Ermonela, Madama perfekte
Zakonisht media dhe kritika britanike shkruan vetëm pas fillimit të shfaqjeve artistike, por kësaj here prestigjozja “The Sunday Times” e Londrës, i ka kushtuar një shkrim të gjere dhe të hollësishëm sopranos shqiptare Ermonela Jaho, e cila me 23 mars fillon serinë e shfaqjeve të Madam Butterfly në Operan Mbretërore të Londrës në Coven Garden.
Duke e cilësuar Jahon një “Madam perfekte” autori Hugh Canning i The Sunday Times thekson se sopranoja shqiptare është “Butterfly i ri” i kësaj shtëpie operistike.
“Ermonela Jaho është antiteza e divave të kopsitura që vijnë në operat e mëdha me një seri albumesh të arjeve të njohura, intervista dhënë gazetave dhe medias më të madhe, dhe një makineri PR pas tyre. Sopranoja shqiptare, e cila arriti kulmin e suksesit dhe pushtoi mediat me Sour Angelica në 2011, rikthehet këtë muaj në një rol akoma më kërkues, Geishën e Pucinit në Madam Butterfly”, shkruan “The Sunday Times”.
Gazeta britanike pasqyron me hollësi tërë karrierën artistike të sopranos shqiptare, e cila vjen këtë muaj në Londër, pas sukseseve të spikatuara së fundmi në shumë opera të mëdha si në Këln, Avinjon, Mynih, Berlin, Paris dhe muajin e kaluar në Sidnei të Australisë.
“The Sunday Times” citon dirigjentë të njohur duke thënë se “Jaho do të jetë e mrekullueshme në sfidat e teknikave të këndimit”
Në shkrim sopranoja shqiptare flet për Shqipërinë në një reklamë të mrekullueshme në një media kaq të madhe, gjë që ajo e bën çdo herë që intervistohet.
“The Sunday Times” e Londrës e mbyll shkrimin me fjalinë “prisni me shume lot dëshpërimi dhe gëzimi në Covent Garden më 23 mars”, ditën kur ajo fillon të performojë Madam Butterfly-in në Operan Mbretërore të Londrës, ku biletat e shumicës së shfaqjeve, po në mënyrë të pazakontë, janë shitur thuajse të gjitha.