Albspirit

Media/News/Publishing

Protesta duhet ta largojë Ramën për të mos e lejuar të vetëlargohet si hileqar…

 Kastriot Islami 

Rama s’do të jetë më kryeministër, kjo është një ngjarje e sigurtë. Në një nga ditët deri më 10 prill 2017 kjo ngjarje do të ndodhë me siguri. Kjo s’është as fantazi, as thjesht dëshirë, as thjesht analizë e thellë racionale, as teori konspirative. Cështja shtrohet nëse Rama do të vetëlargohet si hileqar për të dalë matanë e kontrolluar apo zhvlerësuar “qeverinë teknike” për të mundësuar, përmes marifetesh, manipulimin e zgjedhjeve dhe realizimin e ëndrrës së rikthimit në pushtet. Apo qytetarët, në protestën e tyre të fundit masive e të fuqishme, intensive por paqësore, dhe plot vendosmëri por demokratike, do ta largojnë përfundimisht e në mënyrë të pakthyeshme Ramën nga pushteti, duke i mbyllur cdo hapsirë për të manipuluar zgjedhjet në funksion të rikthimit në pushtet me të njëjtën klientelë e me të njëjtat metoda. Gjasat janë që të ndodhë opsioni i dytë.

Nëse do të ndodhte opsioni i parë, reagimi qytetar, në rastin e një indikacioni të manipulimit të zgjedhjeve, pra e blerjes qoftë edhe të një vote të vetme apo e kërcënimit të një votuesi do të ishte tmerrsisht i ashpër dhe i paimangjinueshëm; megjithatë të mos merremi me këtë opsion se është pothuajse e sigurtë që do të ndodhë opsioni i dytë, ndonëse Rama po përdor të gjithë arsenalin e tij të marifeteve dhe hileve, për ta zhvendosur procesin në opsionin e parë, duke u përpjekur të mashtrojë/kërcënojë/joshë Metën për të dalë së bashku me të në zgjedhje, duke bërë obstruksionistin maksimal dhe kërcënuar partnerët me destabilitetin e vëndit dhe duke vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat financiarë, për të nxitur  klientelën e huaj e vëndase, të bëjnë presion te opozita të futet në zgjedhje duke e shitur opsionin e vetëlargimit si tolerimin e tij in ekstremis për shkak të interesave të vendit dhe angazhimit në procesin e hapjes së negociatave.

Opozita politike duhet të mbështesë fuqimisht vetëm opsionin e largimit sepse ka detyrimin të mbështesë fuqimisht vullnetin qytetar për largimin pa kthim të Ramës nga pushteti dhe njëkohësisht të denoncojë cdo tentativë të tij për të vënë nën kontroll qeverinë teknike, pët të ruajtur me të gjithë mjetet e mënyrat individët e klientelës së tij, me synim manipulimin e zgjedhjeve.

Opozita politike duhet të vihet në ballë të protestës qytetarë për largimin e pakthyeshëm të Ramës, duke e bërë atë më të fuqishme, më intensive por njëkohësisht edhe duke e ruajtur atë të mbetet paqësore e demokratike e ndërkohë duke marrë masa ndaj cdo tentative provokuese të dhunës dhe veprimeve të panevojshme.  Opozita duhet të nxisë veprimin e ashpër qytetar ndaj cdo tentative për të blerë votën apo kërcënimi për të friksuar votuesin. Qytetarët duhet të udhëhiqen për të eleminuar me forcë cdo manipulim të zgjedhjeve dhe dhënë mesazhin e ndëshkimit të fortë ndaj cdo individi që tenton të manipulojë votën.

Opozita politike duhet ti tregojë dhe shpjegojë qytetarëve të gjithë hilet që përgatitet të përdorë Rama në rastin e një vetëlargimi hileqar. Opozita duhet të përcaktojë qartësisht objektivat dhe detyrat e Qeverisë Teknike-Kujdestare të Zgjedhjeve, mandatin e saj adekuat dhe kriteret që duhet të plotësojnë ministrat e saj për të realizuar të gjithë detyrat që i heqin cdo iluzion Ramës që së bashku me klinetelën e tij, më ish-ministrat e korruptuar, me individët me rekorde kriminale që mund të shfaqen haptas apo të maskuar, me paratë e korrupsionit, krimit e kanabisit, do të mund të fitonin zgjedhjet duke i manipuluar ato. Madje opozita politike ka detyrimin jo thjesht të bëjë transparente veprimet hileqare e marifetet e Ramës por të ndeshet fuqimisht për ti neutralizuar ato.

Opozita politike për ta bërë sa më të suksesshme protestën qytetare për largimin e Ramës ka detyrimin të bëjë publike të gjithë skandalet e qeverisë Rama, sidomos ato që kanë të bëjnë me përkeqësimin e jetës së qytetarëve nga plehrat e rrezikshme si dhe të gjithë veprimet e saj që kanë sjellë papunësinë, varfërinë, mungesën e shërbimit shëndetsor, shtrenjtimin e arsimimit të fëmijve, rrënimin e pensionistëve nga rritja e cmimeve dhe pamundësia për të marrë ilacet, mjerimin e njerzve në nevojë dhe të pamundur…

Opozita politike me shumë modesti e thjeshtësi duhet të bëhet pjesë e protestës qytetare, duke qënë në kontakt të përditshëm me hallet e shqetësimet e qytetarëve, të dëgjojë me durim cfarë i thonë qytetarët, të mësojë pa u lodhur e mërzitur prej saj, të kthejë në objektiva dhe të realizojë me konseguencë kërkesat e saj.

Opozita politike duhet ti shpjegojë me qetësi e durim qytetarëve se sa i dobët është Rama përballë kërkesave të drejta të qytetarëve e vendosmërisë së tyre, sa frikacak është ai përballë fuqisë së protestës qytetare dhe sa shpejt mund të dorëzohet ai përballë vendosmërisë së qytetarëve në protestën e tyre të drejtë. Dhe sa i sigurtë dhe sa i shpejtë është largimi i Ramës. Sa e fuqishme është mbështetja ndërkombëtare për protestën dhe kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Please follow and like us: