A do ta votojë LSI Fatmir Xhafajn si Ministër të Brendshëm?
Nëse me largimin e Saimir Tahirit Rama thuhet se përmbushi edhe një “dëshirë” Ilir Metës, me emërimin e Fatmir Xhafajt si pasues të tij ai do ta ketë nervozuar jo pak aleatin që publikisht sillet sikur po tenton ta joshë në çdo formë vetëm për të mos e lënë të vetëm në zgjedhjet e 18 qershorit.
Inatet mes Xhafajt dhe Metës datojnë që në vitin 2003. Në atë kohë, kryeministri Fatos Nano do ta propozonte Xhafajn si ministër të Brendshëm. Por grupi i deputetëve të Ilir Metës, që më vonë themeluan LSI-në, e votoi kundër. Duke bashkuar votat me PD që ishte në opozitë, Meta e pengoi Xhafajn të ngjitej në karrigen e një prej ministrive më të rëndësishme.
Këtë inat Xhafaj ia ruan ende. Marrëdhënia mes tyre ka qenë e acaruar prej asaj kohe. Në korrik 2016 ata u përplasën publikisht për reformën në drejtësi.
14 vjet pasi e rrëzoi kandidaturën e tij, Ilir Meta do të jetë sërish në provë. A do ta votojë ai njeriun që i deklaronte sa me bezdi aq edhe me indiferencë para kamerave se kishte 3 vjet që e duronte parrullën e tij “me qetësi e dashuri” dhe i kërkonte të ruante qetësinë pasi dashuria kishte ikur?
Këshilltari i Ilir Metës për marrëdhëniet me Jashtë në Kuvend, Ralf Gjoni paralajmëron përshkallëzim të krizës politike me emërimin e Xhafës. “Një komunist i vjetër si ministri i Brendshëm mund të përshkallëzojë krizën politike”, thotë Gjoni duke publikuar në Tëitter një fotografi të Fatmir Xhafës me dikatorin Enver Hoxha.
Për Metën problem nuk është e shkuara komuniste e Xhafës; as shfaqja e tij krah dikatorit; as qëndrimet e këshilltarëve dhe as parrulla e famshme për qetësinë dhe dashurinë, sepse ajo është fasada e kalkulimeve politike deri në imtësi. Slogani i ri i Metë është “një shans për të gjithë”, por Xhafaj e ka provuar një herë shansin me Metën.