Shkrimi i Edith Durhamit për traditat barbare serbe e malazeze: Gjahu për prerjen e kokave në Ballkan
Udhëpërshkruesja dhe shkrimtarja e njohur Edith Durham, në vitin 1923, në revistën “Man” që e botonte Shoqata Mbretërore Antropologjike në Londër (Man, Journal of the Royal Anthropological Society, London), ka shkruar për veprimet barbare të prerjes së kokave që ndodhnin gjatë shekullit XIX në Ballkan.
Prerja e kokave ishte një lloj zakoni ‘normal’, sa që popujt ballkanikë, siç ishin shqiptarët, serbët dhe malazezët, e linin një pjesë të flokëve në kokat e tyre të rruara, në mënyrë që kjo të shërbente për bartjen e tyre kur t’ua prenë.
Në këtë shkrim, që vjen për herë të parë në gjuhën shqipe përmes Telegrafit, Durham dëshmon se malazezët ishin ata që e praktikonin më së shumti këtë akt barbar. Më vonë, gjatë shekullit XX, malazezët armiqve të tyre, të gjallë e të vdekur, ua prisnin hundët.
Këtë artikull te cilin e ka përgatitur dhe përkthyer Daut Dauti, për herë të parë në shqip mund ta lexoni më poshtë:
Gjahu për prerjen e kokave në Ballkan
Gjahu ndaj kokave, që studiohet zakonisht në vendet e largëta, ka lulëzuar në Evropë deri në mesin e shekullit XIX dhe nde nuk është zhdukur tërësisht. Kur kam udhëtuar në Mal të Zi, në fillim të shekullit të tashëm [XX] të gjithë njerëzit e moshuar më tregonin, dhe ende mund të më tregojnë, tregime se si ata apo të afërmit e tyre e bëjnë këtë punë. Kallauzi im u rrëfye, me turp dhe poshtërim, se ai nuk e kishte prerë asnjë kokë të vetme në luftën e vitit 1877, duke u arsyetuar se ka qenë vetëm 17 vjeç. Por, atij i kishin treguar të tjerët, edhe më të rinj se ai, se si e kishin bërë këtë punë më mirë.
Çdo burrë në ditët e hershme ka shkuar në luftë ose në konflikt kufijsh, me qëllim që të merrte sa më shumë koka. ‘Hanxhari’ i shkurtë dhe i rëndë është përdorur për këtë qëllim. Asnjëherë për therje. Eksperti e prenë kokën me një të rënë. Nëse dy malazezë, në të njëjtën kohë, e kanë plagosur të njëjtin njeri, koka në mënyrë ‘ligjore’ i takonte njeriut që kishte shkaktuar gjakderdhjen e parë.
Më kanë treguar për rastet për të cilat ka patur mosmarrëveshje për atë se cili do ta merr kokën dhe për të cilat dihet që pretenduesit rivalë kanë luftuar kundër njeri-tjetrit deri në vdekje. Arsyeja për marrje të kokës ka qenë ‘për të treguar se sa trim je’ dhe ‘për ta poshtëruar armikun’. Ma merr mendja se kjo, po ashtu, kishte të bëjë me ndikimin ndaj jetës së ardhshme të armikut.
Nëse kjo mund të parandalohej tërësisht, nuk kam mundur ta mësoj. Më herët është besuar se ka qenë e mundshme, pasi kam dëgjuar tregime rrëqethëse për gratë heroike, të cilat natën, duke u zhagitur, kanë dalë matanë kufirit dhe me rrezik e vështirësi kanë marrë kokat e burrave të tyre me qëllim që t’i varrosnin së bashku me trupat.
Gjakmarrja është dhunë e pakontrolluar në mes të malazezëve, turqve dhe shqiptarëve, dhe për shkak të një koke priten shumë të tilla. Kokat e prera, për tufën e flokëve lidhen në qafë ose në brez të luftëtarit. Një zonjë raguziane [dubrovnikase] më ka rrëfyer dëshminë rrëqethëse të gjyshit të saj dhe tmerrin që ishte krijuar kur rusët i kishin rekrutuar malazezët për të luftuar kundër trupave franceze gjatë luftërave të Napoleonit. Ajo rrëfente dhe për britmat e malazezëve me kokat e prera që rridhnin gjak kur tundeshin nga rripi i belit ose qafa e cila gjë kishte shkaktuar terror në trupat e fuqishme të Napoleonit.
Deri vonë, të gjitha kokat e malazezëve, serbëve dhe shqiptarëve kanë qenë të rruara, por lihej një apo dy tufa flokësh pas kokës. Arsyeja që jepet, në mënyrë popullore për këtë zakon, është se për ta bartur kokën e rruar tërësisht, bëhet vetëm nëse ia futni gishtin në gojë. Nëse jeni i krishterë nuk dëshironi ta lejoni gishtin e myslimanit në gojën tuaj. As myslimanit nuk i pëlqen gishti i papastër i të krishterit në gojën e tij. Prandaj, në kokë është lënë një vegë. Arsyeja është e çuditshme, por tregimi ka për interes që të bëhet me dije se një numër i madh i njerëzve e kanë bërë zakon idenë e bartjes së kokës së rruar.
Baladat mesjetare serbe ofrojnë plot shembuj të prerjes së kokave dhe tregojnë kryesisht për vrasjen e prijësve. Për ta kuptuar tërësisht prerjen e kokave të kohës së sotme, duhet t’i referohemi baladës së Vojvodës së Madh Mirko – i cili ishte babai i mbretit të fundit të Malit të Zi – që jep detaje precize.
Kështu, në ‘Vrasjen e Qylek beut’ në vitin 1852, pas luftës, ata i ‘numëruan 300 koka të turqve. Në mesin e tyre edhe kokën e Qylek beut… Shkuan serbët duke kënduar dhe duke i bartur turbanët turk dhe rrobat vizëlluese së bashku me kokat e turqve të ngulura në hunj , përfshirë edhe atë të Qylek beut’.
Në luftën e Drobnjakut më 1855, kur turqit ikën nga kulla që po digjej, të rinjtë malazezë i kapën dhe ua prenë kokat secilit. Dhe, hej, vini re tre Mlladiqët duke bartur koka të turqve të vdekur… dhe, ata i thanë Serdar Bogdanit të kufirit, ‘ja o Serdar, 50 koka turke i kemi prerë dhe ua kemi marrë tërë rrobat që kishin’.
Në ‘Vrasja e Beqko Agimaniqit’, për t’u hakmarrë për një malazez, 12 turq u vranë. ‘Pastaj, me rrobat, armët e turqve, dhe me kokat e tyre në hunj, ata u kthyen duke marshuar në fshatin Markoviq dhe i vendosën 11 koka para kullës së Serdarit, kurse kokën e Beqkos e bartën deri në Cetinë te kulla mbi manastir, ku deri atëherë ishin vendosur shumë koka turke që ishin shpuar për t’u varur, sikur që do të vareshin edhe më shumë. Dashtë Zoti, koka të pashallarëve, vezirëve, agallarëve dhe bejlerëve… Plaçkë e mirë ishte kjo e Serdar Shqepanit dhe nderim të madh fitoi ai. Zoti i dhashtë jetë të gjatë!’
Sir Gardner Wilkinson, i cili shkoi në Mal të Zi në vitin 1848 si i dërguar i shtetit britanik, butësisht ia tha princ Nikollës (çfarë ishte ai atëherë) se pamja e kaq shumë kokave të tilla në kullën e kryeqytetit ishte e pakëndshme për të dërguarit britanikë. Por, praktika vazhdoi dhe kokat e terura mbaheshin në manastir edhe pas ndalimit të ekzekutimit publik.
Te ‘Hakmarrja e popit Radisav’, ne gjejmë 33 koka që ishin prerë nga një njeri. ‘Ata i prenë 33 koka. Për dreq asnjë nuk e lanë të jetonte… Dhe, ata shkuan në Bjellopavliq, mbi qytetin e përgjakur të Shpuzit [atëherë në posedim otoman] duke i bartur kokat në hunj të cilat i ngulën aty që të tmerroheshin gratë turke [myslimane] të qytetit që mund t’i shihnin dhe që ta dinin se kokat ishin përmendore për popin Radisav. Zoti dashtë që sorrat dhe korbat t’ua gërryejnë kurse dhelprat t’ua shqyejnë kokat’.
Këto ishin përleshjet e kufijve. Punë më serioze ishte bërë në Kollashin në vitin 1858. Këtu janë prerë 1000 koka. ‘Unë kam qenë në malin Kum dhe e kam parë vetë’, ka shkruar poeti me mburrje. Në ‘Vrasja e Selim Pashës’ në vitin 1862, janë prerë 1600 koka, përfshirë edhe atë të pashës dhe dy djemve të tij, kokat e të cilëve u bartën në mënyrë triumfale.
Në luftën e Nikshiqit, gjatë të njëjtit vit, shënimi ishte 3700. Vlen të përmendet se një hise e plaçkës, që ishin disa shpata të mira dhe disa kuaj, ia sollën princit (më vonë Mbret i Malit të Zi) pas gjithë kësaj pune të madhe. Se kokat ishin prerë nga trupat e vdekur dhe nga të plagosurit, shihet edhe në ‘Lufta për Martiniqin’ e vitit 1862: ‘Deri në kohën kur i zmbrapsën turqit në Shpuz, i kishin prerë 600 koka dhe i kishin plagosur për vdekje 1000 veta, të cilët turqit i bartën nga aty në mënyrë që serbët të mos ua prisnin kokat edhe atyre’.
Për kokat e fundit të prera, që kam dëgjuar unë, kanë qenë ato të tre malazezëve në luftën e kufirit pak para se të fillonte Lufta e Parë Ballkanike në gusht të vitit 1912. Fola me njërin nga nipërit e atyre që i ishte prerë koka. Ai këtë punë e mori me qetësi dhe dukej se mendonte që kjo gjë mund t’i ndodhte secilit që ka dajë.
Gjatë luftës që pasoi, prerjes së kokës ia zuri vendin preja e hundës që vazhdoi të ndodhte me të madhe. I kam parë nëntë viktima të këtilla. Ashti hundor prehej në tërësi dhe hiqej së bashku me pjesën e epërme të buzës. Trofeu bartej i kapur për mustaqe. Duhet thënë të vërtetën për turqit se unë nuk kam parë e as nuk kam dëgjuar që ata ta kenë gjymtuar ndonjë malazez. Ka qenë praktikë për malazezët që të silleshin nëpër fushëbetejë për të prerë hunda dhe në disa raste, për të kastruar të plagosurit të cilët zakonisht vdisnin nga tronditja dhe gjakderdhja.
Dëshira për trofe ka qenë aq e madhe sa që malazezët e plagosur, të cilëve nuk u punonin duart, nganjëherë ua këputnin hundët armikut duke i kafshuar me dhëmbë. Një xhandar malazez më ka treguar se në luftën e vitit 1877 kishte bërë orvatje të mëdha për këtë punë, por e kishte humbur vetëdijen. Duke u shëruar në një spital fushor rus, ishte gëzuar shumë kur e kishte gjet një hundë në xhepin e pasmë të pantallonave pasi që aty ia kishte futur një shok i tij i cili e kishte prerë për te.
Unë njëherë e kam ndalur një rrahje të tmerrshme rrugës në mes Kotorrit dhe Njegushit. Njëri i kishte ngulur fort dhëmbët e tij në hundën e tjetrit dhe e tërhiqte sikur të ishte bulldog, kurse gjaku rridhte pa nda nga njëra palë e mustaqeve të gjata të armikut të tij.
Nëse i kthehemi koleksionit më të mirë të baladave malazeze ‘Ogledalo Srpsko’ (Pasqyrë serbe), gjejmë më shumë shembuj të nxjerrjes së zemrës dhe konfirmime të mëtejme të faktit se kokat e të vdekurve janë bartur nga fituesit triumfues. Kështu, në ‘Vrasja e Beqir Agë Bushatliut’ shohim ‘krajqnicët, ata sokolat e përhimët, që lëshohen poshtë mbiu turqit dhe i prenë 50 koka… Ata pastaj kthehen në shtëpi të ngarkuar me koka turqish dhe me shumë armë turke… dhe ata i qojnë kokat në Cetinë dhe e stolisin Cetinën me to’.
Kjo ka qenë në vitin 1839. Në rastin e pashallarëve të mëdhenj më kanë thënë se nganjëherë ka qenë zakon që t’ua kripin kokat në mënyrë që ato të mos prishen për një kohë të gjatë.
Mund t’i shumëzoj këto raste, por kam sjellë mjaft sa për të parë zellin me të cilin është bërë gjahu i prerjes së kokave në Evropë e cila gjendet pesë ditë larg nga Londra dhe se kjo gjë ka ndodhur gjatë kohës kur kemi jetuar shumë prej nesh”.