Deklarata e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim
14 Mars 2017, një ditë e veçantë për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe për shumë qytetarë të Tiranës e komunitetin e biznesit në zonën e Pazarit të Ri.
Sfida e nisur 5 vite më parë, u kurorëzua sot me inaugurimin e kompleksit të rikonstruktuar të Pazarit të Ri me të gjithë infrastrukturën bashkëkohore.
Në këtë projekt ambicioz, për të cilin shumë ishin skeptik, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka angazhuar 3 milion USD dhe Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare kontribuan me rreth 2.5 milion USD në punimet e rikonstruksionit. Ndërsa investimet private nga bizneset e zonës kanë kaluar shumën 4 milion $ deri tani.
Angazhimi dhe investimi i AADF tek Pazari i Ri do të vazhdojë me krijimin e Zonës për Zhvillimin e Turizmit – TID Tirana, model i zbatuar me sukses nga Fondacioni në disa qytete të Shqipërisë. Fondacioni do të mbështesë bizneset lokale të zonës në krijimin e shoqatës të bizneseve si dhe duke dhënë grante për të përmirësuar bizneset në zonën TID së bashku me shërbimet e duhura të konsulencës për to.