Albspirit

Media/News/Publishing

Ivanka Trump, suksesi i vajzës së Donaldit

 

Suksesi i bijës së preferuar të presidentit amerikan po bëhet shqetësues: rroba, parfume dhe marketing, pavarësisht përpjekjeve për bojkot, Ivanka Trump po bëhet e pandalshme

Ajo që nga shumëkush konsiderohet zonja e parë e vërtetë në Shtëpinë e Bardhë, duket se ka marrë nga babai, mendjemprehtësinë për biznes. Në mos zonja e parë, në një rol për tani atipik, Ivanka Trump sigurisht kualifikohet si vajza e parë, fëmija e parë e politikës amerikane. Një rol i dukshëm, shumë më tepër se ai që kishte Chelsea Clinton, për shembull. Për moshën, sigurisht, por sidomos për një prirje të natyrshme.

Mendoni, për shembull, që pavarësisht përpjekjeve të ndryshme për bojkot, linja e saj e veshjeve vazhdon të rrisë numrin e blerjeve nga përdoruesit. Në mënyrë të veçantë, sipas Lyst, komuniteti anglez që merret me shumicën e markave, Ivanka Trump ka rritur shitjet e veshjeve të saj me 346%. Natyrisht, fokusi i vazhdueshëm i mediave përbën një ndihmë të rëndësishme, por Ivanka kishte provuar tashmë se kishte cilësi të spikatura si sipërmarrëse, që nga dita kur hyri në grupin e bizneseve të të atit, në vitin 2005.

Por, jo vetëm veshje. Ivanka po hyn fuqishëm edhe në fushën e parfumeve: në mesin e më të shiturve të Amazon, përfshihen “Ivanka Trump Eau de Parfum Spray For Women, 3.4 Fluid Ounce” (72,95 dollarë) dhe “Roller Ball ‘Ivanka Trump For Women 0.20 EDP’”. Kjo, pasi platforma Nordstrom, me 350 dyqane në Shtetet e Bashkuara, kishte njoftuar më 3 shkurt vendimin për të mos shpërndarë më markën e Ivanka Trump. Lufta mediatike kundër familjes Trump, pra, kalon nga instrumentet tradicionale, por shkon deri tek zinxhirët e mëdhenj të shitjeve me pakicë, të cilët me sa duket po përpiqen t’i vënë shkopinj në rrota, edhe vajzës së Presidentit, e cila, megjithatë, vazhdon e patrembur përgjatë serisë së saj të sukseseve tregtare.

Në 2 maj do të dalë libri “Gra që punojnë: Rishkrimi i rregullave të suksesit”, i dyti i Ivankës. Vajza e Parë nuk është e huaj për botime të këtij lloji: që në vitin 2009 kishte botuar një libër mbi strategjitë e kompanive. Eshtë një vepër që përpiqet të shtrijë aftësitë e Ivankës edhe tek ata që nuk janë “bijë apo bir i…”. E Donald Trumpit në këtë rast, që me siguri ka kontribuar për të ngulitur tek Ivanka këtë identitet pozitiv dhe fitues. Po cila është origjina e kësaj mendësie sipërmarrëse? Të mirëinformuarit e dinë që për Trumpin, pra edhe për Ivankën, një rol qendror e kanë luajtur disa personalitete, që nga pastorja Paula White, e njohur për “teologjinë e begatisë”, deri tek Pastori Samuel Rodriguez, presidenti National Hispanic Christian Leadership Conference, i pari evangjelist latin që ka marrë pjesë në një emërim të një presidenti amerikan.

Nëse për të atin këto guida spirituale përfaqësojnë një rol qendror, megjithatë, Ivanka ka deklaruar se është konvertuar në hebraizëm, duke ndjekur gjurmët e bashkëshortit, Jared Kushner, një tjetër enfant prodige në botën e ekonomisë amerikane. Por edhe në këtë rast, kritikët e zakonshëm kane hedhur dyshime mbi vërtetësinë e konvertimit të Ivankës. Pra, sulmet e mediave progresiste kanë vënë në shënjestër të bijën po aq sa edhe të atin. Edhe pse, Ivanka sheh përpara dhe konsolidon rolin e saj në ekonominë amerikane./IlGiornale/

Please follow and like us: