Albspirit

Media/News/Publishing

Krasniqi: Nëse nuk ka zgjedhje politike për vettingun, prilli na gjen në krizë të thellë institucionale

 

I ftuar në  “Ora e Intervistës” në RTV Ora News  politologu dhe analisti Afrim Krasniqi është shprehur se nëse nuk gjendet një zgjidhje politike për të miratuar ligjin e vettingut, vendi mund të futet në një krizë të thellë institucionale dhe politike në muajin prill.

Krasniqi: Po i afrohemi ditës së krizës institucionale dhe muaji prill, nëse nuk gjendet një zgjidhje politike do të kthehet në një krizë të madhe institucionale në Shqipëri. Pa ligjin e vettingut nuk do arrijmë të zëvendësojmë anëtarët e dorëhequr të Gjykatës Kushtetuese, janë dy vende bosh. KLD e ka mbaruar funksionin e tij dhe nuk kemi një KLD funksional, nuk kontrollohet më sistemi gjyqësor. E gjithë struktura, KLGJ dhe KLP që janë parashikuar në ligjin e ri të reformës në drejtësi nuk mund të jetësohen sa kohë nuk është bërë ligji i vettingut dhe nuk janë zgjedhur Komisionet përkatëse që do bëjnë përzgjedhjen. Në një efekt domino ne kemi filluar të mbajmë peng njëri-tjetrin dhe në muajin prill ne mund të ndodhemi në një situatë ku gjithë jeta politike është bllokuar dhe ajo institucionale. Presidenti duhet zgjedhur dhe ende nuk kemi një kalendar të lajmëruar nga Parlamenti se kur do fillojë praktika. Parlamenti është bojkotuar nga njëra palë dhe pala tjetër nuk i ka votat të bashkuara, siç u pa dhe sot, për të arritur të bëjë reformë.

Sipas Krasniqit, si opozita dhe mazhoranca nuk kanë konsumuar mjetet politike për të shkuar në fazën finale, dialogun.

Krasniqi: Problemi i madh i kësaj lloj krize është se palët nuk kanë konsumuar ende pozitat pritëse ku janë. Pozita është komode me 86 mandate, dhe opozita është komode sepse arrin të përdorë çadrën për të shprehur idetë e veta dhe mobilizuar strukturën e pakënaqur të shoqërisë. Në këtë këndvështrim palët nuk janë të detyruara ende të shkojnë tek pika finale që është nevoja për dialog. Në momentin që palët konsumojnë mjetet politike dhe afron periudha e dialogut do të duhet të ketë platforma konkrete. Janë një sërë elementësh. Deri në momentin kur ne nuk kemi asnjë platformë nga asnjë nga palët është vështirë të flitet për dialog.

Politologu Krasniqi sqaroi dhe procedurën që parashikon Kushtetuta për dekretimin e Ministrave të rinj nga Presidenti.

Ai tha se Nishani është brenda afateve ligjore, ndërsa vonesat i cilësoi të karakterit burokratik për shkak të angazhimit të Kreut të Shtetit në vizitën e tij në Azerbajxhan.

Krasniqi: Në Kushtetutë është e përcaktuar praktika, që në momentin që kërkesa e Kryeministrit mbërrin në Presidencë, nga ai moment 7 ditë është afati me të cilin Presidenti duhet të dekretojë Ministrat e rinj. Zakonisht Presidentët e përdorin këtë lloj periudhe nëse kemi të bëjmë me një shkelje flagrante ose të ligjit ose Kushtetutës që lidhet me interesat shtetërore. Në rastin konkret është më tepër një procedurë burokratike, për shkak se edhe Presidenti ndodhet për vizitë në Azerbajxhan, kështu që normalisht do të duhej që pas kthimit nga vizita menjëherë të bëjë dekretimin. Është një vullnet politik dhe është vështirë të hysh në cilësinë e kandidatëve për shkak se tre prej tyre janë deputetë, pra njerëz të çertifikuar nga institucionet e sigurisë dhe si të tillë është një praktikë që më shumë mund ta lejojë Presidentin që ta dekretojë që ditën e parë si me Ministrin e Drejtësisë ose ditën e shtatë siç ka bërë me Ministra përpara ose siç po bën në rastin konkret.

Sa i takon verifikimit të CV dhe formularit të dekriminalizimit për Ministrat e rinj, Krasniqi tha se ka pasur një keqkuptim nga media pasi Presidenca nuk është institucioni kompetent mbi këtë çështje.

Krasniqi: Ka një keqkuptim, ka pasur dhe lajme në media sikur Presidenti do të verifikojë CV personale dhe të kaluarën e individëve, në bazë të ligjit këtë e bën KQZ, deklaratat e dekriminalizimit janë bërë në KQZ. Nuk është institucioni i Presidentit që e bën këtë gjë. Presidenti shikon atë që quhen interesa të mëdha publike dhe kombëtare, që në rastin konkret janë të ezauruara për shkak të mandatit. Është në të drejtën e tij, edhe në vitet e kaluara shumica e Presidentëve e kanë bërë këtë gjë. Por nuk ka pasur asnjë rast në historinë e tranzicionit në Shqipëri që mund të refuzosh Ministra, kështu që është i detyruar ti dekretojë dhe është një praktikë që Kushtetuta e ka zgjidhur. Nuk mund të ketë as supriza dhe as vonesa. I vetmi problem që është i interpretueshëm për shkak se ne zakonisht në kabinetet qeveritare ka Ministra, por nuk ka gjithmonë Ministra shumë të rëndësishëm. Shqipëria mund të rrijë dhe një javë pa Ministër Mjedisi ose Ministër Bujqësie, por Shqipëria nuk mund të rrijë asnjë minutë pa Ministër të Brendshëm dhe Ministër të Jashtëm. Ndoshta do të duhej të kishte një negociatë mes Presidentit dhe Kryeministrit për ta kaluar me mirëbesim shumë më përpara. Kjo ndodh kur institucionet komunikojnë jo me letra me njëri-tjetrin por në mënyrë institucionale. Në rastin konkret kam përshtypjen se është komunikuar me letra.

 

Please follow and like us: