Flisnin me ullinjtë e vrarë të Çamërisë
Dritan Osmani është autori i një libri me poezi, i cili megjithëse jeton jashtë Shqipërisë vargjet i gjen mes Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai ka botuar shpesh në organet tona të shtypit si “Rilindja” apo “Drita” e gjetkë.
Ai ka nisur enkas për 27.al një poezi që ia ka kushtuar të parëve tanë që panë genocidin grek, por kurrë nuk e harruan tokën e tyre.
Dritan Osmani nuk është nostalgjik, as melankolik, as romantik, ai rrëfen me vargje një të vërtetë therrëse që përshkruan dejet e një shqiptari të Çamërisë.
Për Çamërinë
Prindërit tanë flisnin për ditë me ullinjtë e vrarë të Çamërisë,
i thërrisnin si fëmijë
në natën e thellë të gjakut të humbur,
tek endeshin rrugëve të
Fierit,
Vlorës,
Durrësit,
gjithandej Shqipërisë.
Ecnin ngaherë me sytë nga Jugu,
se i thërriste Grikohori,
Filati,
Mazreku,
Margëlliçi,
Çamëria i thërriste,
i thërrisnin
muret qindra vjeçare të shtëpive
që qanin me erën
si fëmijë të humbur
mes gjëmës së gjakut.
Dhe e kishin tokën e Çamërinë në sy,
në zhurmët e hapave,
në duart që rrisnin borzilok që sillte së bashku me mbrëmjen
flladin e tokës që lanë.
Ashtu siç kishte qenë dikur Çamëria,
mes paqes së plote të ullinjve,
e paqtë
siç e lanë dikur Çamërinë,
mes ullinjve të vrarë,
e gjakosur.
Dhe mbajtën në shpirt fjalët e fundit
të vëllezërve që humbën,
mbajten pikën e fundit të gjakut që rrodhi rrugëve të Gumenicës,
Grikohorit,
Paramithisë,
Filatit,
Çamërisë
që rrjedh ende,
dhe kështu mbeten njerëz.
E thërrisnin Çamërinë çdo ditë para se të merrnin autobuzët mëngjeseve
me bukën në sqetull.
E thërrisnin në darkë para se nata t’u mbyllte sytë e tyre dhe të prindërve
që humbën.
Pikonin rrëshirë dhimbjesh
pemët gri të kujtimeve,
dhe jepnin e merrnin gjak me Çamërinë.
Ishin vetë Çamëria,
dhe u mungonte Çamëria
si sterat e vajit të ullirit,
që rrisnin njerëzit dhe tokën.
U mungonte Çamëria
që ende i pret e do i presë gjithë kohës.
E ruajtën kujtimin për vendin
në sepetet me erë manxurane që i sollën
mes shiut të pafund të dhembjes
që bie gjithkohshëm
tokës së lashtë të Çamërisë.
E ruajmë kujtimin e Çamërisë
si sytë e prindërve që na kujdesin ende
në çdo hap që hedhim,
si kujtimin e ullinjve që si fëmijë
presin paqen.
Mbajmë në shpirt fjalët e fundit të prindërve e gjyshërve
që humbën jetën e paqen
mbajmë në duar pikën e fundit të gjakut
që rrodhi rrugëve të Gumenicës,
Grikohorit,
Paramthisë,
Filatit,
Çamërisë e rrjedh ende,
dhe kështu mbetemi njerëz.
* Dritan Osmani Tarragona, Spanjë, Shkurt 2017