Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Zheji: Si i hodhi kryeministri nga anija e qeverisë, Tahirin dhe Beqajn?

Është në hall të madh, kryeministri. Anija qeveritare është e shpuar me dhjetëra vrima dhe ka marrë ujë e është fundosur përgjysëm. Por anija pluskon akoma, me shpresën që opozita të mos fillojë ndonjë stuhi popullore dhe të rrijëbrenda Çadrës. Shpresa tjetër është te Meta dhe pikëpyetja: “A do ja heqë apo jo tapën, vrimës më të madhe, të anijes së qeverisë?

Anija qeveritare nuk ka busull dhe nuk ka destinacion, sepse “lideri” është trishtak dhe zymtak ka ca kohë. Nga t’ja mbajë derëziu kryeministër që kujton se i di të gjitha” dhe që mund të bëjë pazar me gjithshka?

Paturpësia publike e skandaleve të këtyre 4 viteve, ka prekur fundin! Një kryebashkiak kapet pa brekë, një tjetër shkarkohet si ish i dënuar, nuk numërohen më sa deputetë bien si kokrat e kalbura të fikut nga pema e shqyer e grupit parlamentar socialist.

Dhe kryeministri krekoset! Fryn gjoksin, përkëdhel kravatën me ngjyra si sallatë ruse dhe u riktehet fjalimeve boshe, të tipit: Do sjellim plehra, për të pastruar Shqipërinë!

Vete shtamba për ujë në burim shumë herë, por njëherë edhe thyhet. Dhe loja e këtij rrumpallëbërësi universal, po mbyllet paraprakisht si cikël.

Anija që po mbytet, hodhi në det Saimir Tahirin, që ka zbatuar kryesisht urdhërat e Ramës, për kanabizimin de facto të Shqipërisë, por jo vetëm. E hodhi, mbasi e shtrydhi dhe ia shkatrroi reputacionin, sidomos te ndërkombëtarët, të cilët, gjykojnë rrejshëm se Tahiri, ia ka hedhur Ramës, por ne e dimë që është e kundërta.

Sigurisht edhe Sajmja e di këtë, se është djalë i zgjuar. Sikur e parandjeja këtë situatë veç 2 muaj më parë te studio e Fevziut, kur bëhej “rankimi” i ministrave të qeverisë dhe nga kamerat e paralajmërova Tahirin për “besnikërinë” e famshme të Ramës.

Anija që po mbytet, hodhi në det edhe Ilir Beqajn. Çfaj ka në fund të fundit edhe Beqja? Të gjithë e dimë se Konçesionet e dhëna, rreth 500 milionë euro, si në përrallat e Ali Babës me 40 hajdutët, nuk i ka dhënë Beqja, por vetëm i ka firmosur Beqja.

Po, ai ka firmosur edhe shumë gjëra edhe për të fortët e politikës së Majtë, që bëjnë miliona euro te ilaçet dhe te rimbursimet e tyre, por me urdhër dhe porosi politike, të kryeshefit sigurisht.

Nuk se po i qajmë hallin, se ka dalë varfanjak nga posti ministror Beqja, “Zot na ruaj!”, por këta të dy më kryesorët e hedhur kokëposhtë nga anija e qeverisjes, Tahiri dhe Beqja, janë demostrimi më i mirë i panikut të Ramës!

Me këtë shkarkim ai u thotë “peshkaqenëve të Prokurorisë” apo shërbimeve mike të ndërkombëtarëve, ja ku i keni këta, mund ti shqyeni, unë skam lidhje, unë i shkarkova!

Dhe Kryeministri paskëtaj kërcënon, shkumëzon dhe fsheh me zor të madh marrëzinë e tij të thellë vetëadhuruese të niveleve të papara.
Por sot ai është lakuriq derëziu, ska tesha që të fshehin hallatet e dështimeve të tija. Sepse kish mbledhur rreth vetes, ose ish ortakë, ose skllevër të bindur, ose krijesa të llumit.

Mirëpo sot, ortakët e kanë marrë fitimin e investimit dhe ja kanë dhënë pjesën, le të themi “partisë” dhe ata hidhen nga anija që mbytet, përpara se sa ti hedhin. Hidhen me torbat dhe thasët plot, në pritje të anijes tjetër qeverisëse. Nga skllevërit, nuk është se pritet që mund të duan skllavëruesin e tyre kryeministër.

Krijesat e llumit, kur mbytet anija, rikthehen për tu maskuar te llumi dhe merren ndërkohë derisa ti thërrasin, me biznes. Dhe kryeministri ngelet vetëm i rrethuar nga këshilltarët e vet më radikalë, me ëndrat e të cilëve ai tallet ditë pas dite.
Situatë tragjiko-komike shqiptare…

Please follow and like us: