Albspirit

Media/News/Publishing

ELITA “LETRA – ARTE” QARKU KORÇE SHPALL FITUESIT E KONKURSIT VJETOR 2016

Një vit i pasur krijimtarie 2016 – ta për shkrimtarët e artistët korçarë, në të gjitha fushat e gjinitë e artit me mjaft, botime, përkthime, ekspozita e performanca cilësore në nivel lokal e kombëtar, midis të cilave tërhoqën vëmendjen e artdashësve vëllimet poetike të Qazim Muskës, Dorjan Lekës, Eduart Konicës, tregimi i shkurtër i Vehbi Furxhi, e Bujar Balliut, përmbledhja antologjike e poetëve të botuar të Devollit nga Kosta Nake, përkthimet cilësore nga letërsia botërore bashkëkohore për të rritur e fëmijë të Jorgji Qirjakos, Skënder Demollit e Eris Rusit, ekspozitat vetiake të piktorëve Anastas Kostandini, Roland Karanxha, Diana Xhaçi e Kudret Durollari, ripërtëritja vitale e korit “LIRA” dhe grupit miks të valleve të Devollit, recitalet e këngëtarëve Endri Fifo, Luiza Mara etj.

Vepra të tjera presin dritën e botimit e të skenës, vonuar, më shumë për shkak të censurës ekonomike e pamundësisë së artistëve për të shfaqur vlerat, se sa nga censura ideologjike, e cila përbën sot edhe ngërçin e vërtetë të varfërisë e “kiç kulturës”, në artin shqiptar. Art i cili më shumë se nga buxheti “i taksur” shtetëror në letër për kulturën, është mbështetur kohët e fundit nga individë e biznesmenë me frymë humane si Muhamet Malo, Maksi Fejzullah e donatorë të tjerë, midis të cilëve elita “Letër art” veçoi rolin dhe kujdesin e pakursyer të deputetit të Korçës Pirro Kapurani për artistët dhe gjallërimin e jetës kulturore – artistike në rajonin juglindor të vendit.

Megjithatë, duke përshëndetur artistët në këtë event kulturor në emër të pushtetit vendor znj. Mimoza Shuli – nën kryetare e Qarkut Korçë, vuri në dukje se ndonse roli i shkrimtarëve, piktorëve, aktorëve dhe artistëve të tjerë është i pazëvendësueshëm për emancipimin e shoqërisë e zbutjen e klimës sociale, ata janë thuajse jashtë vëmëndjes së pushtetit lokal, shpesh të papunë e paasnjë ndihmë për të vënë talentin e tyre në dobi të shoqërisë dhe argëtimit dhe edukimit të brezit të ri.
Duke u ndalur në krjimtarinë e një viti më parë të shkrimtarëve dhe artistëve, në juglindje të vendit, juria vlerësoi fituesit me këto çmime:

“LAZGUSH PORADECI”, poetin Qazim Muska për vëllimin poetik “Ende s’kemi erdhur”. “DRITERO AGOLLI”, prozatorin Vehbi Furxhi, për kolorin lokal në ngjarjet dhe personazhet e tregimit të shkurtër artistik. “FAN S. NOLI” studiuesin e kritikun Kosta Nake, për “Anthologji poetike e Devollit”. Me çmimin “PETRO ZHEJI” përkthyesin e njohur Jorgji Qirjako, për shqipërimin cilësor të literaturës e letërsisë botërore, me 15 romane e rreth 40 vepra të tjera të karakterit politik e shkencor, i cili duke falenderuar jurinë, tha se ndihet krenar që vlerësohet me emrin e një eksploratori dhe kërkuesi të madh të gjuhës shqipe siç ishte i paharruari Petro Zheji, pikërisht në dy vjetorin e vdekjes së tij. Me çmimin “PIRRO MANI” u vlerësua aktori veteran Syrja Meçe, për role të vogla me peshë të madhe, në karrierën e tij artistike në skenë dhe ekran. “VANGJUSH MIO” piktori Kudret Durollari, për ekspozitën peizazh; “Lirika të pathëna përmes ngjyrës”. “TEFTA TASHKO KOÇO” këngëtaren Luiza Mara për vokal dhe interpretim të veçantë të muzikës së lehtë dhe asaj klasike. Kurse me çmimin “HILE MOSI”, u nderua pas vdekjes Muhamet Malo, për veprën e madhe humane në zhvillimin e letërsisë, artit dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Duke uruar të gjithë fituesit për suksese edhe më të mëdha në krijimtarinë e tyre, shkrimtari Skënder Demolli – kryetar i “Letra – arte” Korçë ftoi pjesëmarrësit në këtë gala, për të shijuar sipas traditës kulaçin e ëmbël për fillimin e mbarë të këtij viti dhe të Konkursit Vjetor 2017.

Please follow and like us: