Albspirit

Media/News/Publishing

Basha denoncon Fatmir Xhafajn tek ambasadorët

Ende pa u dekretuar si ministër i Brendshëm, opozita ka nisur denoncimin e Fatmir Xhafës tek ndërkombëtarët.

News 24 mëson se në drekën e punës që koalicioni opozitar pati me ambasadorët e 8 prej vendeve të Bashkimit Europian, mes tyre ambasadoren gjermane, denoncoi emërimin e Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, duke e cilësuar atë si një zgjedhje politike, pa ndonjë ndryshim të situatës ku ky dikaster ishte më parë nën drejtimin e Sajmir Tahirit.

Opozita gjithashtu i bëri të ditur diplomatëve të huaj se për ta Fatmir Xhafa është kompromis për të mbrojtur banditët dhe trafikun e drogës.

Por, emërimet e reja në kabinetin e Ramës, nuk ishin e vetmja çështje që u diskutua me ambasadorët.

“Diskutuam për gjendjen politike në vend dhe bashkë me përfaqësuesit e tjerë opozitarë bëmë të qartë vendimin tonë për të mos u tërhequr nga beteja qytetare dhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme deri në realizimin e kushtit të vetëm të opozitës që është një qeveri teknike me vullnet të gjerë politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Bashkëbisedimi ishte shumë i frytshëm, dashamirës, mbështetës për qëllimet europiane dhe europianizuese të qëndresës, të lëvizjes tonë popullore dhe unë, besoj edhe kryetarët e partive të tjera të koalicionit ndahemi dhe nga kjo drekë me shumë optimizëm dhe akoma me më shumë vendosmëri për t’i shkuar deri në fund kauzës sonë”,- deklaroi Basha.

Please follow and like us: