Albspirit

Media/News/Publishing

Zabo Martin viziton Tiranën: Shqipëria vendi i poetëve

Poetja dhe kompozitorja franceze, Zabo Martin, ka ardhur në Tiranë për një spektakël që do të çelë pranverën frankofone të këtij viti. E tërhequr nga talenti i poetëve shqiptarë, këtë të hënë në konferencën për mediat, poetja franceze deklaroi se Shqipëria është vendi i poetëve.

“Jam e gëzuar që jam në vendin tuaj, në këtë vend të poezisë. Unë kam qenë edhe dy vjet më parë në Shqipëri dhe jam takuar me artistë e poetë. Më kanë bërë përshtypje të veçanta poetët Luljeta Lleshanaku, Parid Teferiç, Agron Tufa, Edmond Tupja e të tjerë. Dhe unë këtë herë kam ardhur për të organizuar një spektakël me ato që pikërisht këta poetë kanë shkruar, që titullohet “Mbrëmje me stuhi”, u shpreh Zabo Martin.

Zabo Martin ka shprehur më tej keqardhjen që jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Francë jeta intensive ka bërë që poezia, ndryshe nga proza të lihet në hije.

“Tek poetët shqiptarë kamë vënë re një humanitet të rrallë. Ne në Francë i kemi harruar kontaktet e drejtpërdrejta me poezinë, sepse jeta është intensive dhe e ngarkuar. Por kontaktet e drejtpërdrejta i gjeta këtu në Shqipëri… Dhe më pëlqen ta theksoj këtë se poezia gjendet në rrugët e largëta dhe të harruara”, u shpreh ajo.

Pranvera frankofone do të ketë edhe të tjera surpriza është shprehur për mediat atashehu kulturor i Francës në Shqipëri, Rose Anne Bisiaux, e cila deklaroi edhe vizitën e Matematikanit të shquar francez Cédric Villani më 27 mars.

E veçantë në këtë pranverë të frankofonisë do të jetë edhe dita e gastronomisë franceze, e cila në Shqipëri, do të organizohet përmes një darke nga Eric Duquenne, Shefi i kuzhinës së ish-presidentit Nikolas Sakozy, Pranvera Frankofone ka nisur më 13 mars dhe do të vijojë deri më 28 Mars.

Please follow and like us: