Shpërthen djali i Arta Dades kundër Ramës: Ose ndëshko Berishën, ose ik ti!
Djali i deputetes se Partise Socialiste, Arta Dade, Alban Dabulla i ka dërguar sot një letër të hapur kryeministrit Rama ku kërkon ndëshkimin e Berishës. Në letrën e botuar në Dita, ai thotë se ka ardhur koha që ose të ndëshkohet Berisha, ose Rama të ikë. Më poshtë letra e plotë:
Nga Alban Dabulla
Z.Rama! Rreth 4 vjet pas ardhjes tuaj në pushtet, të gjithë ata që duke qenë aty përpara jush bënë një batërdi të vërtetë mbi Shqipërinë – e vranë atë në rrugë si një qen, e çorrën atë deri në palcë, e rropën atë deri në deje – sot kërcejnë e këndojnë në një çadër në Bulevardin e Tiranës duke thënë buzagaz: “Këtu jemi, ejani e na kapni”. Loja e kungulleshkave që i ka kushtuar shumë Shqipërisë e që ka një çerek shekulli që po luhet, vazhdoi të luhet edhe nga ju. Ata që nuk e dinë janë të verbër dhe të shurdhër, ata që e dinë janë të gjithë njerëzit normalë.
Kur në 1997, Berisha iku i përzënë nga pushteti, në mitin e tij që ende nuk ishte shembur plotësisht, kishte një dritëhije, e cila, me gjithë ç’kishte ndodhur , fshihej pas hamendjes se “ai është i ndershëm”. Kjo legjendë, e ngritur si një alibi për të ardhmen, e mbajti atë në politikë, e ktheu në pushtet nga përplasja e së majtës brenda vetes, e bëri edhe një herë, më shumë se më parë, kryeqeverisës. Në 8 vjet e çoi për herë të dytë në rrokopujë gjithë vendin. Atë që kishte mbetur pa u marrë, e mori në tre muajt e dorëzimit të pushtetit; duke shitur çfarë kishte mbetur pa u shitur; duke ndarë çfarë kishte mbetur pa u ndarë, duke dhënë koncesione, dhe, po të kishte pasur edhe pak kohë, do të kishte shitur edhe hidrocentralet e Komanit e të Fierzës.
Tani nuk ekziston më asnjë hamendje: njeriu që erdhi me bluzë të bardhë në politikën shqiptare u korruptua dhe u përgjak për herë të dytë brenda riardhjes në pushtet, pas përgjakjes së madhe të 97-s. E nëse ajo që ndodhi atëkohë u fsheh pas tmerrit të përgjithshëm, kjo e dyta ishte e gjitha e tij; deri në skajet më të fundit u projektua, u ndoq dhe u zbatua nga vetë ai. Mënjanë vjedhjet apo korruptimi, në historinë e re të berishizmit, ato që e bëjnë të domosdoshëm gjykimin e tij, janë vrasjet. Jo ato të “paditurat” e fshehura nën terrin e mjegullës, por ato të hapurat: Gërdeci dhe 21 janari. Gërdeci është çasti i shndërrimit të tij nga gjysmë mizor në një mizori të plotë, njerëzore e politike, kur loja bëhet makabër, kur ndjenjat e njerëzve blihen me thasë mielli, kur vuajtja shfrytëzohet si në lashtësi, dhe, kur më pas, çnjerëzisht mburresh si i ke vrarë, i ke ushqyer e përsëri të kanë votuar.
Asnjëherë egërsia politike e ligësia njerëzore nuk kanë pasur një marramendje të tillë sa në Gërdec, para shpërthimit e sidomos pas tij. Berishët e shndërruan Gërdecin në geto skllevërish. Gërdeci është turpi më i madh i një qeverie, dhe njëkohësisht është krim pa ndëshkim. I tillë mbetet ende sot edhe 21 janari. Në ngjarjet e 21 janarit Berisha duhet gjykuar për organizimin dhe urdhërimin e vrasjeve, për dhunën ndaj protestuesve dhe arrestimet e paligjshme; për përgatitjen dhe vënien në zbatim të një skenari mashtrimi për rrjedhën e ngjarjeve; për akuzën false të grushtit të shtetit, për sulmet ndaj Presidentit të Republikës dhe të tjerëve; për marrjen në mbrojtje të ushtarakëve që bënë krimin; për pengimin e urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm në ndalimin e drejtuesve të Gardës, për fshirjen e provave nga serveri i kryeministrisë, për të dhëna të rreme për makina me armë e çadra pistoletë, etj, etj. Z.Rama! Dilemës nëse duhet të gjykohet e të dënohet Berisha nuk i shpëton dot askush.
I pari, ju dhe pas jush gjithë mazhoranca e votuar nga një popull që kërkon ndëshkimin dhe jo çadra ahengu nga ata që duhet të ishin të ndëshkuarit apo cirqe me emra ministrash nga ata që duhet të ishin ndëshkuesit. Askush tjetër, asnjë vend nuk është dhunuar kaq mizorisht pa ndëshkim, nuk është plaçkitur kaq barbarisht nga një klasë politike e sejmenët e saj, të cilët vazhdojnë të jenë paturpësisht në politikë dhe na rishfaqen ende sot si njerëzit e shpresës; asnjëherë më parë një vend kaq i vogël, nuk ka parë kaq shumë pronarë mbi kokën e tij, të paskrupullt, mizorë dhe zhvatës deri në imtësi. Përdhunuesi dy herë i Shqipërisë duhet gjykuar sepse vetëm përmes këtij akti mund të bëhet katarsisi i shtetit dhe i shtetarëve; vetëm pas këtij gjykimi do të marrë fund vërtet koha e pandëshkueshmërisë. Pandëshkueshmëria është akti i parë i gjykimit.
I dyti është rikthimi i besimit tek njerëzit se asnjë klasë politike nuk është e paprekshme. I treti ka të bëjë me të ardhmen. Ju flisni për gjeneratën tjetër, por një e ardhme nuk mund të ngrihet mbi këtë të shkuar. Kjo e shkuar duhet të bjerë së bashku me mitin e politikanëve që nuk gjykohen, që nuk dënohen, që janë të përjetshëm dhe që të bëjnë gjëmën. Ky akt gjykimi pra, e jo loja e pupacëve me ndryshimet në qeveri është akti real i vijimësisë së qeverisjes tuaj. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë jeni bashkëpunëtor në krim dhe duhet të ikni edhe ju. Shqiptarëve nuk u interesojnë më alibitë pa fund, cic micet me ministra që ikin për një arsye që ndryshon nga ora në orë, zgërdhimat në Facebook, hartimet dhe batutat për çadrën.
Boll më me fjalë, z.Rama. Njerëzit e kanë ditur atë që ti vijon e thua pas 4 vitesh përpara se të vinte 23 qershori që ju solli në pushtet. Ndaj edhe votuan ashtu. Siç e kanë ditur me kohë që nuk ka patur nevojë për “ligje të reja” për të dënuar Sali Berishën dhe të tjerët. Ligjet ekzistuese dalin e teprojnë. Po, njerëzit e kanë ditur. Tani ata presin, presin, presin. Të sfiduar e të tallur nga një çadër krimi në mes të Tiranës dhe nga paqartësia mbi rolin tuaj. A e keni vënë edhe ju një maskë si ata në çadër? Është koha e ndëshkimit, ose koha e largimit. Ose të nxirret Berisha nga ajo çadër dhe të shkojë përpara gjyqit, bashkë me klanin e tij familjar dhe politik për krimet që lidhen me shtetin, njerëzit dhe të ardhmen e vendit, ose ti dhe qeveria na thoni haptas se na keni mashtruar. Dhe ikni! Rrugë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë.