Ftohja me Enverin, Mehmeti dyshonte se i vunë përgjues në shtëpi
Fejesa ishte prishur, por Mehmet Shehu nuk ishte ende i qetë. Dukej se gjendja e tij varej vetëm nga një telefonatë, nga një rutinë e prishur nga ana e “shokëve”, nga një buzëqeshje apo shtrëngim dore nga ana e Enver Hoxhës. Djali i Mehmet Shehut, shkrimtari Bashkim Shehu, në librin e tij “Vjeshta e ankthit”, përshkruan situatën nëpër të cilën po kalonte i ati, gjatë ditëve të Kongresit të PPSH-së, kongresin e fundit në të cilin do të merrte pjesë.
Tashmë asgjë nuk fliste për përmirësim të pozitave të tij. Edhe vetë Mehmet Shehu e kishte kuptuar këtë, aq sa ishte përfshirë nga një paranojë mbi gjithçka që ndodhte përreth tij. Ndoshta jo me pa të drejtë. Pas një shtrëngimi dore të Enver Hoxhës, ditën e parë, që shkaktoi një gëzim të rremë, filloi ftohja, ngurtësimi i fytyrës së diktatorit gjatë fjalimit të tij, trembja e duartrokitjeve në sallë, planet që jepte Televizioni Shqiptar kur fliste ai. Përtej gjithë varianteve të deritanishme mbi vrasje/vetëvrasjen e Mehmet Shehut, Bashkim Shehu tregon ditët e fundit të të atit, bisedat me Fiqreten dhe ato mes vëllezërish…
NGA BASHKIM SHEHU
Mëngjesin e hapjes së kongresit, Mehmet Shehu ishte në ankth. Mbasi piu kafenë, pa u ngritur nga shtrati, ai thirri mjekun t’i bënte EKG. Dy javë të shkuara kishte pasur një krizë kardiake dhe tani, sado që s’ndiente asnjë të therur apo shtrëngim në zemër, megjithatë, duke menduar ditën që kishte përpara, i tendosur siç ishte dhe i gushmuar prej ankthit, një tendosje e një ankth që priteshin dhe që do të vinin duke u acaruar dhe duke u stërhequr përgjatë asaj dite, të gjitha këto mund t’i shkaktonin një krizë të re e një mendim i këtillë gjithë ia shtonte ankthin. EKG-ja i doli normale.
E mblodhi veten disi, po vetëm për një copë të shkurtër. S’ishte tani shqetësimi për ndonjë krizë të re të zemrës. Dhe as kishte qenë. Po sa më tepër që afrohej ora për t’u nisur, aq më ligsht ankthi sa vinte i rritej dhe e guzhmonte sërishmi. Ndryshe nga kongreset e tjera, ai nuk e dinte vendin ku duhej të takoheshin më përpara anëtarët për të shkuar së toku në kongres. Askush nuk i kishte thënë gjë Byrosë Politike. As librin me raportin që do të mbante Enver Hoxha s’ia kishin dërguar.
Me siguri ishte i vetmi anëtar i Byrosë Politike që s’e kishte atë libër. Atij iu parafytyrua vargu i gjatë i veturave të zeza të Byrosë Politike, përmes bulevardit, ndërsa njerëzit në të dyja trotuaret përshëndetnin e brohoritnin. Te sheshi, përpara pallatit ku do të mbahej kongresi, brohoritjet shtoheshin. Po vetë nuk ishte aty. Iu parafytyrua, sakaq, vetura e vet, arkivol i zymtë e i vetmuar, midis çmeritjes së syve të panumërt. I telefonoi më në fund, gjithsesi me njëfarë ngurrimi, Ramiz Alisë, të pyeste si do të bëhej për t’u nisur. Iu përgjigjën se Ramiz Alia nuk ishte, porse së shpejti do të kthehej.
U la fjalë që ta telefononte me t’u kthyer. Por telefoni po vononte, ndërsa ora afrohej e afrohej. Nuk i rrihej në një vend, sa në studio, sa në korridor, sa në tjetrin, pastaj prapë në studio, duke kontrolluar përbrenda çantës, mos kishte harruar gjë, por asgjë nuk kishte harruar, dhe pastaj prapë në korridor thuajse rrekej ashtu ta harronte kohën që ikte e ikte pa kthim, me një ngadalësi sfilitëse, ndërsa ai dëshironte që kjo ndërkohë të rridhte sa më shpejt, të vinte ora për t’u nisur dhe të merrte fund kjo pritje.
Fundja, të shkonte vetëm. U mendua një copë herë e nuk iu duk dhe aq e rëndë që të shkonte vetëm, por ama pak me vonesë. Le të ishte pak më vonë, veçse jo pak më herët, kurrsesi pak më herët, se ashtu i vetmuar, ndërsa të tjerët ende pa ardhur, do t’i duhej të priste mjerueshëm në ndonjë sallë të pallatit, ndërsa vështrimet pyetëse të një mizërie të pafundme sysh do të vazhdonin ta ndiqnin edhe aty brenda, dhe ai s’do të dinte si t’u përgjigjej.
Madje po i dukej se edhe këtu, në shtëpinë e tij, ndodhej tashmë nën një vëzhgim të pareshtur sysh. Dhe atë botë i feksi papritmas në mendje se raportin e Enver Hoxhës nuk ia kishin dhënë ngase aty qe shtuar diçka, të cilën vetëm ai nuk duhej ta dinte, ngase ajo diçka kishte të bënte me të, me Mehmet Shehun. Por po aq vetëtimthi iu duk e marrëzishme ajo që sapo kishte menduar. Gjëra të tilla s’mund të shtypen në një libër që bie në mijëra duar, tha me vete.
Bile në asnjë lloj libri s’mund të shtypeshin të tilla gjëra. Ai e dinte mirë. E megjithatë, sërishmi vazhdoi të përsiatej e të përbluante se mosdhënia e librit, edhe pse nuk fshihte e nuk mund të fshihte diçka, ishte prapëseprapë një lloj paralajmërimi. Një shenjë paralajmëruese e qëllimtë, për t’i kumtuar se ajo çka nuk qe shkruar atje dhe që, po të shkruhej, libri nuk do t’i jepej, por që s’mund të shkruhej, edhe pse nuk qe shkruar, qe menduar të bëhej. Po atëherë nuk duhej ta paralajmëronin.
Apo tamam ky paralajmërim tregonte se çka ishte menduar të bëhej do të bëhej dhe se ai s’do të mund ta ndalte dot. Luhatej kësisoj mes ndërmendjesh të kundërta, teksa koha ikte pa u vënë re, apo në të vërtetë ishte ndalur, kur ndërkaq ra telefoni dhe ishte Ramiz Alia në telefon, që po i thoshte se ku do të mblidheshin. Për të shkuar së toku. Atëherë mori çantën dhe u nis.
Në seancën e hapjes së kongresit foli Enver Hoxha. Ishte një variant i shkurtuar dhe i ngjeshur i raportit të tij, në emër të Komitetit Qendror, të lexuar një herë në variantin e plotë nga plenumi dhe të dëgjuar me magnetofon një ditë para hapjes së kongresit, po në këtë sallë, nga delegatët që nuk bënin pjesë në plenum. Si mbaroi së foluri, Enver Hoxha, në ndryshim nga kongreset e mëparshme, nuk u kthye në presidium ku ishin anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, dhe as u ndal që të priste urimet e tyre e t’i përqafonte njërin pas tjetrit.
Duke u çapitur rëndshëm përskaj presidiumit dhe pa u hedhur asnjë vështrim, Enver Hoxha vazhdoi të përshëndeste platenë e rrëmbushur nga delegatët që duartrokisnin dhe brohorisnin emrin e tij, dhe ashtu doli nga salla. Por, mbasi doli, pak minuta në një sallë tjetër anësore, si për të pushuar, derisa u mbyll seanca dhe derisa erdhi aty e gjithë Byroja Politike. Aty dhe i bënë urimet e rastit Enver Hoxhës.
-E, si t’u duk? – i tha Mehmet Shehut, duke ia shtrënguar dorën atij më së pari – shkoi mirë? Se u lodha, ç’është e vërteta.
-As ndjehej fare, – i tha Mehmeti – si këtu e tridhjetë vjet më parë! Dhe u rrokën në grykë dhe u puthën. Atë ditë Mehmet Shehu u kthye nga kongresi i lehtësuar prej ankthit, me humor të mirë, madje. Por ditën e nesërme, pasi kishte mbajtur fjalimin e vet, ai u kthye në shtëpi krejt ndryshe.
-A e ndoqe në televizion? – më pyeti, posa më pa.
-E ndoqa, – i thashë.
-A shkoi mirë? -Mirë.
-Si e jepte? Jepte sallën më shumë? Deshi të shtonte diçka, por nguroi dhe heshti, duke pritur ndërkaq përgjigjen time.
-Jo, të jepte mjaft edhe ty, – i thashë, pa menduar, i shtytur aty për aty nga dëshira që ta qetësoja. Po edhe në të vërtetë ashtu kishte qenë. Porse e keqja qëndronte tjetërkund. Dhe ai e dinte se ku qëndronte kjo e keqe, por kishte nguruar të më pyeste drejtpërsëdrejti. Ajo nuk kishte të bënte thjesht me sallën, por me ato mijëra fijëza të gjithëfuqishme ndërmjet duarve të sallës dhe presidiumit, ose më mirë mesit të presidiumit, ku ishte ulur Enver Hoxha.
Sa herë fillonin duartrokitjet në sallë, ngurosja e tij e zymtë dhe duart e tij, çuditërisht të palëvizshme, që vetëm në një ose në dy raste duartrokisnin, por vetëm e vetëm për të treguar, ashtu, se në rastet e tjera duartrokitjet duhej të reshtnin, e bënin sallën t’i ndërpriste duartrokitjet dhe të shtangte sakaq e heshtur. Po të paktën ata që s’kishin qenë në sallën kongresore dhe që e kishin ndjekur nëpërmjet televizorit, dhe që ishin shumë më tepër, të mos e kishin parë me sytë e tyre një gjë të tillë…
Sidoqoftë, thashethemnaja do të ishte e pandalshme. S’mund të kalonte pa u vënë re as ajo që ngjau ditën e përshëndetjes së delegacioneve të huaja. Kur i erdhi radha kryetarit të delegacionit të partisë marksiste-leniniste të Spanjës, pasi lexoi përshëndetjen, ai shkoi te presidiumi, nën duartrokitjet e zhurmshme të sallës, u përqafua me Enver Hoxhën dhe, pas tij, përqafoi edhe Mehmet Shehun. Duartrokitjet u shtuan edhe më. Po kështu bëri edhe i huaji tjetër që i erdhi radha mbas spanjollit.
Pastaj i erdhi radha një tjetri, por, me të mbaruar ky, Enver Hoxha u ngrit nxitimthi dhe i doli përndruall duke e përqafuar pa e lejuar të afrohej te presidiumi. Më në fund, erdhi dita e zgjidhjeve për në forumet e larta partiake, çka do të ishte edhe mbyllja e kongresit. Ditën e djeshme, gjatë gjithë asaj kohe që ndenjën në shtëpi, Mehmeti dhe Fiqreti bisedonin me zë të ulët kokë më kokë. Ishin të pasigurt nëse Mehmeti do të rizgjidhej në Byronë Politike, po edhe më të pasigurt nëse Fiqreti do të rizgjidhej anëtare e Komitetit Qendror. Në të dyja këto forume do të kishte ndryshime, të tilla që anëtarë të mëparshëm do të ngeleshin jashtë, e motivuar, kjo, të paktën zyrtarisht, me moshën e tyre të shkuar.
Kjo mund t’i ndodhte edhe Mehmetit, ose, sidomos Fiqretit, meqë ajo i përkiste një rangu më të ulët dhe kësisoj heqja e saj nuk do të binte dhe aq në sy, por do të ishte hapi i parë i kobshëm që të kumtonte gjithçka dhe s’të kuptonte asgjë, ndaj dhe ishe krejt i pafuqishëm dhe s’kishe ç’të bëje për të ndalur hapin tjetër, dhe tjetrin, dhe tjetrin, gjersa gjithçka do të dukej sheshazi, porse atëherë do të ishte tepër vonë. Megjithatë, që të dy u rizgjodhën. Ndërkaq në Byronë Politike u shfaqën edhe disa emra të rinj, të panjohur, ose të njohur për aftësinë e tyre atje ku kishin punuar.
-Është një mënyrë e Enver Hoxhës, – më tha Vladimiri, – për t’i treguar atij, dhe të gjithë anëtarëve të vjetër, se janë fare pa vlerë, se janë njëlloj si këta që sapo vuri, dhe se me cilindo ai mund të veprojë si të dojë, të vërë e të heqë kë të dojë. Përpos që këta të rinjtë janë më të bindur, sikurse më të bindur duhet të bëhen tani edhe të tjerët.
-Me një fjalë, historia e kalit të Kaligulës në kolltukun e senatit romak.
-Veçse këta nuk janë kuaj. Këta janë gomarë. Sidoqoftë, prindërit tanë nuk ishin aq të kënaqur që u rizgjodhën aty ku kishin qenë. Më anë tjetër, që të rizgjidhej Mehmeti edhe Sekretar i Komitetit Qendror, për këtë as që mund të flitej. Mbetja e Mehmet Shehut jashtë sekretariatit të KQ-së nuk ra dhe aq në sy, ngase ata që kishin dijeni për këtë punë qenë të rrallë, sadokudo, po shumë e më shumë më tepër qenë ata që e kuptuan, sakaq, se me Mehmet Shehun diçka nuk shkonte, madje kishte edhe syresh që ajgëtonin tashmë fundin e tij të afërt. Po Mehmet Shehu vetë, kur e kuptoi çfarë po ndodhte me të?
Mund të thuhet se e kishte kuptuar mjaft herët, dhe po ashtu, mund të thuhet se asnjëherë nuk e kuptoi. Konferenca partiake e rrethit të Korçës, e shtyrë për shkak të mungesës së të deleguarit të KQ-së, Mehmet Shehut, mbasi e kishte thirrur ngutshëm prej andej Enver Hoxha për të prishur një fejesë, u shty me javë të tëra, derisa u mbajt në fund të shtatorit.
Ditën kur u kthye nga kjo konferencë, Mehmet Shehu dyshonte se i kishin vendosur në shtëpi aparatura përgjimi. Në studion e tij të katit të poshtëm, tek bisedonte me Fiqretin duke mbajtur përpara një fije letre të daktilografuar dhe duke i treguar asaj diçka në të, dikur, ashtu befas, ai mori Fiqretin përjashta, në verandë, dhe aty vazhduan të bisedonin kokë më kokë, me të pëshpëritur, gjithë me letrën përpara, dhe mbas pak u kthyen në studio për ta vazhduar aty bisedën.
Në mbrëmje, në emisionin televiziv të lajmeve, u transmetuan njëra pas tjetrës disa kronika televizive të konferencave partiake të rretheve të ndryshme. Për konferencën e rrethit të Korçës asgjë nuk po transmetohej. Mehmeti dhe Fiqreti, të vrerosur e gjithë herë më të shqetësuar në çdo minutë që kalonte, vështronin ngultazi ekranin e kaltëryer, herë-herë shkëmbenin kalimthi ndonjë vështrim me cep të syrit, pastaj sytë ktheheshin sërishmi tek ekrani me një ngulmim të ankthshëm.
-Nuk dha asgjë, – tha Fiqreti, si mbaroi emisioni i lajmeve.
Mehmeti e pa me inat, si të ishte ajo fajtore. Mbas pak të dy dolën nga dhoma, duke mbetur aty vetëm unë me Vladimirin.
-Për konferencën e Korçës e kishin, apo jo? Ngaqë nuk e dha televizori, – i thashë.
-Po, – tha Vladimiri. -Me sa duket, babai nuk i ka punët mirë. -E, pra.
-Të jetë për fejesën? -Për fejesën, pra, për çfarë tjetër!
Vetvetiu të shkonte mendja te fejesa. Megjithatë s’mund të jetë kështu, thashë me vete. Ose, po të ishte kështu, s’mund të ishte ndonjë gjë e madhe, mirëpo as kjo s’do të ishte dhe s’ishte asgjë… Megjithatë, një diç e ligë po më brente së brendshmi:
-Po Enveri, mbasi u prish fejesa, demek i tha babait që…
-E pra, ndryshe u nis, – tha Vladimiri, gjithsesi i habitur edhe ai.
-E si mund të kapen te fejesa?! Çfarë mund të nxjerrin prej asaj fejese?
-Ohu, po t’u vu Enver Hoxha… Ai edhe vetes po t’i vihet, mund t’i gjejë çfarë të dojë! -Çudi, si nisi kjo punë e si po merr krejt befas… Në të vërtetë, nuk duhej të ishte dhe aq për t’u çuditur. Dhe asfare për t’u befasuar./Pan/