Basha: Xhafaj ministër i Brendshëm, veçse mbi trupat tanë
Nga çadra e ngritur përballë kryeministrisë, kreu i PD ka shprehur hapur qëndrimin e tij kundër propozimit të Ramës për të vendosur në krye të Ministrisë së Brendshme, Fatmir Xhafajn, i cili, sipas Bashës, ka qenë një nga hetuesit më famëkeq të diktaturës.
“Rama vendosi të propozojë për ministër një nga hetuesit më famëkeq të diktaturës së Hoxhës, që ka torturuar me duart e tij vajzat dhe djemtë e Krujës. Xhafaj bashkë me vëllanë e tij veshën kostumin e narkotrafikantit”, u shpreh Basha.
Por ai nuk u ndal me kaq, duke lëshuar edhe një ultimatum se nuk do ta pranojnë kurrë Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm.
“Shqiptarët e dinë se ka qenë ujk i vjetër i diktaturës dhe narkotrafikut. Le të zotohemi se Fatmir Xhafaj nuk kalon pragun e Ministrisë së Brendshme veçse se mbi trupat tonë. I bëj thirrje Xhafës që të tërhiqet nga aventura, ai nuk do të jetë asnjë minutë ministër i Brendshëm i shqiptarëve”, theksoi Basha.
Kreu i PD bërë edhe njëherë thirrje për krijimin e qeverisë teknike, në të cilën sipas tij do të vendosen njerëz të ndershëm
“E vetmja rrugë është largimi i Edi Ramës, qeveria teknike me mbështetje të gjerë pa persona të përlyer me krimin dhe kanë lyer duart me gjakun e shqiptarëve, por me njerëz të ndershëm.” tha Basha