Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Pse jo Shqipëria?

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Kisha Ortodokse Bullgare është propozuar për Çmimin Nobel të Paqes 2017 për rolin në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndonëse në këtë periudhë kaq të trazuar të botës, kandidatët për këtë nder do të jenë të shumtë e kryesisht të lidhur me ngjarjet e ditës, nuk është çudi që të nderohen edhe akte nga e kaluara.
Sidomos nëse këto akte nga e kaluara frymëzojnë e inkurajojnë akte të ngjashme në ditët tona.
Nisur nga tema dhe nga mesazhi, Shqipëria të vjen në mend menjëherë. Jo thjesht se është vendi ynë, po se askush nuk e ka rekordin e saj kur vjen puna për shpëtimin e hebrejve gjatë Holokaustit famëkeq.
Shqipëria si shembull bashkëjetese të feve të ndryshme sjell një mesazh shumë m të madh për botën sesa Kisha Bullgare.
Roli i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë është zbuluar shumë vonë. Shumica e shqiptarëve gjithashtu nuk e dinin. Mund të debatojmë sa të duam, nëse regjimi komunist që investoi në diplomacinë publike nuk ia kuptoi vlerën, apo e injoroi, në mos e fshehu me qëllim dashakeqës.
Për shumë dekada Danimarka dhe Bullgaria ishin dy vendet që lavdëroheshin në botë për sfidën që i bënë sistemit shfarosës të regjimit nazist. Me kalimin e kohës, shembulli bullgar u përbalt nga zbulime krimesh që nuk kishin dalë në pah. Shteti bullgar megjithë presionin i ka rezistuar shumë pranimit të fajit, pas kaq vitesh mburrjesh e nderimesh.
Vetëm pas viteve 1990, filloi njohja e rolit të Shqipërisë, ku hebrenjtë mendohet se janë shpëtuar 100%. Ky është vendi i vetëm në Europë, ku në fund të luftës pati më shumë hebrenj se në fillim të saj. Shumë të mbijetuar apo fëmijë të tyre ndodhen sot këtu në SHBA. Roli i shqiptarëve është nderuar e bërë shumë më i njohur.
Përtej ngjarjeve të L2B janë edhe vitet paraardhëse, ku Shqipëria ishte një nga vendet e rralla, ku hebrejve që largoheshin nga Gjermania, Austria, etj u lejohej tranziti për të emigruar në vendet si SHBA. Mbreti Zog u ofroi pajisjen me pasaporta shqiptare për ata që u ishin grisur dokumentet nga regjimi nazist. Thuhet se edhe shkencëtari i madh Albert Ajnshtajn mund të ketë marrë një pasaportë shqiptare për të shkuar drejt Amerikës.
Kam dëgjuar raste për familje në Greqi që u ndanë, duke mos ditur çfarë të bëjnë. Ata që erdhën në Shqipëri shpëtuan, ata që mbetën u shfarosën të tërë. Histori të ngjashme ka edhe mes hebrejve nga Jugosllavia.
Shqipëria tashmë ka marrë shumë vlerësime e nderime për shpëtimin e hebrejve. Në një periudhë kur në gjithë Europën e civilizuar eliminimi i një populli po trajtohej si diçka e pashmangshme, shqiptarët refuzuan. Nuk ishte rezultat i ndonjë referendumi sesa kultura e Besës, instikti i shpëtimit të fqinjit, dhe refuzimi e dyshimi ndaj regjimeve të huaja. Kultura që i shpëtoi ata ishte për fat të keq nga viktimat e diktaturës komuniste dhe ndoshta edhe shpërfytyrimit moral të kohës tonë. Ne duam ta besojmë që shqiptarët edhe sot do të vepronin po njësoj. Po ndërsa ende ngurrojmë të hapim dosjet për një epokë kur bëmë të kundërtën, kur njerëzit spiunuan si në ethe të tmerruar njëri-tjetrin, nderimi i kësaj epoke sjelljeje të jashtëzakonshme është frymëzim për ta marrë shembull.
Është një shembull që duhet ta ndajmë edhe me botën, në një kohë kur dyshimet e mëritë për ata që janë ndryshe nuk kanë qenë kurrë kaq të theksuara. Nuk ka dyshim që ka njerëz që e teprojnë dhe e shfrytëzojnë këtë akt të madh të dikurshëm, po neveria për ta nuk duhet të shkaktojë lënien e aktit në harresë.
Nëse Kisha Bullgare meriton të propozohet për Çmim Nobel atëhere këtë e meriton shumë më tepër Shqipëria, nje vend me myslimanë, ortodoksë e katolikë. Nuk e di nëse ndonjë shtet është nderuar ndonjëherë. Po ka gjithmonë një rast të parë. Nganjëherë thjesht akti i propozimit mjafton për të publikuar aktin.
Ndoshta një grup familjarësh nga ata që i shpëtuan do të ishin përfaqësuesit më të mirë për të folur e për të pretenduar çmimin në emër të Shqipërisë, në vend të qeveritarëve apo politikanëve. Do të ketë mesiguri një mundësi që mund të bëhet propozimi që të jetë i konkurrueshëm. Ndoshta një përfaqësie të të gjitha feve në Shqipëri. Pas Nënë Terezës, shqiptarët do të kishin një rast tjetër për t’u nderuar përpara botës nga skena e famshme në Oslo të Norvegjisë, për një tjetër kontribut me rëndësi për njerëzimin. Në listën e gjatë, të nderimeve me këtë çmim akti shqiptar i 70 e ca viteve më parë do të ishte në shoqëri të merituar.

Please follow and like us: