Meta i merr Ramës një deputet
Kandidati për deputet Kastriot Piroli, në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës i ka paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dorëheqjen e tij.
Më arsyetimin se mbeten vetëm dy muaj mandat efektiv në parlament, si dhe arsye personale, në letrën drejtuar KQZ dhe Kuvendit të Shqipërisë, Piroli tërhiqet kështu nga mandati deputetit, që i takonte pas largimit të Armando Prengës.
Kastriot Piroli pasonte listën e kandiatëve socialistë në listën e zgjedhjeve të 2013 –ës në Lezhë.
Ai prekej nga ligji i Dekriminalizimit, pasi rezultonte se kishte patur probleme me drejtësinë.
Ndaj tij ka dy vendime të formës së prerë në vitin 2016, për veprën penale “shpërdorim detyre”, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Hipotekës së Kurbinit.
Kastriot Piroli është dënuar me një vit e 6 muaj burg, që i është konvertuar me 18 muaj shërbim prove. Ndërsa herën e dytë është dënuar me 6 muaj burg, të cilin e ka shlyer me periudhën e paraburgimit.
Në të dyja rastet Apeli e ka shpallur fajtor, e për pasojë ai ishte subjekt i ligjit të Dekriminalzimit dhe nuk mund të zinte karrigen e lënë bosh nga Prenga.
Por me largimin e tij në qarkun e Lezhës pritet të ketë lëvizje të shumta.
PS ka listuar 7 emra në këtë qark, dhe ka fituar vetëm dy mandate: Mimi Kodhelin dhe Armando Prengën. Kur Kodheli u bë ministre, dorëzoi mandatin, duke i lënë kështu mundësinë të hynin në parlament gratë pasardhëse në listë. Merjeme Delishi dhe Mirela Neli të dyja nuk pranuan të merrnin mandatin, duke skualifikuar veten e tyre nga lista, e duke bërë deputet të tretin në listë, Arben Ndokën. Por edhe ky u dorëhoq prej akuzave të bëra ndaj tij për problemet e së shkuarës dhe mandati i kaloi Eduard Ndocajt. Emri tjetër, Ndrec Dedaj u bë kryetar i bashkisë Mirditë, duke e ezauruar të gjithë listën e kandidatëve dhe duke lënë vetëm një emër: atë të Kastriot Pirolit.
Por as Piroli nuk mund ta marrë dot për asryet e renditura më lart.
Në këtë rast mandati i kalon LSI-së, dhe për pak kohë, deri në 18 qershor, deputet bëhet Petrit Zef Gjoni.