BE i kthehet Ballkanit, 6 kryeministrave të rajonit u propozohet treg i përbashkët
Komisionieri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, nuk ka shkuar duarthatë në Sarajevë. Para 6 shteteve të rajonit, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ai ka shpalosur idenë e një tregu të përbashkët për Ballkanin Perëndimor. Qëllimi afatgjatë i kësaj ideje është integrimi brenda tregut të brendshëm të BE-së.
Siç ka thënë Hahn, ky treg 20 milonësh, do të ndihmohet konkretisht gjatë verës në Samitin e Trieshtës ku do të shpallet rritja e buxhetit për ndihmë bizneseve.
“Ne po e propozojmë tregun e përbashkët për Ballkanin Perëndimor. Ambicia jonë është heqja e barrierave dhe krijimi i një hapësire të vetme për zhvillim ekonomik. Kjo do të bëjë të qartë qëllimin afatgjatë për integrimin e Ballkanit Perëndimor brenda tregut të brendshëm të BE-së”, ka thënë Hahn.
Ai ka thënë se kjo iniciativë deri në vitin 2025 mund të krijojë deri në 80 mijë vende pune.
Ai më pas ka dhënë edhe arsyet që BE-ja po i kthen reflektorët drejt Ballkanit.
“Ne po takohemi në një pikë kur disa nga vendet tuaja janë duke kaluar nëpër kriza të tmerrshme, që në disa raste çojnë drejt tensioneve serioze ndëretnike”, ka thënë ai.
Më pas ka përmendur edhe ndikimin rus në rajon.
“Në të njëjtën kohë ne jemi dëshmitarë të një niveli të paprecedentë të involvimit nga Lindja përderisa ende është e paqartë nëse SHBA do të involvohen në këtë rajon”, ka thënë ai.