Eliza Hoxha: ZHVESHJA PRISHTINASE
ditar urban……….nga libri im “ Qyteti dhe Dashuria”
Fytyra apo fasada e një objekti për shumëkënd duket të jetë një nga elementet më të rëndësishme dhe kjo, jo vetëm për njerëzit që profesionalisht adresojnë këto problematika dhe zhvillime, por edhe për njerëzit e rëndomtë. Shpeshherë na ka rastisur që dikush të përshkruajë një ndërtesë të bukur dhe impresionuese të një qyteti, duke iu referuar pikërisht fasadës së tij. Kjo na bën të kuptojmë se roli i fasadës së një objekti është përtej veshjes së tij si domosdoshmëri, duke qenë kështu një nga copëzat që e formojnë tërësinë e fytyrës së një qyteti, nëpërmjet të cilave ai reprezentohet në momente të ndryshme, në kohë dhe në hapësirë. Një qasje e tillë do të na reflektonte një mjedis të shumëllojshmërive të shtresuara dhe të bashkëdyzuara ndërmjet të vjetrës dhe të resë, e cila do të jetësonte urbanitetin në kuptimin e plotë të fjalës.
“Prishtina fashion”
Veshja e objektit, apo fasada e tij, si një element që determinon brendësinë e tij dhe e mbron atë nga kushtet e jashtme, në Prishtinë mund të analizohet edhe përballë veshjes së njerëzve në aspektin e funksionit, si element i personalitetit dhe i kontekstit ku ata frekuentojnë apo vendndodhen. Shenjuesit e lëvizshëm (njerëzit) dhe ata statikë (objektet) në panoramën prishtinase sot i përcjell dhe i identifikon fenomeni i zhveshjes. Zhveshja fizike, zhveshja nga vlerat e trashëguara dhe të krijuara ndër vite, zhveshja kulturore, e çka jo tjetër, janë peizazhi aktual social, politik dhe fizik prishtinas. Kjo është moda aktuale e Kryeqendrës së Kosovës, e cila në mohim të çdo vlere të trashëguar qytetarie ndër vite ka humbur rrugën e saj, duke shkuar drejt akulturimit total të saj si mjedis dhe si mendësi kolektive. Në këtë zhveshje kolektive prishtinase theksohet sërish “fasada”, si elementi i vetëm që po e grimon, po e maskon dhe disi po e mbështjell zbrazëtinë dhe varfërinë tonë intelektuale në të gjitha dimensionet e jetës në qytet.
“Grand rainbow”
Gjithçka që aludohej të jetë zhvillim dhe prosperim i viteve ‘70-‘80 në Prishtinë, sot ballafaqohet me procesin e mohimit. Shenjuesit që e shënuan Prishtinën e bërë kryeqytet dikur, në të gjitha panoramat dhe në të gjitha udhëpërshkrimet për të, sot ose nuk janë më, pasi janë djegur a rrënuar, ose janë në procesin e shpërfytyrimit a të zhveshjes për veshjen e radhës. Objekti i Bankës Ekonomike të Kosovës (tani – Qeveria e Kosovës), EXIMKOS-i (tani – ProCredit Bank), hoteli “Iliria”, “Rilindja” (tani – Qeveria e Kosovës) dhe “Grand Hotel Prishtina”, janë vetëm disa nga shumë rastet për t’u përmendur. Të gjitha këto ndryshuan pamje, fytyrë apo veshje, pa pasur fare respekt as për veten e tyre e as për kontekstin apo për rrethinën që i përkasin ata, duke qenë shenjues të memories kolektive të këtij qyteti. Përderisa qytetet e tjera e ushqejnë historinë e tyre duke i ruajtur dhe duke i konservuar objektet që e shënuan atë, duke i përparuar ato me funksione të reja për t’i bërë të përdorshme edhe për nevojat e sotme, ne vazhdimisht i mohojmë ato. Përderisa të tjerët e shikojnë konservimin historik të qyteteve apo të reperëve të kujtesës së tyre kolektive si nevojë psikologjike, ne këto procese i ulim gjithherë në rrafshin sentimental, i cili sërish na çon në mohim… Rasti i “Grand Hotel Prishtina” vetëm sa po dëshmon edhe një herë sa të patakt dhe sa mohues jemi ndaj një ikone që shënonte panoramat kryesore prishtinase… Shkëlqimi i “Grand”-it u venit e u zbeh shumë pas lufte, duke qenë i gjithkujt e i askujt për një kohë të gjatë, deri në privatizimin e tij. Dhe, tash sa kohë, edhe pse i privatizuar, ai nuk u përparua aspak për nga funksioni, nuk u begatua për nga shërbimet dhe për nga oferta e tij 5-yjëshe… Nga një material i qëndrueshëm e natyror (guri onix), i cili e reprezentonte me dinjitet përmbajtjen e tij të brendshme, luksin dhe komoditetin e shërbimeve 5-yjëshe që kishte dikur, sot ai po mbështillet me panelet e aluminit “Trespa”! Për të reflektuar çfarë? Për të shenjuar çfarë? Për të përparuar çfarë? Për t’u identifikuar me çfarë?
Sot të gjithë ende keni mundësi të shikoni dhe të krahasoni se cila veshje i shkon më shumë “Grand”-it: veshja e tij e dikurshme, e pastër dhe vezulluese, apo zhveshja e tij e re, e mërrolur, shumëngjyrëshe. Ju pëlqeu apo jo, asgjë nuk do të mund ta ndryshojë faktin që njerëzit edhe për kohë të gjatë do të orientohen në Prishtinë nëpërmjet tij…
(“Zëri”, 13.09.2010)
Please follow and like us: