Albspirit

Media/News/Publishing

Shkrimtari Kim Mehmeti: Nuk dua një Shqipëri atelie për pikturat e Kryeministrit

Shkrimtari shqiptar nga Maqedonia Kim Mehmeti iu bashkua çadrës së opozitës pasditen e sotme, i cili shprehu dëshirën për një Shqipëri më të fortë dhe që të jetë mbështetje e madhe për shqiptarët në Maqedoni.

Ai tha se kanabizimi i vendit është një problem jo vetëm për rendin dhe sigurinë, por edhe për integrimin e vendit. Kim Mehmeti komentoi edhe vendimin e kryeministrit për largimi nga detyra të 4 ministrave të kabinetit qeveritar, duke u shprehur se me deklaratat e tij “Rama tregon se e do më shumë partinë sesa Shqipërinë”.

“Unë nuk dua një Shqipëri që të jetë atelie ku piktori do të ekspozojë pikturat e veta, Nuk dua një Shqipëri, si skenë spektakli për kryeministrin e vendit, nuk dua një Shqipëri ku hallexhinjtë të ulen përreth kryeministrit, e ai t’i përdorë si kryezoti. Më bëri shumë përshtypje deklarata e Ramës për lirimin nga detyra të 4 ministrave. Tha se do t’u japë një detyrë më të rëndësishme: që të punojnë për partinë gjatë fushatës. Pra kjo tregon se për Ramën është më e rëndësishme Partia Socialiste se Shqipëria. Kjo është mendësi e pastër enveriste. Kjo do të thotë se partia e fortë e bën shtetin e fortë”, u shpreh shqiptari Kim Mehmeti.

Shkrimtari tha gjithashtu se ai dhe shqiptarët e tjerë të Maqedonisë nuk kërkojnë asnjë parti që të jetë më e fortë, por që Shqipëria të jetë më e fortë.

Please follow and like us: