Albspirit

Media/News/Publishing

Kërkoi pavarësinë e “Iliriadës”, Zaev paralajmëron Mesila Dodën

Partia e Zoran Zaev që po tenton të krijojë qeverinë në Maqedoni, duke “joshur” edhe shqiptarët reagon ashpër ndaj deklaratave të deputetes së PDIU-së, Mesila Doda, e cila kërkoi pak ditë më parë pavarësinë e “Iliridës”, nëse, LSDM-ja nuk pranonte propozimet e partive shqiptare.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo parti thuhet se deklarata e deputetes çon në ndarje dhe përçarje, ndërsa shtojnë se ndjehen të provokuar.

“E dënojmë retorikën provokative në deklaratat e deputetes në Parlamentin e Shqipërisë, Mesila Doda, që ka të bëjë me Republikën e Maqedonisë, e cila nuk është në shpirtin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në respektimin e ndërsjelltë mes dy vendeve. Qasje të këtilla shkojnë në dobi, vetëm të atyre që krijojnë ndarje dhe punojnë për rritjen e mosmarrëveshjeve dhe jotolerancës, përkundër vlerave evropiane për të cilat jemi përcaktuar”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.

Por, përveç politikës, edhe mediat maqedonase janë “çmenduar” nga deklarata që Doda bëri nga Dibra, për të cilën shkruajnë se Maqedonia do ta shpallë “non grata”.

“Do të them dy fjalë për një krahinë që më rrinë fortë në zemër, është vendi karshi, Ilirida, krahinë e moçme shqiptare që edhe emrin sot ia kemi harruar. Dikush i thotë Maqedoni, dikush i thotë FYROM, ne i themi Ilirida!”. Ishin këto fjalët që çmendën mediat maqedonase.

24vesti.mk, ka komentuar deklaratën e Dodës, duke e qujtur të rrezikshme për Maqedoninë, në momentin kur Doda thekson se nuk do të ketë Ivanov, Gruevski apo ndonjë tjetër antishqiptar tjetër që do të mund të vazhdojë të punojë kundër shqiptarëve. Por, ajo që e ka çmendur më shumë median dhe rrethet politike të Maqedonisë, është emri Ilirida.

“Për këtë arsye, pritet që Shkupi ta shpallë non grata Mesila Dodën”,- shkruan 24vesti.mk.

Please follow and like us: