Personi më i ndjekur në Instagram nuk e përdor fare këtë rrjet social
Këngëtarja e famshme, Selena Gomez, që është personi më i ndjekur në botë në rrjetin social Instagram, nuk është fanse e madhe e këtij aplikacioni apo edhe e rrjetit social në përgjithësi.
Në një intervistë për “Vogue”, Gomez ka thënë se e ka fshirë aplikacionin nga telefoni dhe madje nuk e di as fjalëkalimin e llogarisë. Të gjitha postimet tani bëhen nga asistenti i saj, transmeton Koha.net.
“Sapo u bëra njeriu më i ndjekur në Instagram, disi u trullosa. U bëra e varur, zgjohesha dhe flija me të. Po shihja gjëra që nuk doja të shihja dhe nuk doja që më të merresha me to. Gjithmonë ndihem keq kur shoh në Instagram”, ka thënë ajo.
Me më shumë se 113 milionë ndjekës, dyfish në krahasim me vitin 2015, fotografitë e Gomezit janë shikuar nga rreth 20 për qind e gjithë përdoruesve të Instagramit. Një fotografi e saj me Coca Cola u bë fotografia më e pëlqyer e vitit me rreth 6.5 milionë pëlqime e 276 mijë komente.