Albspirit

Media/News/Publishing

Lojë shahu apo ruletë-ruse?!

Denion Meidani

Çdo lëvizje e politikanëve tanë mund të analizohet dhe interpretohet jo vetëm në bazë të rëndësisë dhe impaktit në përgjithësi apo atij elektoral në veçanti, por dhe si shkak e rrjedhojë e kundërpërgjigjeve, që mund të emetoheshin e bëheshin publike nga ana e aleatëve dhe e opozitës, duke mishëruar, gati-gati, një lojë shahu me lëvizje e kundër-lëvizje të përllogaritura. Madje, sa më i zoti “lojtari” politik aq më shumë skenarë të shtrirë në kohë ai mund të arrijë të përllogarisë. Por, situata e sotme duket shumë më ndryshe, me një perspektivë të paqartë, sidomos duke marrë parasysh që shahu po luhet në një tavolinë jo të qëndrueshme, në mjaft pjesë dhe të kalbur; në një bazament që vibron, lëkundet e gati hidhet përpjetë nga mosbesimi e tensioni politik në mes palëve, përfshirë dhe ato brenda për brenda maxhorancës.  Fatkeqësisht, vetë e ardhmja jonë evropiane po luhet në atë dërrasë të kalbur shahu, ku në vend të rregullat të caktuara në atë lojë, janë shpikur pseudo-rregulla të tjera për një lojë të poshtër e të pisët ku mbizotërojnë interesat personale të lojtarëve kryesorë apo përllogaritjet e tyre meskine e të mbrapshta. Dhe, për më tepër, kur një pjesë e mirë e gurëve të shahut, të vendosur mbi atë dërrasë, janë vënë aty dhe po luhen nga krimi, korrupsioni, kanabisi, vaksinat e skaduara, mbetjet toksike e helmet e rrezikshme…

Nuk do më dukej aspak çudi, që kjo tabelë shahu të përmbysej dhe gurët të shpërndaheshin kudo, falë tronditjes dhe tundjes së saj prej një tensioni në akumulim të vazhdueshëm, madje sipas  grafikut të një progresioni gjeometrik, ku induktimi kryesor e ka ushqimin jo vetëm tek pakënaqësia qytetare ndaj qeverisjes, por dhe mbështetjen tek ritmi e reagimi permanent disa javor me origjinë çadrën e protestës konstante, në pritje përshkallëzuese, të opozitës. Protestë kjo pikërisht për pastrim të dërrasës së shahut nga llumi dhe riparim të pjesës së saj të kalbur, me synimin kryesor një lojë të ndershme politike që fillon me garantimin e  një procesi zgjedhor demokratik, transparent e luajal.

Një tentativë pozitive është dhe ajo e aktorëve të rinj si Libra apo Zgjidhje dhe zgjidhje të tjera të ngjashme për t’u bërë pjesë e garës elektorale, e cila deri më sot ka qenë, më shpesh, një mundësi ekskluzive e të njëjtit klub lojtarësh “elitarë” – ama “elitarë” vetëm për pushtet, për influencë e para, jo patjetër të njohur, por jo domosdoshmërisht në qëllime e moral. Dhe, nga ana tjetër, kemi një lojë tjetër paralele, që po luhet brenda kampit të shumicës qeverisëse, veçse kjo e fundit nuk ngjason aq shumë me lojën e madhe të shahut, por më tepër me lojën me letra bixhozi, të ngjashme me variantin fëmijëror të lojës me “rrena” (!).  Dhe, në fakt, jo më larg se sot (12 mars), kryeministri hodhi në shesh përmbys 4 Derra , duke nënkuptuar me të madhe 4 Asa të vlefshëm. Dhe, nëse askush nuk e thërret blofin, ai mund t’i hedhë sipër dhe 4 Fanta përmbys, që një zot e di çfarë do jenë ato në të vërtetë. Por, mesa kuptohet, deri tashmë opozita nuk e ka ngrënë blofin; ajo duket që është e qartë në kërkesat e saj dhe as nuk po cedon, as nuk po lëshon terren në këtë lloj “loje rrenash”, ndërkohë që as aleati kryesor i koalicionit që është, në thelb, si shënuesi ashtu dhe shënjestra e vërtetë e kësaj loje, po vazhdon me sytë nga dërrasa e shahut, duke e injoruar apo pa pasur interes për fushën me letrat e rrëzuara e lojtarin tjetër të konsumuar e përmbys si to.

Ndërkohë, e pashpresa reformë zgjedhore, që të paktën duhet të kishte mundësuar votimin elektronik, apo dhe ajo e sakatuara në drejtësi, që është futur në një lëmsh juridik e kohor, të dyja ato po vazhdojnë të presin së bashku me të ashtuquajturit aktorë – spektatorë ndërkombëtarë pikërisht lojtarët tanë marifetaxhijë të politikës. A do të pranojnë, këta të fundit që të nisin, pa pretenduar një rezultat, lojën kohore ose emërore deri tani të pingpongut, apo ata do të vazhdojnë të merren thjesht me lojëra të tjera, qofshin ato dhe një bixhoz i mirëfilltë me fatet e vëndit?…

Kaq shumë tension, papastërti, lojëra e faktorë në një lëmsh të mirëfilltë apo në një projeksion të tipit “garumbull”, një përzierje keqas e shumë pyetjeve-përgjigjeve, një dyshim i ndërsjellë brenda një kampi apo mosbesim e paqartësi kampesh me njëri-tjetrin, e bën të vështirë parashikimin e saktë të zhvillimeve në vijim. Më shumë se parashikimi politik-matematikor, divergjenca e sotme konkrete prej lojës së madhe dhe të ndershme të shahut, po e çon ecurinë e mëtejshme politike në një rastësi të rrezikshme e të paimagjinueshme, më shumë sipas një loje të tipit ruletë-ruse, që mund të sakatojë jetën ekonomike-sociale, por dhe mund të shoqërohet me pasoja tragjike, herët a vonë, për vetë lojtarët, aktorët por dhe për vendin. Dhe kjo nuk duhet lejuar! Ajo duhet shmangur!…

Please follow and like us: