Albspirit

Media/News/Publishing

Dy lëvizjet e mbetura të Ramës për të joshur Metën

 Enton Abilekaj 

Eshtë shumë vonë, Rama nuk mund të shkëputet nga Meta. Thirrja e Baton Haxhiut është e para që i bëhet publikisht, por Rama sapo sakrifikoi Saimir Tahirin që ia përsëriste këtë kërkesë çdo ditë para dhe pas 1 prillit. Ia propozoi edhe ditën e fundit, por atë ditë ishte shumë vonë. Që kur filloi protesta e opozitës, Rama nuk ka alternativë tjetër përveçse të mbajë fort Ilir Metën dhe për këtë është gati të paguajë çdo çmim. Ndryshe Meta bashkohet me kërkesën për qeveri teknike, provon ta arrijë me numrat e opozitës në Kuvend dhe hyn vetëm në zgjedhje. Vetëm ta imagjinojë këtë situatë Rama nuk mundet. PS e papërfshirë në një qeveri teknike që do të përgatisë zgjedhjet. I pasigurtë tek aleancat e tjera. Edhe nëse PDIU do të qëndronte, kjo aleancë do të prodhonte skepticizëm ekstrem tek aleatët perëndimorë. Elektorati socialist do të dekurajohej ndërsa kurajoja do të kalonte tek opozitarët që i bëjnë llogaritë me optimizëm kur mendojnë se LSI mund të dalë vetëm në zgjedhje. Me një situatë të disfavorshme elektorale dhe me një qeveri teknike pa pjesëmarrjen e PS, jo vetën Rama do të kishte frikë. Do të ishte situatë më e pasigurtë se e zgjedhjeve të 2013, kur vendosi të bashkohej me Metën, megjithëse pakënaqësia dhe zemërimi ndaj kundërshtarëve të tij ishte në nivelin më të lartë. Votat e pakënaqësisë atëherë ishin me Ramën, sot janë kundër tij.

Edhe sikur Meta, ashtu si në korrik të vitit të shkuar, të dështonte ta arritjen e kuotës së 71 deputetëve për qeverinë teknike dhe ta linte qeverinë këto 3 muaj deri në 18 qershor, zgjedhje nuk do të kishte. Opozita që ka vendosur të mos hyjë në zgjedhje me qeverinë PS-LSI, aq më pak do të pranonte zgjedhje me qeveri vetëm të PS apo PS-PDIU.

Vetëm më Metën në krahë, duke patur votat e LSI para dhe pas zgjedhjeve, Rama ka zgjidhje edhe për opozitën. Nëse siguron Metën, që e ka tashmë pothuajse të sigurtë, Rama mund ta pranojë edhe kërkesën e Qeverisë Teknike, ashtu sic hyri në zgjedhje pa KQZ në 2013, me sigurinë që i jepte koalicioni. Për më tepër që PD e ka pranuar që në rast se ndodh, Qeveria Teknike do të ketë Kryeministër të propozuar nga PS. Ky variant i jep fund protestës dhe krijon terrenin  për zgjedhje të pranueshme.

Me Metën në krah duket e thjeshtë për Ramën, prandaj nuk është fare cudi që Rama të shtrëngojë fort aleatin e urryer. Sakrifikoi Saimir Tahirin, e mbylli veshin ku përshpërisnin zërat e daljes vetëm në zgjedhje dhe po ecën me shpejtësi drejt plotësimit të kushteve që pranoi në darkën e ngrënë mbi kokat e protestuesve. Kushti i parë u plotësua, tani mbeten 2 të tjerët që mesa duket janë rikthim i termave të 1 Prillit 2013 në marrëveshje. Atëherë u ra dakort për një aleancë 8 – vjecare. Ne 2017 LSI do të merrte Presidencën, me kryetarin apo me ndonjë figurë tjetër. Koalicioni i përkiste të Majtës së Bashkuar. Këtë e artikuloi edhe Manjani ne intervistën e fundit si Ministër i Drejtësisë. Keto dy hapa kanë mbetur që marrëveshja e 1 Prillit të rikthehet në forcë.

Kishin rëne dakort, por rrugës, kur e kuptuan urrejtjen ndaj njëri- tjetrit, morën masat. Rama i vuri syrin presidencës dhe e zgjeroi koalicionin me PDIU që të ishte sa më pak i varur nga Meta. Por protesta e solli që të kthehet prapë tek aleati i urryer, ta joshë edhe një herë sa të kalojë edhe këtë lum. Meta, me marrëveshjen e 1 Prillit në dorë, i kërkon të zhveshë armaturën që mbathi për luftë me LSI, si një klient që i tregon striptistes faturën e paguar, që ta detyrojë të heqë edhe të linjtat dhe të dalë krejt e pambrojtur përpara tij. Sepse Meta dyshon tashmë, që nëse Rama nuk del cullak, fsheh një armë kundër tij.

Pritet me ditë që dy pikat e tjera të marrëveshjes të zbatohen dhe koalicioni të konfirmohet. Qeveria teknike është më e realizueshme pas kësaj. Mbështetësit e Ramës që janë kundër Metës do të duhet të presin pas zgjedhjeve për t’u rivitalizuar. Gjatë zgjedhjeve mund të punojnë kundër në fshehtësi. Deri në shtator mund t’ i mdihmojë të fitojnë vetëm largimi vullnetar i Metës nga koalicioni. Kjo duket e pamundur, të gjithë po marrin plaçkën e kërkuar.

Please follow and like us: