Ilva Tare: Shtyrja e zgjedhjeve dhe Shqipëria pa gjendje lufte
Pjesët formuese të mozaikut politik të marsit të 2017-tës shformohen nga dita në ditë dhe kompozimi i një pamjeje përfundimtare vështirësohet për shkak të dinamikave dhe rrymave kundërshtuese si brenda maxhorancës ashtu edhe nga opozita. Diskutimet për gjetjen e një kompromisi, në kushtet e kërkesave ekstremisht të kundërta nuk janë duke ndodhur, ose të paktën jo në formate të zgjeruara me prani të partnerëve të huaj. Drekat dhe mëngjeset me ambasadorët e huaj në vendin tonë janë më shumë informuese sesa faktor të gjetjes së zgjidhjes, sic komentohen rëndom.
Shqipëria, pavarësisht se nuk i ka kapacitetet dhe as vullnetin për të punuar dhe orientuar vendin drejt një demokracie funksionale me institucione dhe aktorë të besueshëm, nuk është ende në axhendën e partnerëve ndërkombëtarë për të ndërhyrë, siç po ndodh në Maqedoni. Arsyet janë të shumta, po aq sa dallimet e krizave përkatëse. Në Shqipëri nuk ka probleme etinke, por sjellja ndaj kundërshtarëve e kapërcen dhe shpërfilljen dhe urrejtjen ndaj të ndryshmëve në gjuhë e gjak.
Përplasja e axhendave partiake po e kthen Tiranën zyrtare në një vatër konflikti dhe nëse i shkohet deri në fund shkeljeve të Kushtetutës dhe afateve të vendosura prej saj, vendi do të hyjë në një kolaps institucional, që edhe mendja më naive e kupton se nuk është rastësor. Një seri datash dhe afatesh dhe sigurisht edhe klima politike e pamundëson shtyrjen e zgjedhjeve edhe për shkak të Kushtetutës që i jep fund ekzistencës së këtij parlamenti në 9 Shtator dhe kësaj qeverie në 15 Shtator.
Vetëm shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të justifikonte shtyrjen e zgjedhjeve dhe modalitetet e një qeverisjeje teknike falë një marrëveshjeje politike, që sërish do të udhëhiqej nga klima e mosbesimit mes palëve. Shtyrja e fillimit të një dialogu mes maxhorancës dhe opozitës e bën 18 Qershorin problematik dhe në kushtet e moshyrjes së opozitës, i zhbën shifrat e çdo maxhorance.
Këmbëngulja e ndërkombëtarëve në tryezat me PS dhe PD mbetet dialogu dhe mos shtyrja e zgjedhjeve, si një jo zgjidhje për natyrën e krizës aktuale politike. Zgjedhje të pranuara nga palët megjithë defektet e numëruara nga OSBE-ODHIR janë mbajtur në kohë të vështira edhe në 1997, edhe në 2011 kur vendi dilte nga tragjedi kur partia në opozitë vetquhej viktimë e vrasjeve fizike dhe jo më të votës së lirë.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk janë vetëm dëshirë vetëm e opozitës por e 100% shqiptarëve që e duan dhe respektojnë të drejtën për votën e tyre të lirë. Ndaj, disa garanci apo premtime publike duhet të bëhen pjesë e zgjidhjes që do të arrihet, nëse arrihet. Sigurimi i qeverisë teknike të kërkuar nga Kreu i PD duhet të shoqërohet me një angazhim publik të Bashës, që nëse partia e tij i humbet zgjedhjet ai do të largohet përfundimisht nga skena politike. Gjithashtu, edhe Rama nëse nuk pranon qeverinë teknike duhet të sigurojë se nuk do të jetë Kryeministër i zgjedhjeve të blera apo të vjedhura sipas përfundimeve të OSBE-ODHIR dhe se fjalia pak më të mira se zgjdhjet e mëparshme nuk do të jetë një standard i pranueshëm.
Nuk është e panjohur filozofia e ndërkombëtarëve për të zgjedhur stabilitetin përpara demokracisë, por në rastet si ky yni kur demokracia është në proces ndërtimi dhe partitë politike nuk e kanë pjekurinë e duhur për të vënë interesat kombëtare përpara atyre personale, stabiliteti është një garanci e shtuar për bizneset që edhe pse me aktivetete thuajse të ngrira, presin të shohin një Shqipëri jo perfekte por funksionale. Skenarët me bllokim, kolaps apo eksperimente institucionale do ta fusnin vendin në hartën e konfliktit ku së fundmi po përpiqet të dalë edhe Bosnja.