Debati i letërsisë/Askush nuk i detyroi recensat, shërbimi jepej me dëshirë
Ben Andoni
Tregojnë për një kallzim që i bënë kolegët e rinj profesor Çabejt, pas kthimit prej një aktiviteti ndërkombëtar në Austri kushtuar studimeve të shqipes. Prej puthjes së dorës që i bëri shefes së katedrës së shqipes, kërkohej masë prej kolegëve të tij, paradoksalisht nxënës të pedagoges ruse. Përgjigja e profesorit do t’i habiste njerëzit e Partisë: “Jam shumë plak të ndryshoj zakon. Mos më nxirrni më jashtë shtetit, sepse do të bëj njësoj.” Kuptohet se studiuesit të njohur, megjithë sikletet, nuk do t’i bënin gjë, vetëm duhet ta paralajmëronin. Ç’fituan kolegët e tij, cili i detyroi? Askush. Megjithëse patjetër e kanë fituar ndonjë ngritje në detyrë. Kurse sot, kokën nën shalë…
Koha që po jetojmë po na mëson gjithnjë e më shumë sesi të mësojmë nga e shkuara. Më saktë të mos përsërisim ato që po vuajmë dhe që e kanë përçudnuar vendin tonë. Por, historia ka treguar se pak herë njerëzit mësojnë nga ajo. Hegeli e kishte parandjerë shumë e shumë kohë më parë kur nga shekujt e shkuar do shprehej se: “Historia na mëson që njeriu nuk mëson nga historia.”
Me pak fjalë është fare e lehtë në ditët tona që të bësh trimin, të papërlyerin, të pastërtin dhe të fërkosh duart si Ponc Pilati. E vërteta është e thjeshtë, kur nuk vishet dhe nuk shëmtohet si në ditët tona mbushur me kinse të pafund dhe me shfajësime mjerane.
Duke u kthyer në debatin për recensat e shkrimtarëve dhe artistëve për kolegët e tyre, askush në atë kohë (përveç rasteve specifike) nuk të detyronte! Vetëm se piketoheshin njerëzit që zellin e kishin të lartë për të bërë karrierë. Mu ata ishin gati të bënin gjithçka. Ndërkohë kishte plot njerëz, autoritete që nuk janë ngarë, sepse dihej prej staturës së tyre që nuk do korruptoheshin, vetëm se këta të fundit në garën e shkencës, artit duhet të fillonin pastaj nga shumë pas për karrierë, sepse në start ishin ata të devotshmit, që “ua kishin” marrë punën. Ata që ishin gati për gjithçka. Mu për këtë shkak, edhe pa ia kërkuar njeri, shumë syresh e mbushën me fletërrufe profesor Çabejn, Buza Plaku fshinte punët, kurse Trebeshinës i dilnin pa i kërkuar dëshmitar pas dëshmitari dhe atyre poetëve të ngratë ia shtuan dënimin!
SIGURIMI ishte një armë e shtetit të Diktaturës së Proletariatit, që nuk mund të funksiononte pa vigjilencën e kinseve, pa spiunët gratis, e jo thjesht ata që e kishin për detyrë dhe të zellshmit e kudogjendur.
Më keq akoma, në kohën tonë në një paralelizëm disi direkt mund të shikosh lloj-lloj kinsesh sesi kanë ngritur karrierat e tyre në kurriz të shumë fatkeqëve apo emrave të nderuar, duke i spiunuar, duke i marrë nëpër këmbë dhe duke i shmangur pa asnjë lloj vrasje mendje. Sa profesorë të nderuar, të rinj të talentuar kanë mbetur udhëve prej këtyre të zellshmëve militantë!
Nuk mëdyshohet të thuhet se në këtë kohë mbase po ia kalojmë sërish me përçudnim ndaj njerëzve të zotë, atyre që janë të kualifikuar, sepse në ballë duhet të dalin ata që edhe pa i detyruar askush, japin shërbimin. Ja pse mea culpa-t e sotme të pak njerëzve janë të padobishme apo shfajësimet e tepruara, ashtu si do jenë nesër të shumë kinseve sot, që po i ngrenë karrierat e tyre mbi fatkeqësitë e shumë njerëzve, që nuk bëzajnë dot.