Albspirit

Media/News/Publishing

Pas shkarkimit, Tahiri sulmon Metën

Pak ditë pas shkarkimit nga detyra si ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri ka zhvilluar sot një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Tiranë. Më shumë sesa një takim i zakonshmë, ngjante si një shfaqje e Tahirit kundër LSI-së. Ndonëse nuk e përmendi me emër LSI-në, apo kryetarin e saj Ilir Meta, Tahiri e ka sulmuar indirekt aleatin bashkëqeverisës. “Të respektosh njerëzit e thjeshtë është shumë më e vlefshme se sa të respektosh ekuilibrat e politikës së madhe që në ekuilibër mbajnë vetëm veten në pushtet duke çekuilibruar Shqipërinë”, u shpreh ish-ministri i Brendshëm. Këto deklarata të tij vijnë pak ditë pasi Ilir Meta thotë nëpër takime me strukturat e LSI-së, se partia e tij “ka qenë dhe është shtylla më e fuqishme e demokracisë shqiptare, stabilitetit, ruajtjes së ekuilibrav dhe integrimit të vendit”.

Sulmi indirekt i Tahirit ndaj Ilir Metës vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë po kristalizohen zërat se shkarkimin e ministrit të Brendshëm, e kishte kërkuar me ngulm pikërisht kreu i LSI-së.

“Të respektosh njerëzit e thjeshtë, ia vlen më shumë se sa të respektosh ekuilibrat e politikës së madhe që në ekuilibër mbajnë vetëm veten në pushtet duke çekuilibruar Shqipërinë, që më treguan mua se sa do e madhe gënjeshtrat, llumi dhe akuzat, sado i madh sulmi nga fronti i së keqes, ne kemi sy, kemi mendje, kemi shpirt, kemi zemër për të parë të vërtetën dhe për të punuar; që më treguan mua se sa më e madhe pengesa, aq më e madhe fuqia për të punuar për Tiranën dhe Shqipërinë”, tha Tahiri, teksa i uroi suksese edhe pasardhësit të tij, Fatmir Xhafa.

“Ka shumë nga ata që shqetësohen për çka ndodhur apo për çfarë nuk ka ndodhur më shumë se sa të shqetësohen për çfarë nuk është bërë apo çfarë do të bëhet në një të ardhme që nuk ka ardhur ende, por është shumë afër. Ka shumë nga ata që nuk janë të zotë, por e kanë më kollaj të zhyten në labirintet e politikës së madhe, aty ku errësira e nëntokës është aq e pasur me kulisa, me thashetheme, sa të zhytesh në problemet e vërteta të shqiptarëve duket një mundim aq i tepërt, por që duhet ta bëjë gjithmonë dikush tjetër jo ti vetë. Ka shumë që janë më të lumtur t’i bëjnë fresk oligarkut të radhës, se sa të zgjedhin varfërinë e atyre që jetojnë me racionin e ditës së nesërme. Ka shumë që dëgjojnë zërin që ka arsye forcën, herë forcën e politikës, forcën e xhepit, herë forcën e muskujve, por nuk dëgjojnë arsyet e thjeshta të njerëzve, të atyre që kërkojnë punë dhe dinjitet. Ka shumë prej atyre që dëgjojnë forcën e mediat dhe jo të vërtetat e thjeshta të shqiptarëve”, u shpreh ish-ministri i Brendshëm.

Më tej ai e cilësoi Ramën si kampion të skuadrës dhe tha se ai do të jetë sërish Kryeministër edhe për katër vitet e ardhshme.

Please follow and like us: