Ka një pasazh në ekspertizën letrare të Diana Çulit mbi poezitë e Genc Lekës të shkruar në vitet ‘70 që të bën më së shumti përshtypje. Ja se ç’thuhet: “Autori shkruan me një frymë pesimiste, shpreh dëshpërim; kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme…, gjë që tregon se autori ose ka një tronditje të theksuar ideologjike, ose nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm, ndaj kërkon rrugë për të dalë.” Kjo ekspertizë i është përdorur Genc Lekës në gjyq, ku ai, tok me Vilson Blloshmin, u dënua me vdekje.

Por, kuptohet që nuk janë dënuar me vdekje, për shkak të kësaj analize letrare. Kush ka jetuar në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, apo kush ka njohuri mbi atë diktaturë, e di shumë mirë se askush nuk shkonte në litar mbi bazën e kësaj analize letrare, ku dora është rënduar më së shumti në këtë pasazh që sapo citova. Dihet tanimë që prokurorët komunistë e kishin mbushur gotën e akuzës ndaj dy poetëve Leka e Blloshmi, e kështu i bie të themi që, me gjasë, ekspertiza letrare të ketë qenë pika e fundit që e bëri gotën të derdhej (do t’i kthehem kësaj metaforës së gotës që derdhet prej pikës së fundit të ujit, sepse ne të gjithë në këtë botë, shpesh pa e ditur, bëjmë veprime që nuk janë gjë tjetër, veçse kjo pika e fundit që derdh gotën, me fjalë të tjera: që bën gjëmën). Askush nuk është i sigurt mbi rolin që ka luajtur kritika letrare e Çulit në dënimin me vdekje të Blloshmit e Lekës, por unë po e zë se ajo kritikë ka qenë pika e fundit e ujit që ka derdhur gotën.

Sikur të isha në vend të Diana Çulit, do ta kisha bërë një mea culpa që në momentin që do ta merrja vesh se kritika ime letrare ishte shndërruar në hallkën e një procesi kafka-ian, që pati për finale vdekjen e dy vetëve që kishin të njëjtën ëndërr me mua për t’u bërë shkrimtar. Ajo e ka bërë në një farë mënyre, por unë do ta bëja të plotë e të qartë. E do ta shihja këtë si një rast për ta shpjeguar të gjithë atë rrethanë, do shpjegoja pra se ç’ishte ajo kohë e ai regjim për sytë e mi, do rrëfeja se atëbotë unë isha një njëzetë vjeçar i bindur se diktatura komuniste e kreu i saj ishin një shpëtim për vendin, ose nëse nuk ka qenë ky rasti, do shpjegoja se unë atë regjim nuk e doja ose, në një rast të tretë, as që e dija, nëse e doja apo e urreja, apo ku di unë ç’gjendje të tjera të ndërmjetme mund të ketë, por nën shtysa të çuditshme që më vinin prej nga nuk e prisja (edhe këto shtysa do t’i shpjegoja), i dhashë dum punës të shkruaja atë kritikë letrare që më pas qëlloi që ishte ajo pika e fundit e ujit që derdhi gotën, do të shpjegoja situatën time në momentin që unë e mora vesh se Genc Leka ishte dënuar me vdekje në një gjyq, ku ishin përdorur edhe opinionet e mia mbi poezitë e tij etj.

Vini re: Unë supozova sikur të isha në vend të Dianës. Por, po pyes menjëherë (veten më shumë se ju që po më lexoni): Është e vërtetë që do të sillesha në këtë mënyrë? Është e vërtetë që do të bëja një mea culpa? Mjafton në rrethana të tilla, veç disponimi individual për të bërë një mea culpa? Nuk janë kaq të thjeshta këto gjëra. Ti mund të kesh gjetur gjuhën e mirëkuptimit me ndërgjegjen tënde e mund të jesh i gatshëm të dalësh e të kërkosh ndjesën e madhe, por lipset dhe një moral publik i caktuar për ta bërë këtë që ti mendon se do të ndihmonte, jo vetëm ty për të bërë një gjest shëlbimi, por edhe shoqërinë që akte të tilla t’i shtjerë në punë për të gjetur rrënjët e së keqes.

Nëse shoqëria nuk e bart këtë moral të vetin, nëse shoqëria nuk dallohet as për virtyte të tjera që do ta ndihmonin të hynte me këtë rast në një proces vetëshqyrtimi, nëse shoqëria gjeste të tilla as nuk di t’i presë, as nuk di t’i përdorë, përkundrazi mezi pret rastin të presë kokën e falur, atëherë nuk është edhe aq e lehtë të bëhen gjeste të tilla. Të kuptohemi, nuk është se një shoqëri e virtytshme është kusht i mjaftueshëm për të bërë gjeste të tilla. Jo, është thjesht kusht i nevojshëm.

Gjeste të tilla nuk do të ishin të lehta, gjithsesi. Historia e njerëzimit është një magazinë e mbushur me lloj-lloj mallrash, por është një mall që mezi gjendet në të, dhe ky mall është “gjesti i ndjesës publike nga ana e individëve që kanë gabuar”. Ka në historinë e kësaj bote sa të duash njerëz që kanë bërë sakrifica e heroizma të jashtëzakonshme, por njerëz që vënë veten e tyre në bangon e akuzës janë të rrallë. Kjo do të thotë se kjo është një nga gjërat më të vështira për njeriun.

Gati-gati të vjen të mendosh se ky është heroizëm më vete. Dhe nuk është se duhet të besojmë se njerëzve u ka munguar ai urdhri i brendshëm për të bërë një mea culpa. Jo, shpesh ky urdhër i brendshëm njerëzve u lind, por ka qenë frika e moskuptimit apo keqkuptimit të këtij gjesti. Soji i njeriut, me sa duket, nuk i duron dot ata që kërkojnë ndjesë. Kushedi pse? Ndoshta ngaqë gjeste të tilla na nxjerrin zbuluar të gjithëve, na bëjnë të kuptojmë që edhe jeta jonë është e mbushur me veprime që kanë qenë në një rrethanë të caktuar pika e fundit e ujit që ka derdhur gotën. Për të mos thënë se jeta jonë ka shërbyer për të mbushur gotën, mbi të cilën pritet ndonjë pikë që ta derdhë.

Në këtë kuptim, nuk çuditem që Diana Çuli nuk e ka bërë një mea culpa. Çuditem më shumë me ata që i janë sulur asaj me termat “naziste”, “vrasëse” e të tjera, sikur të kenë zbuluar te ajo kuintesencën e ndyrësisë së regjimit. Më vjen t’iu them: Seriozisht e keni? Ky është kuti, me të cilin ju i matni krimet? Nuk mendoni se dhe ju jeni duke derdhur gotën me ca pika uji që shtoni mbi të, ashtu si Diana bëri 40-50 vite më parë? Pastaj, keni menduar ndonjëherë se ç’do të bënit ju sikur në moshën njëzetë vjeçare të ndodheshit në rrethana të ngjashme me ato të Dianës? Nuk dua të relativizoj mbrapshtinë e asaj recense, por unë këmbëngul t’ju pyes, megjithatë: keni menduar ndonjëherë se ç’do të bënit ju sikur në moshën njëzetë vjeçare të ndodheshit në rrethana të ngjashme me ato të Dianës? E di, mund ta keni përgjigjen në majë të gjuhës: “kurrë nuk do ta bënim atë gjë!”.

Dhe unë nuk e përjashtoj këtë gjë. Madje, nuk përjashtoj që t’i thoshit atij hetuesit: “Ik, m’u hiq sysh, se nuk dua t’ia di as për ty, as për partinë tënde; ju jeni kriminelë!”. Nuk kam si e pse ta përjashtoj edhe këtë. Kushedi? Edhe mund ta bënit. Por, po kështu nuk mund të përjashtoj që mund të bënit të njëjtën gjë që ka bërë Diana. Nuk përjashtoj as që atë pasazhin e Dianës ta kishit bërë edhe më të ashpër. Një pjesë e madhe e atyre që kanë dalë “të kulluar” nga ajo kohë, nuk bëjnë keq ta quajnë veten me fat. Regjimit nuk i është dashur që t’i përdorë. Po t’i ishte dashur, me siguri do t’i kishte përdorur. Si rregull kështu ka ndodhur.

Dhe është kjo kohë që po jetojmë “në liri” që ma ka mbushur mendjen se sa të kota janë sulmet moraliste mbi ca njerëz, të cilëve iu ka rrëshqitur këmba gjatë diktaturës. Kam parë në periudhën postkomuniste të kryhen gjëra ku e ku më të tmerrshme se sa recensa e Dianës 40-50 vite më parë, por zërat që janë ngritur kundër kanë qenë trishtueshmërisht të paktë. Dhe kjo do të thotë se dhembja, përdëllimi e fibra jonë humane e morale në përgjithësi, na aktivizohen në mënyrë sezonale. Me fjalë të tjera, në gjithë këtë histori nuk na intereson homazhi për Vilsonin e Gencin, por na intereson Diana Çuli, së cilës duam t’i biem kushedi se për ç’arsye. Ndoshta ngaqë është e lehtë t’i biesh Dianës. E të bësh gjënë e lehtë në vend të gjësë së duhur është një sport shumë popullor në Shqipëri. Të merresh me Dianën, nuk të kushton asgjë. Nuk rrezikon asgjë.

Me sa më sipër, nuk dua të përcjell idenë se çfarë është bërë, është bërë, apo idenë tjetër se ajo ekspertiza e Dianës nuk ishte një big deal. Jo, jo, për mua ka qenë e është një big deal, prandaj shpika në krye një mea culpa mbi një rrethanë hipotetike të ngjashme me atë, në të cilën është ndodhur Diana Çuli. Dua të përcjell një ide tjetër: Të ngresh fushata histerike kundër Dianës, apo Dianave, me idenë se me këtë je duke denoncuar komunizmin, është në rastin më të mirë një vetëgënjim i madh, e në rastin më të keq, është një mënyrë për të mos u marrë kurrë me komunizmin.