Albspirit

Media/News/Publishing

Investigim/ Si u pasuruan 11 portale shqiptare me sulmet ndaj Hilari Klintonit

“FBI do të publikojë prova të reja për rrjetin e pedofilisë që ka lidhje me Hillary Clinton”, ishte kjo tema kryesore e një shkrimi në uebsitin Bients.com dheThePredicted.com. Duke cituar një dokument të fabrikuar të FBI-së, shkrimi implikonte ish-kandidaten demokrate për presidente të Amerikës me një krim shumë të rëndë. Pavarsisht se lajmi nuk kishte asnjë fakt a provë, ai u klikua dhjetëra mijëra herë dhe mori mijëra pëlqime në rrjetin social “Facebook”.

Në të njëjtën kohë, një student në Kosovë pa se si një shumë parash u hodh në llogarinë e tij për reklamat nga “Google AdSense”. Të dy faqet që shpërndanë lajmin, ishin në pronësinë e një të riu nga Gjilani, që u pagua qindra euro në ditë për reklama. Taktika ishte shumë e thjeshtë, sa më shumë klikime në ditë, aq më shumë para nga reklamat. Për të njëjtën arsye, u regjistruan 11 portale në Shqipëri, duke shpërndarë lajme të sajuara për të tërhequr sa më shumë klikime.

Pronari është Hysen Alimi, një i ri nga Kosova që ka studiuar ‘Menaxhim dhe Informatikë’ në Universitetin e Gjilanit. Pavarësisht faktit që ai ndodhet 8.000 km larg Shteteve të Bashkuara dhe ka një zotërim të dobët të anglishtes, kjo nuk ishte pengese për të qenë administrator në të paktën njëmbëdhjetë portale të fokusuar në politikën amerikane.

Hyseni është pronari i portalet me emra amerikanë, si Bients.com,ThePredicted.com, PoliticsBreaking.com dhe BernieMyHero.com. Këto faqe uebi janë regjistruar të gjitha në Shqipëri. Faqjet shpërndanin kryesisht lajmet pro-Bernie Sanders duke targetuar persona të zhgënjyer nga Hillary Clinton.

Senatori Sanders ishte kundërshtari kryesor i ish-sekretarit Hillary Clinton. Baza elekorale të Sanders ishin kryesisht votues të ri dhe studentë, të cillët përdoren rrjetin social “Facebook” si një mjet të rëndësishëm për të organizuar fushatën dhe një mjet për t’u informuar për lajmet të fundit mbi skenën politike në Amerikë.

Për Hysenin, kjo ishte një mundesi e artë për të krijuar një ‘fan page’ për senatorin Sanders, në tentativë për të tërhequr sa me shumë militantë në faqet e tij. Dhe jo pa sukses. Faqja u krijua në mars të vitit 2016 dhe ndiqet sot nga 86.000 persona në rrjetin social Facebook. Në këtë faqe, përveç fotove të senatorit Bernie Sanders, shpërndahen dhe lajme të rreme apo ‘fake news’ nga Hysen Alimi.

Gazetari amerikan John Mattes, i cili ka investiguar çështjen e lajmeve ‘fake’ dhe impaktin e lajmeve të sajuara në zgjedhjet amerikane, tha për “Gazetën Shqiptare” se “është e çuditshme që një njeri pa njohuri në politikën amerikanë krijon disa faqe për të mbuluar këtë temë”.

Mattes, po ashtu thotë që Hyseni ishte një person i rëndësishëm në ‘rrjetin’ që shpërndante lajme të trilluara për militantët e Bernie Sanders, pasi ai administronte një nga faqet me të mëdha në “Facebook” të fansave të tij.

“Përse një person me disa faqe në Shqipëri, krijon një ‘fan page’ duke pretenduar që faqja ndodhet në Amerikë?”

“Gazeta Shqiptare” kontaktoi me e-mail Hysen Alimin, i cili tha në një pergjigje se faqet në pronësi të tij janë burime legjitim për lajme.

“Ne thjesht kemi një ‘uebfaqe’ për mbështetësit e Bernie Sanders dhe lajmet janë të vërteta. Ne jemi thjesht një fan page”. I pyetur se sa vetë e administronin këtë faqe, Alimi u përgjigj: “Nuk dua ta tregoj.”

Sipas “uebsajteve” te ndryshme të cilat llogarisin shumën financiare që reklamat gjenerojne çdo dite në një portal, mund të kuptohet dhe arsyja përse Hysen Alimi zgjodhi këtë rrugë. Faqja më e klikuar, Bients.com, merrte 200.904 klikime gjatë kulmit të kohës post-zgjedhore në Amerikë që përkthehet në rreth 400 euro në ditë.

Ky rast tregon sesi disa persona i panë zgjedhjet amerikane jo thjesht me interes apo admirim, por edhe si burim fitimi.

Please follow and like us: