Përse Majko nuk mund të emërohet Ministër i Brendshëm?
Emri i Pandeli Majkos është përmendur rëndom në 24 orët e fundit si zëvendësuesi i mundshëm i Saimir Tahirit në postin e Ministrit të Brendshëm, në ditët e mbetura të Qeverisë Rama. Nuk ka asnjë dyshim që Pandeli Majko mbetet personaliteti më i rëndësishëm i PS pas kryetarit të saj. Themelues i FRESH; deputet i PS që thuajse 25 vjet më parë; dy herë Kryeministër i Shqipërisë në momente shumë delikate; dy herë Ministër i Mbrojtjes, ai është i vetmi Kryeministër i Shqipërisë në historinë e saj që ka fituar një luftë, edhe pse nuk e kishte shpallur atë zyrtarisht më parë. Ai ka fituar luftën e Kosovës më 1999 në kuadër të koalicionit të NATO -s dhe ky mbetet një prej momenteve më të lavdishme të shtetit shqiptar. Ai është lakuar shpesh si kandidat për President i vendit dhe kandidat për poste të tjera të rëndësishme. Me një fizionomi politike origjinale, ai mund të ishte një Ministër i Brendshëm shumë i mirë. Por në rastin konkret, pikërisht për këto arsye ai nuk është zgjedhja më e mirë.
E para, Majko mund të ishte emëruar Ministër i Brendshëm, por ai nuk mund të jetë një Ministër i Brendshëm plotësues. Pra ai nuk mund të çohet 3 muaj Ministër sepse Tahiri është i zënë me fushatën. Kjo do ishte tallje dhe qesharake. Ai nuk është lojtar rezervë, por lojtar i parë dhe i çmuar.
E dyta, me një vendim të tillë Majko del nga fushata dhe duket sikur nuk kontribuon në rezultatin e PS.
E treta, si nivel politik Majko nuk mund të ulet nën atë të zëvendëskryeministrit. Nëse PS do ta vlerësojë mund ta kandidojë atë për postin e Presidentit dhe votat për këtë i ka, ky do ishte vlerësim për PS më shumë se për Majkon.
Një njeri që ka luftuar me Millosheviçin, nuk mund të shkojë të luftojë me bandat e Hashashit.
Për të gjitha këto arsye, PS nuk mund të shpërdorojë një aset si Majko, por vetëm duhet ta rivlerësojë atë./Opinion/