Nishani takohet me Ivanov: Shqiptarët janë faktor shtetformues në Maqedoni
Presidenti Nishani është takuar me homologun e tij maqedonas Gjorge Ivanov, gjatë Forumit të pestë Global të Bakusë në Azerbajxhan ku është i pranishëm.
Takimi me presidentin maqedonas vjen në një moment kur kriza politike atje është thellur edhe më shumë, pas refuzimit të Ivanov për dhënien e mandatit liderit të LSDM-së për krijimin e qeverisë.
Nishani shprehu shqetësimin për situatën e përgjithshme politike dhe marrëdhëniet ndëretnike atje, si dhe theksoi tentativat për ta transferuar krizën nga domeni politik në atë etnik, mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë.
Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se, Shqipëria asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe aq më pak të vendeve fqinje. Lidhur me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Presidenti Nishani theksoi se ata janë një faktor shtetformues dhe Shqipëria do t’i mbështesë në kërkesat e tyre legjitime për respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Presidenti Ivanov pati deklaruar se platforma e partive shqiptare rrezikon sovranitetin e Maqedonisë dhe hodhi akuza se kjo platformë është krijuar në Tiranë.
Gjithashtu, Presidenti Nishani u prit edhe nga homologu i tij nga Azerbajxhani, si dhe u takua edhe me Presidentin e Gjeorgjisë.
Në takimin me Presidentin e Azerbajxhanit Aliyev, Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve si dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i çuar më përpara dhe intensifikuar edhe më shumë ato, veçanërisht në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik.