Albspirit

Media/News/Publishing

Spiralja e vdekjes së Turqisë

Nga Andrew Wachtel

(Rektor i Universitetit Amerikan të Azisë Qendrore)

Seria e sulmeve terroriste që kanë goditur Turqinë gjatë vitit të fundit po e çojnë vendin – që më parë shihej si një model demokracie e sekularizmi për Lindjen e Mesme – në një spirale vdekjeje pikërisht në çastin kur qytetarët turq përgatiten të votojnë për një kushtetutë të  re muajin e ardhshëm. Turizmi –  që përbënte më shumë se 10% të GDP së Turqisë – po venitet, dhe investimet e huaja parashikohet të ngadalësohen në mënyrë të ndjeshme. Elementë të tillë do të përforcojnë pashmangshmërisht njëra-tjetrën, duke i dhënë jetë kësisoj një qerthulli vicioz të vështirë për t’u ndaluar.

Mediat e kontrolluara nga shteti dhe pjesë të gjera të popullsisë, shohin në këtë shpërbërje të vendit, dorën ogurzezë të Perëndimit. Shpeshherë vëzhguesit i gjejnë arsyet e sikletit të madh që po kalon Turqia, në paaftësinë e saj për të ndërthurur Islamizmin tradicional me prirjet moderne perëndimore dhe në rrafshin e jashtëm, në konfliktin sirian. Por në brishtësinë e Turqisë ndaj terrorizmit kanë ndikuar dhe vendimet e marra nga presidenti Rexhep Tayyip Erdoğan.

I pari prej këtyre vendimeve të marra nga Erdogani, i motivuar nga dëshira e tij për të shpejtuar rënien e regjimit të Presidentit sirian Bashar al-Assad, ishte lejimi i luftëtarëve, përfshi këtu dhe rekrutët e ISIS, të kalonin pa problem kufirin jugor me Sirinë. Presidenti turk nuk kuptoi deri në fund rrezikun që këta trupa përbënin për sigurinë e vetë Turqisë, aq më tepër që shumica e tyre u bashkuan me grupe islamiste që janë armiq të Turqisë po aq sa ç’janë armiq të Assadit.

Vendimi i dytë tragjik i Erdoganit ishte rinisja e luftës civile me popullsinë kurde të Turqisë. Në fillim të mandatit të tij presidencial, Erdogani ia kish arritur t’u shtrinte dorën kurdëve duke ndaluar njëfarësoj armiqësinë.

Por në qershorin e 2015, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit humbi shumicën në parlament duke e shtyrë presidentin drejt rindezjes së konfliktit me rebelët e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK). Kjo lëvizje i lejoi AKP-së të rifitonte shumicën në parlament por haraçi për t’u paguar ishte rihapja e asaj kutie të Pandorës që është lufta civile.

Pavarësisht këtyre dy vendimeve, do të kishte qenë e mundur për forcat turke të sigurisë kombëtare ta mbronin vendin nga sulmet, si të terroristëve kurdë ashtu dhe atyre të ISIS. Kjo mundësi u hodh në koshin e plehrave nga një vendim i tretë. Erdogani zgjodhi të prishte marrëdhëniet me klerikun e mërguar Fethullah Gülen, ithtarët e rëndësishem të së cilit – e ashtuquajtura Levizja Hizmet – ishin për shumë vjet, mbështetësit më të rëndësishëm të Erdoganit.  

Në harkun kohor të pothuaj gjashtë viteve Gülenistët, e ndihmuan Erdoganin të spastronte rradhët e administratës publike (në mënyrë të veçantë të ushtrisë e të policisë) nga elemenë besnikë të idealeve kombëtare e laike që i kundërviheshin doktrinës së tij të një Islamizmi ‘të butë’. Por në 2013, paranoja se Gülenistët po e tradhtonin e bëri presidentin turk t’u vërsulej atyre.

Puçi jetëshkurtër i korrikut të vitit të kaluar, bëri që një Erdogan hakmarrës të ndërmerrte spastrimin më të madh të forcave ushtarake e të sigurisë kombëtare. Pavarësisht se është e natyrshme që një qeveri të dënojë ata që janë përpjekur ta përmbysin, Erdogani i çoi gjërat në ekstrem duke përndjekur të gjithë ata që mund të kishin qoftë dhe lidhjen më të vogël me Gülenin. Kësisoj kapacitetet policore e ushtarake të Turqisë u dobësuan dukshëm. Në çastin kur kërcënimet nga grupet kurde e islamiste po përshkallëzoheshin, ky spastrim ishte gjëja e fundit për të cilën kishte nevojë Turqia. Ndoshta Erdogani do të kishte bërë mirë të kujtonte Spastrimin e Madh të Ushtrisë së Kuqe të kryer nga Stalini në fund të viteve ’30, që e la Bashkimin Sovjetik të pambrojtur e i hapi rrugën pushtimit gjerman të ’41.

Turqia është sot krejtësisht nën kontrollin politik të një personi të vetëm – dhe krejt e papërgatitur të përballet me sfidat e shumta që i paraqiten. Edhe në rastin më të mirë, Turqia do të dalë tejet e dobësuar, e paaftë të bartë mbi supe rolin e udhëheqësit rajonal që e ka luajtur për më shumë se një shekull. Në rastin më të keq, ekonomia turke do të thërrmohet duke krijuar një valë emigrantësh – përfshi sirianët dhe vetë turqit – drejt Evropës Perëndimore.

Jo të gjithëve u vjen keq për problemet e Turqisë. Presidenti rus Vladimir Putin është patjetër mëse i kënaqur me ngjarjet në Turqi. Në këndveshtrimin botëror të Putin, vendet më të rrezikshme janë demokracitë e qëndrueshme aleate të vendeve perëndimore. Pikërisht ajo çka ishte Turqia njëherë e një kohë: një vend demokratik e relativisht i zhvilluar, një vend anëtar i NATO-s, që kërkonte më çdo kusht të thellonte bashkëpunimin e vet me Perëndimin.

Sot Turqia na shfaqet si një autokraci e dobët ekonomikisht, e dërrmuar nga terrorizmi dhe e paaftë të mbrojë as veteveten lëre pastaj të kontribuojë në përforcimin e pozitave të NATO-s në rajon. Për Putin kjo është një ëndërr që bëhet realitet. (Këto janë lajme të mira dhe për aleatin e Rusisë, Iranin që bën sehir sesi dobësohet rivali i vetëm sunit (jo-arab) në rajon). Nëse kriza turke pjell një vale të re refugjatësh drejt Evropës, duke dobësuar kësisoj më tej Bashkimin Evropian, aq më mirë!

Kjo nuk do të thotë se Putin ka gisht në rënien e Turqisë. As nuk kishte nevojë! Udhëheqës si Erdogani, bëhen natyrshëm pre e modelit të Putin për diktaturat moderne. Ky model bazohet në dizinformimin dhe kapjen e demokracisë me qëllim rritjen e pushtetit individual të udhëheqësit. Putinit i duhet thjesht të frymëzojë të tjerët dhe të ofrojë ndonjë këshillë herë pas here.

Duke lënë mënjanë Turqinë, edhe Presidenti amerikan Donald Trump duket i dashuruar pas Putinit. Koha do të na thotë nëse SHBA – me fuqinë e tyre ekonmike, izolimin gjeografik dhe institucionet e shëndosha – janë më të mbrojtura sesa Turqia nga shembulli i hemuar i Putinit.

Please follow and like us: