Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollë Lesi: “Mos e çoni Ramën për lesh, në presh Baton!…”

Nikoll Lesi

Baton Haxhiu është një djalë kosovar që ka marrë nënshtetsi shqiptare. Analist, gazetar dhe drejtues i një media në Kosovë. Realisht njihet si njeri që këshillon Edi Ramën. Së fundmi edhe në Prishtinë i organizoi pritjen, darkën dhe shumë mirë bëri pasi miqtë, edhe në kohë të vështira politike duhen ndihmuar e respektuar. Në këtë pikë Batoni mbetet korrekt si njeri.

Nuk kam asnjë ankesë për Batonin, përkundrazi e shoh me respekt historinë e tij.

Por në një shkrim të botuar sot në disa web-e dhe gazeta me titull “Demokracia e çadrave”, shkrim që nga një web në tjetrin merrte tituj të ndryshëm sipas preferencave të botuesit apo linjave editoriale momentale, Batoni nxit Edi Ramën që të largojë Ilir Metën nga koalicioni dhe të qeverisë pa Ilir Metën (LSI). Bile një togfjalësh helmues si “Iliri «është helmi i socialistëve dhe melhemi i demokratëve ndërkohë që nën kupolë nuk ndodh asgjë», na thotë një diplomat i invovuar në kritë. Me të drejtë, së paku nuk ndodhë asgjë pozitive”-citon Batoni duke futur heshtën brinjë me brinjë, por dihet se më i majtë se Ilir Meta nuk është Edi Rama. Mirë apo keq, Ilir Meta ka dalë nga e majta, punon për të majtën, bile paksa të majtën tradicionale dhe mbetet te e majta si në gen ashtu dhe në përspektivën e afërt. Edi Rama, ndonëse është kryetar i PS-së dhe kryeministër i së majtës, ai nuk ka asnjë lidhje shpirtërore me të majtën socialiste. Aspak. Rama si kryeministër ka bërë disa reforma drastike, të pranueshme, siç edhe ka bërë sallatë shumë të tjera. Ai është Rilindas, siç e thotë mjaft bukur lideri i LIBRA, Ben Blushi. Dhe për më tej Edi Rama ka marrë selinë rozë me një grup rilindasish, që pasi e shpartalloi PS-në, duke larguar ikonat socialiste si filozofin e së majtës Ben Blushi dhe “karlmaksin e PS-së”, Koço Kokëdhimën; tani Edi Rama ka mbetur shah-mat. Edi Rama në thelb mbetet njeri punëtor, pasionant, arrogant. Si me magji janë ndërthurur te ai e majta ekstreme me te djathtën sakatuese. Por ky është ai. Nuk e ndryshojmë dot. Ai ka nevojë për një barazpeshë brenda qeverisë, ndryshe është i pallogaritshëm në vendime e veprime.

E kam thënë në krye të herës, sapo filloi protesta e opozitës në çadër, se Edi Rama ka rastin që nga kryetar i PS-së të kthehej në një Burrë Shteti. Pra as më pak e as me shumë: Të jepte dorëheqjen nga kryeministër në emër të ruajtjes së shtetit dhe bashkë me Ilir Metën hyn në zgjedhje dhe i fiton. Zgjedhje pa opozitën, Baton i nderuar, nuk mund të ketë dhe as do ketë. Këtë e di mjaft mirë ti. E provoi Sali Berisha në maj 1996 dhe shkaktoi luftën civile, sepse iu bashkëngjit edhe rënia e piramidave. Por kryesisht fillimi i rënies së shtetit dhe Berishës ishte se nuk pranoi zgjedhjet me opozitën dhe më pas nuk pranoi të sakrifikonte qeverinë në emër të një marrëveshje të madhe politikë gjithëkombëtare.

Vitin 1996 dhe 1997 e njoh shumë mirë, i nderuar Baton. Siç e njeh edhe Edi Rama që u rrah dhe u godit me 23 janar 1997 nga forcat e SHIK-ut, e njeh edhe Ben Blushi se ishte kryeredaktor i gazetës “Koha Jone” ( një nga kryeredaktorët me të mirë të historisë së gazetës), e njeh dhe Ilir Meta ish-nënkryetar i PS-së, i cili bashkë me Pandeli Majkon ishin ikona e rinisë së PS-së dhe e së ardhmes së socialistëve.

Ndonjë sugjerim për shkrimin tuaj të sotëm, Baton, edhe mund ta bëjmë. Apo nuk lejohet?

E para ky shkrim është i vonuar në kohë. Mund të bëhej dy vite më parë, kur Edi Rama ishte i blinduar, kur edhe mund ta largonte LSI-në, ndonëse nuk dihej përfundimi i sherrit. Tani është shumë vonë. Edi Rama nuk është në ditët e tija më të mira apo kaq i fortë sa “të qeverisë pa Metën”, siç ia sugjeroni. Nuk ka asnjë shans Rama. Edhe këtu është shah-mat, siç mbetet në raport me opozitën e cila nuk futet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Sugjerimi juaj, si me magji, u mor nga kampi i opozitës sot dhe u bë kryelajm shkrimi jot. Pra opozita realisht mezi e pret që Edi Rama të largojë Metën sepse e di përfundimin, ashtu sikurse nxit Ilir Metën të ikë nga Rama dhe t’ia braktisë anijen e pushtetit, duke e lenë në mes të detit 10- ballësh, Edi Ramën.

Nuk është koha për braktisje koalicionesh, sidomos në këto muaj, kur anija është shpuar gjithëandej, kudo. Nuk mbahet “uji i oqeanit” duke vendosur dorën iks ministër mbi vrimat ku fut ujë anija qeveritare, aq me tepër që opozita po i prish direkun me mos futjen e saj në zgjedhje.

Natyrisht që precedenti i tanishëm i çadrës krijon precedentë edhe pas katër vitëve dhe kështu në vijim, por Rama-Meta mund të ngrihen mbi interesat politike përkatëse, mbi pushtetin dhe të ruajnë shtetin nga destabiliteti. Vendosin, bashkërisht, që të hyjnë në zgjedhje si koalicion dhe paralel me këtë vendim krijojnë qeverinë teknike me opozitën, por me një kusht: Dorë për dorë qeveria teknike me votimin e PD-së në Parlament të Vettingut.

Nuk ka zgjidhje tjetër, Baton.

Rama dhe Meta janë të dënuar të futen sëbashku në këtë zgjidhje për zgjedhje. Ndryshe nëse Edi Rama merr aventurën e largimit të LSI, siç ia sugjeroni, e keni çuar Edi Ramën “për lesh, në presh”! Si dikur Tritan Shehun e PD-së, në Lushnjë.

Miqësisht

Nikoll Lesi

Please follow and like us: