Albspirit

Media/News/Publishing

Kokëdhima për 4 ministrat: Arnimet e qeverisë nuk janë zgjidhje

Ish-deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima, komentoi sot zhvillimet politike në PS dhe shkarkimet e ministrave duke deklaruar se shkarkimi i ministrave nuk është zgjidhja ndërkohë që Kryeministri dhe kryesia e PS kanë mungesë të theksuar transparence në lidhje em shkarkimet.

“Qeveria e Ramës do të ndryshojë 4 ministra të rëndësishëm, me justifikimin se ata duhet të angazhohen në fushatë, meqë janë edhe koordinatorë në disa qarqe. Këto zhvillime janë shumë shqetësuese, pikësëpari për PS-në e bazës, sepse PS-ja e udhëheqjes nuk e pyeti sërish atë për këto lëvizje të rëndësishme në qeverinë e nxjerrë nga 1 milion votat e qershorit 2013. Kjo qeveri trajtohet si pronë e një personi dhe e një grushti të vogël njerëzish dhe lidershipi nuk denjon të japë sqarime për arsyet e vërteta të këtyre lëvizjeve, edhe pse anëtarët dhe militantët e PS-së kanë nevojë dhe të drejtë që të sqarohen. Një lidership serioz partie nuk mund të shkojë te militantët vetëm kur ka interes t’u lypë votën dhe t’i injorojë ata për lëvizjet e rëndësishme strategjike e politike që ndërmerr në emër të partisë. Shqipërisë dhe Partisë Socialiste, në këto pak javë që na ndajnë nga zgjedhjet, nuk i nevojiten ministra të rinj, por rregulla të reja loje për të garantuar zgjedhje të pakontestueshme. Partia Socialiste nuk është sekt. Vendimet nuk mund të dalin vetëm nga mendja e një njeriu”, deklaron Kokëdhima.

Kokëdhima kërkon që të mblidhen në mënyrë urgjente forumet e larta të partisë, Asambleja Kombëtare dhe Kongresi për të analizuar këtë situatë politike kaq të mbarsur dhe delikate dhe për të përcaktuar rrugëzgjidhjet e saj. Pas pak ditësh do të zhvillohet konferenca e parë kombëtare e lëvizjes “Zgjidhja”, me pjesëmarrjen e shumë anëtarëve dhe përfaqësuesve të bazës socialiste. E ftoj Edi Ramën që të vijë të dëgjojë dhe t’u përgjigjet pyetjeve dhe interesimeve të shumta që kanë anëtarët e korrentit tonë politik në Partinë Socialiste, për situatën politike, qeverisjen dhe gjendjen e partisë, thotë Kokëdhima.

“Nuk besoj se arnimet në kabinetin qeveritar do të kënaqin opozitën që proteston prej tre javësh në bulevard, ashtu siç nuk besoj se nesër, pasi qeveria e rë të marrë bekimin e presidentit, opozita do të mbledhë plaçkat dhe do të ndërpresë protestën. Ajo kërkon krijimin e një qeverie teknike, pa Edi Ramën kryeministër dhe garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Pa plotësimin e këtyre dy kushteve nuk besoj se Lulzim Basha do të ikte nga “Çadra e lirisë”, të cilën e ka kthyer në një “toën hall” bulevardesk, ku u shpjegon qytetarëve, se si do të qeverisë ai kur të jetë te ajo zyra përballë, lart në katin e dytë të kryeministrisë”, deklaron Kokëdhima.

Please follow and like us: