Presidenti Trump dhe përçarjet mes republikanëve
Që nga fillimi i presidencës, Donald Trump është zotuar t’i verë në jetë premtimet që ai u bëri votuesve, të cilët e sollën në Shtëpinë e Bardhë. Por diferencat në rritje në mesin e republikanëve tani rrezikojnë ta komplikojnë aftësinë e zotit Trump për të sjellë ndryshim të vërtetë në Uashington, siç shohim në materialin në vazhdim:
Për Presidentin Donald Trump, gjithshka lidhet me rezultatin dhe kjo përfshin edhe reformën e kujdesit shëndetësor.
“Mendoj se do të kemi sukses të jashtëzakonshëm. Është një proces i komplikuar, por në fakt shumë i thjeshtë, ai quhet shërbim i mirë shëndetësor”.
Por republikanët janë tepër të ndarë kur është fjala për ta zhbërë dhe për ta zëvendësuar ligjin për shërbimin shëndetësor të Presidentit Barack Obama, mes tyre edhe senatori i Kentakit, Rand Paul.
“Duhet të pranojmë se nuk jemi të një mendimi kur është fjala për zëvendësimin e programit Obamacare. Jemi të bashkuar për ta shfuqizuar atë, por të ndarë për ta zëvendësuar”.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan thotë se republikanët duhet t’i përshtaten realitetit se tani ata kontrollojnë si Kongresin, edhe Shtëpinë e Bardhë.
“Aktualisht ne po përjetojmë “dhimbjen e madhe”, të të qënit nga një parti në opozitë, në një parti në pushtet”.
Republikanët, po ashtu janë të ndarë për çështjen e hetimit lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Senatori Lindsey Graham kërkon një qëndrim agresiv për këtë çështje.
“Unë nuk kam për të nxitur një hetim ndaj Rusisë, por do ta ndëshkoja Rusinë lidhur me përpjekjet për të ndërhyjë në zgjedhjet tona”.
Por Kryetari i Komisionit të Zbulimit të Kongresit Devin Nunes, thotë se duhet mbajtur një qëndrim më i kujdeshëm për këtë çështje.
“Ka një prirje për të besuar se ekziston një komplot i madh, se rusët kanë ndihmuar që të zgjidhet president Donald Trump. Për këtë çështje është duke u zhvilluar një hetim dhe ne nuk paragjykojmë asgjë”.
Niveli i përgjithshëm i miratimit publik për zotin Trump mbetet i ulët, por përkrahësve të tij kryesorë u pëlqejnë ato që ai bën.
Shtimi i përçarjes mes republikanëve mund ta pengojë presidentin, thotë njëri prej strategjistëve të kësaj partie, John Feehery.
“Ai po u qëndron besnik premtimeve të fushatës. Ai tha se do të emëronte një gjykatës konservator për Gjykatën e Lartë. Pati thënë se do të ishte shumë vigjilent për imigracionin… Se do të merrte masa për të mos lejuar hyrjen e terroristëve në vend”.
Në të njëjtën kohë, preokupimi i Presidentit Trump për të kënaqur bazën e partisë republikane, mund të jetë një problem që mund të shfaqet në të ardhmen, thotë John Fortier.
“Ai e ka ruajtur mbështetjen e bazës. A ka nevojë ta bëjë më tepër këtë? Po, me afrimin e zgjedhjeve të mesit të mandatit për në Kongres, ose në se do të kandidojë për një tjetër mandat pas katër vjetësh; niveli i mbështetjes që ai ka tani, nuk është ai që duhet në rastin e zgjedhjeve”.
Tani për tani, Trump shpreson ta shfrytëzojë situatën pozitive që u krijua për të nga fjalimi i tij i kohëve të fundit në Kongres, i cili u prit mirë nga republikanët, madje edhe nga disa demokratë.