Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollë Lesi: Ju tregoj se si do krijohet qeveria teknike

Edi Rama largoi katër ministra të kabinetit dhe të katër ishin përfaqësues të PS. Edhe me parë kur LSI-ja ka kërkuar zëvëndësimin e ministrave të saj, përjashtuar Ylli Manjanin, kryeministri nuk ka kërkuar shpjegime, por ka zbatuar marrëveshjen mes PS-LSI. Ndryshimet në një kabinet qeveritar përherë marrin debate e hamëndje të ndryshme. Është normale në një shoqëri të lirë demokratike. Në rastin e tanishëm ka ndezur me tepër diskutimin pasi në qendër është një ministër si Saimir Tahiri, i cili sipas kryeministrit ikën për të forcuar punën e PS-së në Tiranë, tre muaj para zgjedhjeve. Në të vertetë duket paksa jo e besueshme që ministri më i rëndësishëm i kabinetit dhe që mbahej nga kryeministri si çelësi i suksesit të kabinetit qeveritar, të largohet me disa hamëndje, të cilat nëse nuk i sqaron vetë Saimir Tahiri, do mbeten enigmatike.

Nuk ka asnjë shans e mundësi që kryeministri Rama të largojë ministrin e tij më të rëndësishëm për hir të LSI. Diversioni se gjoja koka e Manjanit është shkëmbyer me kokën e Tahirit nuk bind, pasi nëse ikja e Manjanit nuk cënoi asgjë në LSI, pavarësisht se ai ishte një ministër me integritet profesional dhe politik, në rastin e largimit të ministrit Tahiri, praktikisht, pothuaj ka ikur dhe Edi Rama. Ndaj nuk ka sesi kryeministri të vendoste shenjën e barazimit: Pra me jep një kokë e të jap një kokë!

Arësyet e largimit të Saimir Tahirit janë brenda kupolës rozë. Mundet dhe ketë patur sugjerime ndërkombëtare. Por me shumë lidhet me luftën brenda llojit, pra në PS. Siç dihet edhe tre muaj dhe duhet të jemi në zgjedhje parlamentare. Opozita nuk futet pa asnjë diskutim në zgjedhje me kryeministër Ramën. Dhe duket se kështu do përfundojë ky duel Rama-Basha; qeveria teknike do krijohet. Duam apo nuk duam, e drejtë apo e padrejtë, përfundimi do jetë qeveri teknike.

Mbajeni mend!

Edi Rama nuk është politikan pa karrierë tashmë. I njeh mirë prapaskenat si bëhen kur rrëzohesh. Ka parë përballë PD-në se si konkurimi Lulzim Basha- Sokol Olldashi për marrjen e fronit, se si përfundoi. Ndaj, duket se ka zënë mend nga ndodhia në PD dhe ka marrë masa në stanin e PS-së, sepse nuk i dihet. Mund të humbasë zgjedhjet PS-ja. Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!- është vetë kënga e Edi Ramës. Sipas statutit të PS-së kryetari që humbet zgjedhjet jep mënjëherë dorëheqjen dhe zgjedhja e kryetarit të ri bëhet pa qenë Rama në PS. Ai vetë ka deklaruar se nëse humbet zgjedhjet kthehet në shtëpi, pra nuk merret më me politikë. Por nuk mund të dorëzohet kollaj ajo seli partie, ku burojnë politika, pasuri, pushtet,etj. Dihet se në çdo rast përballja për postin e kryetarit të PS-së do ishin Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri. Janë të dy të fortë, të dy luftojnë kokë për kokë. Pasi palosi Ben Blushin dhe Koço Kokëdhimën, të dy që mund të ishin kandidatë potencialë për ta zëvëndësuar Edi Ramën, tashmë kryeministri ka menduar se më mirë ta pikëtojë edhe në publik zëvëndësin e tij. Por Saimir Tahiri përveç punës në PS kishte dhe një ministri, kishte dokumenta kompremtues për shumë drejtues socialistë që ndikojnë në vendimmarrjen e Kongresin. Kishte dhe dhuntinë për të qenë njësh. Edhe Erion Veliaj ka staturën dhe punën për të qenë lider, por ka mënyrë tjetër pune, krejt ndryshe nga Tahiri.

Më këtë lëvizje, pra me largimin e Saimir Tahirit, Edi Rama ka marrë masat paraprake që Erion Veliaj të jetë kryetari i ri i PS-së, gjithnjë nëse PS-ja humbet zgjedhjet.

Kjo ishte masë paraprake në PS. Edi Rama përsëri e ka në dorë nëse fiton zgjedhjet. Mund të presë kokën e Veliajt dhe të ngjisë këtë të Tahirit.

Por për momentin është Erion Veliaj numri një, pas Edi Ramës. Ndaj Rama për të mos rënë në sy palosi edhe tre ministra të tjerë kot së koti.

Please follow and like us: