13 vjet nga vdekja e Abaz Ermenjit, rrëfimi i rrallë për britanikët në 1946: Pse e humbëm luftën me komunistët
Erald Kapri
Sot mbushen 13 vite nga ndarja nga jeta e profesor Abaz Ermenjit, një prej protagonistëve të luftës së dytë botërore, eksponent kryesor i Ballit Kombëtar dhe me një rol të vecantë në emigracionin politik kundër diktaturës komuniste. Në fund të vitit 1945 ai emigroi me 18 vetë për në Greqi ku u arrestua nga autoritetet greke dhe qendroi për më shumë se 6 muaj i burgosur në një kamp internimi në Selanik të Greqisë.
I dyshuar si bashkëpunëtor i gjermanëve, Ermenji u mor në pyetje nga oficerët britanike, konkretisht nga Letnant Young, i cili më pas e përcolli këtë dëshmi tek autoritetet më të larta. Ermenji deklaroi se nuk kishte bashkëpunuar me gjermanët dhe se kishte luftuar për lirinë e vendit të tij e më pas ai u la i lirë nga britanikët. Por kjo dëshmi mjaft interesante jep disa detaje mbi mënyrën se vepronin forcat e allit Kombëtar, ngjarjet në Berat, pamundësia e forcave nacionaliste për të rezistuar ndaj komunistëve si dhe mbi aktivitetin politik e ushtarak të vetë Ermenjit.
Pas lufte, ai qendroi edhe për gati një vit në Shqipëri me qëllim për të formuar një parti politike dhe më pas ia doli që të arratites në tetor 1945 për në Greqi. “Gjatë dimrit 1443-1944 Ermenji ishte komplet jashtë çdo mundësie ndihme ç’ka bëri që të humbishte shumë njerëz të cilët ose desertonin, largoheshin për në shtëpi ose shkonin me komunistët. Grupi i tij filloi të shpërbëhet dhe vetëm një grup i vogël njerëzisht qendruan pranë tij”, thuhet në dokumentin britanik mbi rrëfimin e Ermenjit. Ish profesori i historisë dhe letërsisë në Liceun Francez të Korçës, i arsimuar në Paris, Ermenji, pati mjaft peripeci gjatë luftës.
Ai qendroi për gati dy vite i burgosur në Itali nga fashistët, e më pas me kthimin në Shqipëri do të krijojnte një lëvizje të armatosur mjaft të konsiderueshme në zonat e Skraparit dhe Beratit. Në dëshminë e tij, Ermenji flet edhe për përplasjet me komunistët por që fatmirësisht në rastin e tij nuk pati ndonjë përballje të egër ushtarake. “Ai pati mundësi të largohej me Abaz Kupin për në Itali por qendroi në Shqipëri për të formuar grupin Levizja Liberale Demokratike e cila do të vepronte jashtë Frontit Nacional Çlirimtar.
Ai punoi shumë nga dhjetori 1944 e deri në tetor 1945 me qëllimin e krijimit të një partie të fortë opozitare si dhe të luftonte për rikthimin e Shqipërisë në një regjim demokratik. Por persekucioni ishte i fortë nga regjimi komunist dhe opozita konsiderohej një krim politik. Duke parë që nuk kishte asnjë mbështetje financiare vendosi që të largohej nga vendi për të vazhduar luftën nga jashtë kufinjve”, thuhet në dokumentin e britanikëve.
Dokumenti i plotë i rrëfimit të Abaz Ermenjit për britanikët/30 mars 1946
Ai ka lindur në fshatin Ermenj të zonës së Skraparit dhe provincës së Beratit në vitin 1913. Edukimin e parë e mori në Shqipëri ku bëri gjimnazin në Shkodër e më pas studimet e larta në Paris ku studioi për letërsi dhe histori për katër vite. Në vitin 1937 ai u kthye në Shqipëri pas studimeve dhe u thirr në shërbimin ushtarak. Në fillim të vitit 1938 ai u promovua si letnant i dytë në ushtri.
Në tetor të vitit 1938 ai u lirua nga ushtria dhe nisi punën si profesor i letërsisë dhe historisë në Liceun Francez të Korçës. Në prill të vitit 1939 kur filloi pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste ai formoi një grup rezistence me studentët e kolegjit të tij po Shqipëria u pushtua shumë shpejt ndaj ai largua për në Greqi nga ku filloi të punojë për rezistenën kundër fashizmit. Me ardhjen e tij në Greqi qendroi për pak kohë në fshatrat Nestra dhe Revan të provincës Kastoria nga ku u mor nga autoritetet greke për në Florinë ku e mbajtën për 4 muaj.
Atje ai kontaktoi refugjatë të tjerë nga Shqipëria dhe mbajti korenspondencë me shqiptarë në Egjipt, SHBA dhe vende të tjera me qëllimin për krijimin e një organizate jashtë Shqipërisë e cila do të mund të forcohej për të qënë aktive në luftën kundër fashizmit.
Në gusht të vitit, 1939 ai shkoi në Athinë dhe vazhdoi përpjekjen e tij. Gjatë gjithë qendrimin të tij në Greqi ai ka marrë në mënyrë konstante ftesa nga autoritetet italiane për t’u kthyer në Shqipëri me pretendimin se asgjë e pakëndshme nuk kishte për t’i ndodhur.
Me futjen në luftë të Gjermanisë ai mendoi se ditë më të mira do të vinin për lëvizjen e tij me shpresën se Italia do të hynte menjëherë në luftë përkrah Gjermanisë. Por duke realizuar se Italia nuk ishte e gatshme ta bënte këtë shpejt në luftë dhe duke menduar se do të gjente më shumë mundësi për rezistentë nga brenda Shqipërisë ai pranoi ftesën e italianëve dhe u kthye në Shqipëri.
Në tetor të vitit 1939 ai u kthye në Shqipëri dhe ishte aktiv në kontaktimin e njerëzve brenda vendit dhe duke krijuar celula rezistencë në mjaft qytete. Në ditën e Pavarësisë më 28 nëntor ai zhvilloi një demonstratë me karanter kombëtar. Në mënyrë spontane pati demonstrata në shumë zona të vendit.
Në 15 dhjetor 1939 ai u arrestua në Elbasan dhe u burgos. Fillimisht qendroi në burgun e Elbasanit për dy javë dhe u transferua më pas në Bari ku qendroi në burg për 2 muaj. Nga Bari u dërgua për në ishullin e Ventrones ku mbaheshin edhe mjaft autoritete të tjera anti fashiste. Këtu ai mori vesh se ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 5 vite burg në atë ishull. Në gusht të vitit 1941 ai u lirua. Në këtë kohë pushtimi fashist kishte përparuar në gadishullin e Ballkanit dhe qeveria Italia vendosi që të jepte një amnisti të madhe për një numër të madh të burgosurish.
Më 20 gusht u kthye në Shqipëri dhe ngriti rezistencën e tij mjaft aktive dhe të organizuar mirë. Në këtë kohë Rusia kishte hyrë në luftë dhe komunistët kishin futur duar në mjaft prej grupeve të rezistencës. Duke qënë se ishte mjaft i vëzhguar nga Policia Italiane ai vendosi të shkojë në mal ku kishin filluar të krijoheshin mjaft çeta të armatosura. Ai ndihmoi shumë në organizimin dhe në zgjerimin e tyre dhe mori pjesë në mjaft sulme ndaj postave ushtarake italiale.
Gradualisht çetat e tyre fituan goxha forcë dhe u kthyen në një kërcënim të vërtetë për autoritetet italiane të cilave po u merrnin armë dhe furnizime siç ndodhi me ato në Greqi dhe Jugosllavi.
Në maj të vitit 1943, Misioni i parë ushtarak britanik shkoi në Shqipëri me Majorin Maclein dhe kapitenin Smajli të cilët erdhën nga Greqia. Ai i shoqëroi ata nga kufiri me Shqipërinë ku ishin edhe grupet e EAM-t grek dhe i prezantoi ata me çetat e komunistëve në Shqipëri të njohura si Fronti Nacional Çlirimtar por edhe me çetat e Frontit Nacional ose të Ballit Kombëtar.
Balli Kombëtar ishte formuar në vitin 1942 nën drejtimin e Mithat Frashrit, një figurë dominuese politike dhe patriotike që kishte nga pas figura të tjera patriotike si Hysni Lepenica, Safet Butka, Skënder Muço, Zef Pali dhe Abaz Ermenji.
Fronti Nacional Çlirimtar u kujdes që në fillim për misionin ushtrak britanik dhe u kujdesën që grupet e tjera të përjashtoheshin nga kontakti me britanikët duke u dhënë përshtytjen atyre se ata ishin të vetme çeta që rezistonin në vend. Majori Maclein dhe grupi i tij u morën për në malet e Leshnjës në zonën e Skraparit ku ai ngriti shtabin e tij në këtë zonë e cila kontrollohej nga çetat e komunistëve. Skrapari, duke qënë zona e lindjes së Ermenjit, dërgoi një grup prej 50 vetësh tek shtabi i Maclean së bashku me një letër për të. Ata arritën tek shtabi i britanikëve pa asnjë incident.
Majori MacLean ishte i kënaqur me këtë letër dhe premtoi se shumë shpejt do e takojë atë. Ata u takuan në fund të muajit maj pranë fshatit të Prrenjasit. Pas këtij takimi, misioni ushtarak britanik filloi të furnizojë njerëzit e Ermenjit me armë dhe municione si dhe instruksione operacionale. Në qershor të vitit 1943 ata u takuan sërish me Majorin Maclein ku i kërkoi atij që të dyja grupet të bashkohen në një front të përbashkët dhe nën një komandë. Por duke njohur intrigat parapake të Frontit Nacional Çlirimtar si dhe faktin që liderët në veri që po bashkëpunonin nuk do e pranonin këtë lloj marrëveshje, Ermenji pranoi një koalicion të tillë por që të kishte bashkëpunim vetëm në fushën ushtarake.
Në fillim të gushtit 1943 Abaz Ermenji po përgatiste një sulm mbi një bazë instalimi nafte në Kuçovë të Beratit. Në këtë kohë pranë tij erdhi Majori Neel i dërguar nga Macleain në mënyrë që të shikonte këtë operacion dhe të informonte për ndihmën që kishte nevojë Ermenji. Pasi Ermenji shpjegoi situatën si dhe planin për sulmin i kërkoi që këtë informacion ta përcillte tek Maclein.
Por disa ditë më vonë ai mori një letër nga Maclein që të shtynte sulmin e tij dhe të kryente një takim të përbashkët me përfaqësuesit komunistë në prani të majorit Neel. Takimi u bë një ditë më pas në fshatin Bogdan natën e 9 dhe 10 gushtit 1943 dhe qëllimi ishte që të diskutohej për këtë sulm dhe një përgatitje së bashku me komunistët.
Por në këtë takim komunistët nisën të diskutonin në lidhje me politikën dhe të ardhmen dhe u munduan që sulmin ta shtyjnë ose ta anulojnë duke parë që kishin shumë pak forca dhe se kreditet e këtij sulmi me rëndësi do ti merrte Balli Kombëtar. Në fund Ermenji humbi durimin dhe deklaroi se do të sulmojë i vetëm.
Ai nisi sulmin mëngjesin tjetër së bashku me 3 mijë njerëz përgjatë gjithë ditës. Por forcat e armikut ishin të shumta dhe qëllimet e sulmit nuk u arritën duke bërë që Ermenji të tërhiqet duke lënë pas 50 vetë të vrarë. Ky aksion u pasua dhe nga një letër e Maclein për të duke e përgëzuar për sulmin dhe trimërinë e njerëzve të tij. Dhe disa ditë më pas në një letër tjerë ai mori premtimin nga majori britanik se më shumë ndihma dhe municion në armë do të vinin për të.
Në gusht të vitit 1943 një takim u mbajt nga përfaqësuesit e Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacional Çlirimtar në Mukje ku u arrit dhe një marrëveshje në lidhje me operacionet ushtarake por edhe për rajonin e Kosovës por që ky rajon ishte vendosur nga komunistët që t’ia linin Jugosllavisë. Gjithsesi ata ranë dakord që t’ia lënë popullsisë të vendosë vetë për fatin e saj me anën e një plebeshiti.
Ermenji nuk ishte në Mukje pasi ishte i zënë me operacionet e veta ushtarake por që kjo marrëveshje u mirëprit me entuziazëm nga populli shqiptar.
Në shtator të 1943 me kapitullimin Italian, grupet e rezistencës, Ermenji dhe komunistët, hynë në Berat. Por gjermanët erdhën më pas duke kërkuar që ata të largohen. Ai thotë se u vendos që të luftohen dhe tu bëhej rezistencë në fshatin e Kousitin. Komunistët nuk bënë asnjë lëvizje. Ata ishin të zënë duke u marrë me vjedhjen e çka kishte ngelur nga garnizoni Italian. Në tetor komunistët e sulmuan duke e detyruar të largohet nag Berati dhe duke e lënë atë në kontrollin e komunistëve. Gjatë evakuimit ai u takua me majorin Maclean dhe kapitenin Smajli duke u shprehur me zhgenjim për të gjithë situatën e ndodhur.
Gjatë këtij takimi Ermenji tregoi edhe një letër të Partisë Komuniste e cila instruktonte të gjithë anëtarët që të luftonin përnjë luftë civile. Ndonëse ata e kërkuan letrën para se të niseshin për në Itali, Ermenji refuzoi që tua jepte atë.
Ermenji qendroi në male dhe tentoi të riorganizojë forcat e tij por ishte gjithnjë nën shqetësimin e gjermanëve dhe komunistëve dhe ai pezulloi përkohësisht operacionet e tij ushtarake. Në nëntor 1943 një front i ri rezistente u krijua nga Abaz Kupi, një oficer i ish Mbretit Zog.
Gjatë dimrit 1443-1944 Ermenji ishte komplet jashtë çdo mundësie ndihme çka bëri që të humbiste shumë njerëz të cilët ose desertonin, largoheshin për në shtëpi ose shkonin me komunistët.
Grupi i tij filloi të shpërbëhet dhe vetëm një grup i vogël njerëzisht qendruan pranë tij. Në maj të vitit 1944 ai u takua me grupin e kapitenit britanik Hand i cili po përgatitej për tu larguar në Itali. Kapiteni Britanik pa që rrugët drejt bregdetit ishin të ruajtura nga forcat e Ermenjit dhe vendosi të qendrojë me të.
Ermenji i shpjegoi situatën e vështirë në të cilën ndodhej për nevojë ushtarake dhe i dha një letër për Maclean. Në këtë kohë Maclain ndodhej jashtë Tiranës me grupin e zogistëve të Abaz Kupit. Ai i kërkoi kapitenit Hands të largohet për në Itali me premtimin se do të kishte ndihmë ushtarake për Ermenjin. Kapiteni u largua në Itali me një letër të Ermenjit që kërkonte që ajo tu dorëzohej autoriteteve më të larta britanike.
Në shtator të vitit 1944 Ermenji u takua me 3 oficerët britanikë Maclean, Smajli dhe Amery dhe u ra dakord që të formohej një grup i përbashkët për të luftuar gjermanët, një përpjekje që kishin nisur prej dy muajsh. Por me tërheqjen e trupave gjermane në nëntor 1944 u tërhoqën për në Itali edhe oficerët britanikë. Gjëtë largimit të Maclean, Ermenji mori shpjegimin se me përfundimin e luftës asnjë grup rezistence nuk do të mbështetej më. Në këto kushte Ermenji i shpërndau njerëzit e tij pasi e pa të panevojshme për të hyrë në një luftë vëllavrasëse dhe civile.
Ai pati mundësi të largohej me Abaz Kupin për në Itali por qendroi në Shqipëri për të formuar grupin Levizja Liberale Demokratike e cila do të vepronte jashtë frontit nacional çlirimtar. Ai punoi shumë nga dhjetori 1944 e deri në tetor 1945 me qëllimin e krijimit të një partie të fortë opozitare si dhe të luftonte për rikhtimin e Shqipërisë në një regjim demokratik. Por persekucioni ishte i fortë nga regjimi komunist dhe opozita konsiderohej një krim politik. Duke parë që nuk kishte asnjë mbështetje financiare vendosi që të largohej nga vendi për të vazhduar luftën nga jashtë kufinjve.
Ai kaloi kufirin me Greqinë në 26 tetor 1945 me 18 mbështetës të tij. Në Greqi ai u arrestua nga autoritetet greke dhe u internua në kampin e Gladstone të Selanikut i cili vazhdon të jetë ende aty.