Albspirit

Media/News/Publishing

KQZ hap aplikimet për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias, thirrje për pjesëmarrje

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është angazhuar të ngrejë Bordin e Monitorimit të Medias, i cili do të monitorojë pasqyrimin e fushatës zgjedhore të 18 Qershorit 2017, në radio-televizionin publik dhe ato private. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxha ka bërë publik njoftimin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, listën e organizatave jofitimprurëse të regjistruara, që operojnë në fushën e medias dhe që në përputhje me nenin 85/1, të Kodit Zgjedhor, janë regjistruar të paktën 1 vit përpara datës së zgjedhjeve, të cilat kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të bordit të monitorimit të medias. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve menjëherë pas marrjes së kësaj liste ka bërë njoftimet e këtyre organizatave, sipas emrit dhe adresës të përcaktuar në vendimin e regjistrimit në gjykatë, për të sjellë propozimet për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias. Pas dërgimit të njoftimit në adresat e marra në vendimet e gjykatës për regjistrimin e tyre, KQZ konstaton me shqetësim se një pjesë e organizatave jofitimprurëse nuk e kanë marrë njoftimin. Konkretisht nga 83 organizata në total, 57 prej tyre nuk e kanë marrë njoftimin dhe sipas përgjigjes së Shërbimit të Postës Shqiptare, shkak i mos marrjes së njoftimit nga organizatat, ka qenë fakti se adresat të cilat janë marrë nga vendimet e gjykatës, nuk janë të sakta”, ka thënë Hoxha. Kandidatët për anëtarët e BMM-së duhet të plotësojnë këto kritere: a) Të jenë me arsim të lartë; b) Të kenë përvojë pune, si gazetarë, jo më pak se tre vjet në median vizive ose atë të shkruar apo të jenë analistë ose studiues të mediave; c) Të mos jenë dënuar për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë; d) Të mos kenë qënë anëtar të forumeve drejtuese të partive politike ne 3 vitet e fundit.

Please follow and like us: