në “Robert College” të Stambollit, sekretar në Ministrinë e Drejtësisë në Perandorinë Osman edhe i konfliktuar me Portën e Lartë për pikëpamjet atdhetare. Hajdari ka qenë mësues i parë në Normalen e Elbasanit, së bashku me Aleksandër Xhuvanin dhe Luigj Gurakuqin, deputet në disa legjislatura, mësues në Pogradec dhe drejtor i gjimnazit në Durrës.

Një tjetër pjestar i familjes Blloshmi, nipi i Hajdarit, Selmani ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe është burgosur nga administrata turke për aktivitetin e tij patriotik.

Selahudin Blloshmi, megjithëse i ndarë shpejt nga jeta në moshën 36-vjeçare, do të përbënte në kulm të madh të kësaj familjeje si drejtues i ushtrisë shqiptare, Komandant i Entit Kombëtar, ajdutant i mbretit Ahmet Zogu, ministër-diplomat, deputet, “Kalorës i Legjionit të Nderit” dhe me veprimtari të gjerë shtetërore dhe shoqërore.

Për vetë përmasat e këtij intelektuali dhe strategu të shquar, lidhjet e tij me autoritetet më të larta të kohës, vendase dhe te huaja, Selahudini zë një vend të konsiderueshëm në faqet e këtij libri.

Bashkëshortjae Selahudinit, Sara është gjithashtu një personazh interesant jo thjesht e vetëm sepse ishte vajzae vajzës së madhe të Ismail Qemalit, pra e Mevedet Vlorës, por sepse brenda saj gërshetoheshin së bashku ikona e bukurisë, zgjuarësia, inteligjenca dhe përkushtimi i madh ndaj çështjes shqiptare. Një shkrim i saj “Feminisma dhe shqiptarja”, botuar në shtypin e asaj periudhe është sot edhe më aktual se kurrë.

Portret tjetër shpalos Haki Blloshmi, licesit i Korçës, emigrant në SHBA, sekretar i Konsullatës së Shqipërisë në Boston, i rikthyer në atdhe duke qenë kuadër i lartë i Ministrisë së Brendshme, kryekomunar në Librazhd e Gracen, udhëheqës i çetës nacionaliste, pjesëmarrës në mbledhjen e Mukjes dhe të Tapizës dhe i vrarë mizorisht në masakrën e Dunicës nga forcat e batalionit IV të Brigatës I S.

Po në këtë maskër të 7 marsit 1944 ku u vranë pesë pjestarë të familjes Blloshmi, një prej tyre ishte edhe Shefqeti. Një detaj interesant jep autori pak përpara ekzekutimit. Hakiu u lutet që ta falnin vëllanë e vogël, ndërsa ky i fundit u përgjigj me fjalët: Mos kërko falje nga këta kriminelë.

Ndryshe nga si është përshkruar kjo ngjarje makabre në marsin e vitit 1944 nga historiografia zyrtare, autori zbulon përplasjen mes forcave nacionaliste dhe partizane, si një dëshmi e pakontestueshme e elementëve të luftës civile.

Xhevdet Blloshmi kujtohet ende jo vetëm në Librazhd, por edhe vise të tjera sepse pas një jave nga masakra e Dunicës është rikthyer në vendin e ngjarjes dhe ka marrë hak për nacionalistët e vrarë pabesisht (atyre u bënë thirrrje nga partizanët që të dorëzoheshin se do faleshin dhe më pas u përshkuan nga breshëri plumbash), mes tyre edhe pesë anëtarë të familjes Blloshmi.

Pas kësaj ai arratiset në SHBA. Xhevdet Blloshmi është aktivizuar me luftëtarët e lirisë dhe ka zbritur dy-tre herë me parashtë në Mirditë, bashkë me profesorin e nderuar Alush Leshanakun. Më pas u aktivizua me “Bllokun Kombëtar Indipedent”. Me tre fëmijtë e tij që la në Shqipëri, të internuar deri në vitin 1990, është takuar në vitet e demokracisë.

Shahin Blloshmi, i shkolluar në Athinë dhe Torino, i përkiste elitës së ushtrisë dhe me gradën kapiten ka shërbyer në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Në periudhën e mbretërisë ka pasur pozicione të larta në ushtrinë kombëtare, por më pas është ekzekutuar nga forcat komuniste dhe ende nuk dihet se ku i prehen eshtrat.

Ekzekutorët janë kujdesur shumë për Shahinin, duke mos lënë edhe gjë të dokumentuar, ndërsa egziston një dosje rreth tij që jep të dhëna deri në fund të vitit 1943.

Radhë më vete kanë gjithashtu pjestarë të tjerë të familjes Blloshmi: Selmani, Azisi, Hasani, Samiu, Vilsoni dhe vetë autori i librit, Bedriu. Kapitulli i fundit është një përshkrim i kullës së Blloshmëve, asaj që nxori nga gjiri disa gjenerata intelektualësh.

Nga libra të mëparshëm dhe nga kjo kronikë familjare kuptohet se Blloshmët kanë pasur një kapitull të rëndë nga viti 1943 e deri në 1990, por ata kanë mundur ta sfidojnë atë regjim duke u përkushtuar gjithherë në anën e drejtë, të familjes, atdheut dhe kombit.

Please follow and like us: