Albspirit

Media/News/Publishing

Merkel viziton Shtëpinë e Bardhë të martën

 

Presidenti Donald Trump ka në plan të pyesë kancelaren gjermane Angela Merkel mbi përvojën e saj me presidentin rus Vladimir Putin, kur kancelarja të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të martën.

Një zyrtar i lartë i administratës tha të premten se presidenti Trump do të jetë shumë i interesuar për të marrë mendimin e kancelares gjermane Merkel, ndërsa përgatitet për t’u angazhuar me udhëheqësin e Kremlinit.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump e kritikoi kancelaren Merkel për “prishjen e Gjermanisë”, me politikat për pranimin e një numri të madh refugjatësh.

Zonja Merkel e ka kritikuar presidentin Trump për ndalimin e përkohshëm të udhëtimeve, duke thënë se nuk ka asnjë justifikim për vendosjen e njerëzve nga një origjine e caktuar ose besimi fetar nën dyshim të përgjithshëm.

Stephen Szabo, drejtor ekzekutiv i Akademisë Transatlantike, thotë se zonja Merkel po vjen në Shtëpinë e Bardhë e shqetësuar se presidenti Trump mund të tregohet i butë ndaj Rusinë dhe do të minojë regjimin e sanksioneve që ajo vetë hartoi pas pushtimit rus të Ukrainës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analisti Szabo tha se gjëja më e keqe për solidaritetin perëndimor do të ishte zbutja e sanksioneve amerikane ndaj Rusisë pa ndonjë progres në Ukrainë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u përpoq të premten për të lehtësuar këto shqetësime, duke u thënë gazetarëve se çdo përpjekje për të minuar sanksionet që ekzistojnë për shkak të aneksimit të Krimesë nuk do të lejohet deri sa çështja të zgjidhet.

Please follow and like us: