Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Ne “injorantët” po thartojmë tru e stomak…!

Pas fajeve e kusureve të qeverisjes së kaluar, përmendur më shumë se statistikat krahasimore me ’38-ën në kohën e qoftlargut, prisja në vitin e katërt të qeverisjes së Rilindjes të kish një diskur realist, makar marinuar edhe me optimizëm, se thellësia maksimale e krizës u kapërcye, se tashmë një tjetër katërvjeçar do të mundësojë nisjen e një rekuperimi të shëndetshëm të ekonomisë.

Por jo, duhet të dëgjosh ministrin e ekonomisë në delir që bën bashkë 183.000 vende pune realizuar në katër vjet, 100.000 që presin, ndërsa pranon se mungesa e reformës në drejtësi ka bërë të zhduken nga sytë këmbët investitorët e huaj, ata më cilësorët.
Pra ne arrijmë edhe pa investime domethënëse të huaja të sigurojmë 183.000 vende pune në katër vjet. Me një ekonomi që rritet me 3,4%, me borxh që kryesisht ka shlyer borxhe në 71% të PBB.

Kjo është teoria matematike e statistikës sipas ministrit tonë të ekonomisë. Për secilin nga ne ‘injorantët’ le të mbeten këto statistika zyrtare dhe le të thartojmë tru e stomak në gjetjen e sistemit të ekuacioneve që këto statistika i përkthejnë në 183.000 vende pune dhe 100.000 që presin si trasta në radhë:

Çfarë dimë nga statistikat zyrtare është se në vitin 2013 rritja ekonomike e pretenduar për vitin 2016 qe 4,5%, ndërsa sot është 3,4%; vendet e reja të punës të pretenduara me nisjen e mandatit qenë 300.000, ndërsa niveli papunësisë sipas Standard & Poor’s nga viti 2012 në 2016-ën është rritur nga 13,8% në 16,9%. Sipas INSTAT-it tonë niveli është ngulur në kuotën 14,2%. Niveli I borxhit publik aktualisht është 71% i PBB (prodhimi i brendshëm bruto), ndërsa në 2013 qe 70,4% i PBB.

Dhe e fundit, reforma e munguar në drejtësi i mban investitorët e huaj larg, por kur drejtësinë e jep kryeministri si prokuror e gjykatës, investitorët do bëjnë çmos të të marrin edhe çfarë u takon nga shkelja e çdo ligji e parimi drejtësie. Arbitrazhi ndërkombëtar çoç po na mëson.

Please follow and like us: