Albspirit

Media/News/Publishing

‘Hashtag’ zbulon skandalin/ Ja sa fitoi Fuga nga vdekja e Dritëroit…

Ceremonia e homazheve për shkrimtarin dhe poetin Dritëro Agolli është sponsorizuar nëpërmjet një prokurimi publik nga Ministria e Kulturës, ndërsa fondi i lëvruar duket i dyshimtë.

Ministria e Kulturës ka akorduar 3.4 milionë lekë (afro 30 mijë USD) për ceremoninë e homazheve, ndërsa specialistët e eventeve thonë se ceremonia ishte krejt modeste dhe nuk mund të justifikojë dot lëvrimin e kësaj shume kaq të lartë.

Hashtag.al komunikoi me ekspertë eventesh, ndërsa një prej tyre tha se:

‘Duket e çuditshme sepse në total ka pasur vetëm 4 ekrane Led-Wall. Edhe sikur t’i blesh këto ekrane nuk kushtojnë aq lekë. Ndërsa përdorimi i tyre me qira shkon rreth 900 USD për copë. Fonia është e Pallatit të Kongreseve. Këto janë zërat më të kripur të shpenzimeve për ceremoninë. Pra që të jemi brenda, kostot e ceremonisë nuk mund të kalojnë shumën e 7 mijë dollarëve’

Për ta kuptuar më mirë se çfarë shpenzimi ka bërë Ministria e Kulturës, mjafton të themi, se i gjithë buxheti vjetor i Galerisë së Arteve është 45 mijë dollarë. Ndërsa ceremonia e homazheve për Agollin shkoi rreth 30 mijë dollarë.

Madje as shkrimtari i ndjerë, nuk rezulton të ketë marrë ndonjëherë një shumë të tillë nga shteti për botimet e tij.

Kompania që ka organizuar ceremoninë është ‘Prosound’, kjo është një kompani me lidhje të forta me Rilindjen. Sidomos me zotin Endri Fuga, Drejtor i Informacionit në Kryeministri.

Disa punonjës të kësaj kompanie private, rezultojnë të punësuar dhe në departamente të kryeministrisë.

Biznesi shtetëror i eventeve është një ndër më fitimprurësit dhe më pak të investiguarit nga ana e medias. Shumat që akordohen janë të majme dhe thuajse çdo javë ka ceremoni apo evente, puna nuk rresht.

Njësoj ndodhi dhe me ceremoninë e homazheve të shkrimtarit dhe poetit Agolli, ceremoni e cila tregon se dhe nga vdekja mund të ‘kapësh’ ca lekë të shpejta. / Hashtag.al/

Please follow and like us: