Xhafa i preferuari i ndërkombëtarëve apo garancia e Ramës kundër Metës?
Mes katër emrave të propozuar për të zëvendësuar emrat e ministrave të larguar nga kryeministri, ai I Fatmir Xhafës ka tërhequr më shumë vëmendjen. Dhe në fakt këtë e ka bërë vetë mazhoranca, konkretisht PS-ja me mjetet e veta mediatike, duke dashur të sqarojë se atuja kryesore e Xhafës detyrën e re është mbështetja ndërkombëtare. Madje preferenca e tyre për të për rolin që ai presupozohet se pati në reformën në drejtësi. Si provë për këtë “preferencë” sillet mbështetja e Romana Vlahutin, ambasadorja e BE-së në Tiranë, e cila është ekspozuar tanimë për njëanshmërinë e vet dhe përfshirjen në lojërat politike të ditës. Ky nuk është vështrim ekstrem opozitar, por realitet. Gjithsesi kujdesi që vjen nga mazhoranca për të mbrojtur një politikan si Xhafa, tradhëton në fakt një shqetësim që lidhet me imazhin, por edhe me pasigurinë që emri I deputetit përcjell në dritën e kërkesës së PD-së për zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo kërkesë është formale, pasi personi që luan zakonisht me sulmin personal dhe me akuza nga më të rëndat, Sali Berisha, është djegur tashmë prej kohësh në këtë lojë.
Sot Berisha rihodhi në qarkullim akuzën e njohur të përfshirjes së vëllait të Xhafës në trafik droge, e cila daton qysh në vitin 2004, kur Xhafa, askohe nanoist, mbante rolin e ministrit të Drejtësisë. Në fakt siç ndodh rëndom me akuzat e Berishës, ato treten dhe harrohen, po aq shpejt sa edhe artikulohen. Gjithësesi, PD-ja po dëshmon se aktualisht krijon ndikim në mjete mediatike jashtë vendit, sa për të rihapur një lojë stresuese në këtë drejtim.
Këtu çështja që kërkon më shumë vëmendje është se përse Edi Rama zgjodhi në krye të ministrisë më të rëndësishme të qeverisë së tij, një njeri që nuk përfaqëson Rilindjen, pse është shumë i vjetër, por as edhe njihet për menaxher i zoti, ndonëse ka nisur rrugëtimin e tij me detyrën e sekretarit të Përgjithshëm në Kryeministri, post i cili siç shohim me sekretarin e sotshëm, të jep shumë hapësira. CV-ja e varfër e Xhafës ndihmon në këtë drejtim: ai është një njeri i kulisave në parti. Me origjinë nga Vlora, lidhje familjare me të majtën e Enver Hoxhës, ministri aktual forcoi pozitat në zonën e Pogradecit, prej nga ka bashkëshorten e ku ka kandiduar disa herë rresht. Nëse i besojmë Berishës së vitit 2004, Pogradeci i asaj kohe ishte de facto një çiflig i këtij deputeti i cili arriti kulmin e vet me detyrën e ministrit të Brendshëm. Ishte ndër të parët që braktisi anijen e mbytur të Fatos Nanos, të cilin e kishte mbështetur pa rezerva në vitin 2002-2003 përballë Ilir Metës, për të konsoliduar miqësinë politike me Gramoz Ruçin gjatë kohës së ngritjes së Edi Ramës. Madje në Kongresin e parë ku Rama u zgjodh kryetar, Xhafa ishte ndër njerëzit e rrethit të ngushtë të Ramës, të prekur të gjithë nga pasiguria e lëvizjeve të Nanos që çuan deri në dorëheqjen e Gramoz Ruçit nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm.
Është për t’u shënuar që Fatmir Xhafa nuk ka patur asnjë detyrë partiake, apo ekzekutive që t’i përgjigjet ambicive të tij. Ai luajti disa herë për detyrën e sekretarit Organizativ në PS, por dështoi në votim. Një mesazh ky i qartë për afeksionin e bazës ndaj deputetit. Një rol me rëndësi luajti ai gjatë reformës zgjedhore të pas vitit 2005, duke kontrabanduar ndër të tjera në media, lajmin se “sistemin proporcional rajonal” e kanë kërkuar, pse jo urdhëruar ndërkombëtarët. Është po e njëjta fabul që na shërbehet sot duke na thënë se Xhafën e duan miqtë e Shqipërisë, ndonëse ndër vite as socialistët nuk e kanë dashur aq shumë. Kujtojmë këtu se sistemi elektoral në fjalë ishte instrument likujdues për një parti si LSI-ja dhe ndoshta roli kryesor i Xhafës si i zgjedhur në këtë moment është pikërisht garancia se ai nuk shantazhohet dot nga Ilir Meta. Nëse shohim rokadën e bërë në këtë ministri, në fakt shohim një ministër si Sajmir Tahiri, i akuzuar për shumëçka dhe në një duel të hapur me njerëzit e Ilir Metës. Në një marrëdhënie të tensionuar për 4 vite rresht në vëmendje vijnë mgjarje të tilla si largimi i Haki Çakos, Artan Didit, pajisja përgjuese, përgjimi në zyrën e Tahirit, zgjedhjet problematike në Vorë e deri te çështja delikate Balili. Sado që përpiqet mazhoranca që ta mbrojë, ky i fundit kishte arritur në pikën më të lartë të ekspozimit, sidomos me faktin se kanabizimi i Shqipërisë po shihej si politikë e nëndheshme për të blerë zgjedhjet. Opozita nuk ka shumë fuqi në këtë drejtim; nëse ajo ka bërë ndonjë lojë, këtë e ka patur të mundur përmes organit të akuzës që administrohet si ent privat nga Ilir Meta. Dhe rastet për këtë nuk kanë munguar, siç nuk po mungojnë akoma. Edhe në raport me organin e akuzës, Xhafa përfaqëson të “kundërtën” e synimeve të Llallës I cili gjatë diskutimeve për reformën në drejtësi hodhi në tryezë modelin kroat. Diçka që nuk eci, pasi Xhafa e pas tij ekspertët e huazuar nga shoqëria civile kërkuan të bënin po atë sallatë që bënë me Kushtetutën e vitit 2008. Për rrjedhojë I vetmi atribut politik real që përçon sot ky politikan në detyrën e ministrit është garancia përkundrejt infrastrukturës shantazhuese të Ilir Metës. A do t’ia dalë? Kjo mbetet për t’u parë, por kujtojmë këtu se Xhafa tregoi dobësi në një rast në dukje banal, kur ish-drejtoresha e AMLF-së, e provokoi, sfidoi dhe talli hapur në një mbledhje të Komisionit të Ligjeve që ai drejtonte. Me gjasë ishte një moment nxitimi nga ish-drejtoresha, që Xhafa e menaxhoi me tërheqje./Respublica/