Albspirit

Media/News/Publishing

Top Channel: Lindita Nikolla dhe Ditmir Bushati ishin për t’u shkarkuar!

Dy ministra të tjerë mund të ishin shkarkuar, sipas asaj që raporton Top Channel. Kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet se do të ketë shkarkime të tjera, por pa përmendur emra në mbledhjen e sotme të kryesisë. Këto dy emra janë Lindita Nikolla dhe Ditmir Bushati, sipas Top Channel që jep edhe arsyet se përse nuk u prekën nga ndryshimet në qeveri.

“Top Channel mësoi se në mbledhjen e kryesisë është folur edhe për të paktën dy ministra të tjerë që kanë qenë në listën e kryeministrit Edi Rama për t’u larguar. Burime nga mbledhja thane për Top Channel se dy ministrat janë Ditmir Bushati dhe Lindita Nikolla. Por, Edi Rama ka shpjeguar arsyet përse këta të dy nuk u zëvendësuan. Ministri i Jashtëm nuk u largua për shkak të Samitit të NATO-s në maj dhe Samitit të Triestes së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa ministrja e Arsimit për shkak të procesit të Maturës Shtetërore, i cili sapo ka nisur dhe largimi i ministres së Arsimit mund të sillte komplikacione. Megjithatë, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar dy ministrave, Bushati dhe Nikolla, të dy drejtues qarqesh, njëri në Shkodër dhe tjetra në Lezhë, të punojnë me të njëjtin kapacitet në zonat e tyre, si 4 ministrat e larguar. 

Për të treguar rëndësinë që ka për Partinë Socialiste kjo fushatë elektorale, me apo pa opozitën në zgjedhje, mësohet se kryeministri është shprehur në mbledhjen e kryesisë që “çadra le të merret me 18 shkurtin, ne do të merremi me 18 qershorin”.

Burime në mbledhje thanë për Top Channel se kryeministri ka përdorur një fjali të çuditshme, kur ka komentuar protestën e opozitës. Sipas tij, “çadrën e opozitën e duan ngrehur edhe disa të huaj jashtë vendit që nuk radhiten ndër miqtë më të mirë të Shqipërisë”.

Please follow and like us: