Lucrezia REICHLIN: Demokracia përballë sovranitetit në Europë
E ardhmja e BE-së mund të mos jetë e varur zyrtarisht nga zgjedhjet në Hollandë, Francë, Gjermani e Itali, por rezultatet e tyre me siguri do të përcaktojnë një masë të gjerë fatin e Europës. Një fitore e partive pro-Europiane do të ofrojë ndoshta edhe shansin e fundit për të zgjidhur problemin themelor të kuadrit të përgjithshëm të BE-së të përcaktuar në Mastriht.
E ardhmja e BE-së mund të mos jetë e varur zyrtarisht nga zgjedhjet në Hollandë, Francë, Gjermani e Itali, por rezultatet e tyre me siguri do të përcaktojnë një masë të gjerë fatin e Europës.
Ndjenjat anti-BE janë më të përhapura sot nga sa kanë qenë ndonjëherë, siç u pa edhe nga fushata e ethshme e kryengritësit populist të krahut të djathtë Geert Wilders në Holandë apo nga fushata e Marine Le Pen në Francë. Por ka gjithashtu edhe shenja mbështetjeje për riorganizim dhe rikrijim të BE-së – një mesazh që është ekspozuar nga politikanë të tillë si Emmanuel Macron në Francë apo Martin Schulz në Gjermani.
Çdo fushatë pro-BE-së, që të jetë bindëse, duhet të trajtojë problemet e krijuara nga euro. E përdorur nga 19 nga 28 vendet anëtare të BE-së (27 pas daljes së Brexit), monedha e përbashkët është bërë një burim madhor zhgënjimi me integrimin Europian. Megjithëse kriza e euros, në formën e vet më akute, tashmë është e kaluar, Eurozona mbetet një konstrukt i dobët. Në rast të rikthimit në krizë, dyshimet mbi mbijetesën e saj mund të rikthehen gjithashtu.
Në rrënjë të dobësive të monedhës së përbashkët europiane janë defektet në Traktatin e Mastrihtit, i cili dikton që vendet anëtare të Eurozonës të ruajnë një politikë monetare të përbashkët ndërkohë që kanë politikë fiskale individuale, politikë fiskale që përmbush rregullat fiskale të përbashkëta. Por thjeshtë ekzistenca e rregullave fiskale ka rezultuar e pamjaftueshme për të garantuar bindjen e vendeve anëtare ndaj këtyre rregullave dhe aktualisht nuk ka mekanizëm detyrues në nivel Europian për të siguruar disiplinën e nevojshme fiskale.
Për sa kohë kjo nuk ndryshon, do të kemi gjithmonë rrezikun që anëtarët më të dobët të akumulojnë borxhe të larta të paqëndrueshme, duke detyruar anëtarët më të fortë të zgjedhin mes ofrimit të transfertave politikisht të papranueshme ose lejimi të një anëtari të dobët të dalë nga euro, duke krijuar destabilitet që mund të rrëzojë të gjithë projektin. Një fitore e forcave pro-Europiane në zgjedhjet e ardhëshme mund të ofrojë një mundësi – ndoshta mundësinë e fundit – për të kryer ndryshimet e nevojshme në Traktatin e Mastrihtit.
Këto ndryshime nuk do të jenë të lehta për t’u zbatuar. Europianët do të kenë nevojë të pranojnë ndryshime themelore në ligjshmërinë e eurozonës, duke lëvizur përtej angazhimit të thjeshtë për respektimin e rregullave në qeverisjen ekonomike dhe duke pranuar atë lloj përqasjeje diskrecionare të ndërmarrë nga një autoritet me legjitimitet demokratik.
Pa bashkim politik, adaptimi i një përqasjeje të qeverisjes bazuar vetëm te rregullat është i kuptueshëm. Ajo përmbush logjikën që banka qendrore duhet të jetë e pavarur: politikëbërës të pazgjedhur angazhohen për të respektuar një set të qartë rregullash, të tilla si shënjestrimi i një norme të caktuar inflacioni, rregulla për të cilat ata mbahen përgjegjës. Por kjo logjikë nuk ka funksionuar për eurozonën, ku rregullat konkrete kanë rezultuar të pamjaftueshme për të shmangur presionin për rishpërndarje të cilin votuesit nuk e mbështesin.
Tashmë që kjo gjë është vënë në dukje, disa advokojnë për idenë e një roli më të madh të tregjeve për imponimin e disiplinës. Propozime për një kuadër të ri të huave sovrane që lejon për ristrukturim bazuar në rregulla reflektojnë këtë arsyetim.
Një prej propozimeve bën thirrje që Mekanizmi Europian për Stabilitetin të miratojë një sistem të ngjashëm me atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në mënyrë që të parandalojë kreditimin e vendeve në kushtet e falimentit dhe të detyrojë riprofilizimin apo ristrukturimin pasi niveli i borxhit të kalojë kufirin e lejuar. Një përqasje e tillë mund ta bëjë rregullin e BE-së që ndalon financimin e një vendi në krizë financiare më të besueshëm dhe të shmangë rrezikun e ngarkimit të politikës monetare me një barrë të lartë të papërballueshme.
Por duhet të jesh naiv që të besosh se një skemë e tillë mund ta zgjidhë problemin. Frika për infektim do të ekzistojë gjithmonë në një bashkim monetar, ku shtrirja e jashtme e një krize borxhi në një vend do të rrezikojë gjtihmonë të infektojë pjesën tjetër të bashkimit. Duke parë këtë, një kuadër rregullash bazuar ekskluzivisht në mekanizma tregu do të jetë i dobët dhe i rrezikuar nga destabiliteti.
Kjo nuk do të thotë se një kuadër rregullash për ristrukturim borxhesh sipas kushteve të tregut nuk ka vend në reformimin e eurozonës. Kjo vlen dhe po kaq vlejnë edhe rregullat e thjeshta të përbashkëta. Por, për të mbështetur një pozicion të përbashkët fiskal dhe për të arritur një përzjerje më të mirë të politikave fiskale me ato monetare, një komponent i tretë është i nevojshëm: një autoritet i pavarur federal fiskal që ka për detyrë të krijojë mekanizmat e rrezikut të përbashkët. Një autoritet i tillë mund të ketë nevojë për një buxhet të vogël dhe pushtet diskrecionar, në mënyrë që të jetë në gjendje të përshtatë vendimet e veta në përgjigje të ngjarjeve.
Natyrisht, nëse një sistem i tillë perceptohet se cënon sovranitetin e vendeve anëtare, ai nuk do të jetë politikisht i realizueshëm. Por kritikët duhet të binden për legjitimitetin demokratik të tij. Në mungesë të një bashkimi të plotë politik, kjo mund të arrihet duke theksuar transparencën, pavarësinë dhe një rol më të madh të Parlamentit Europian në koordinim me parlamentet kombëtare.
Në fund të fundit, çështja kryesore me të cilën përballet Europa nuk është sovraniteti, siç pretendojnë populistët e krahut të djathtë, por demokracia. (Në kushtet e tregjeve të integruara, sovraniteti i plotë kombëtar është një iluzion). Ajo që Europa ka nevojë sot është një traktat që e zgjeron legjitimitetin demokratik në nivelin e BE-së. Ruajtja e sovranitetit kombëtar bazuar në institucione të dizenjuara për një ekonomi europiane shumë më pak të integruar, të ngjashme me atë të shekullit të 19, është në vetvete një recetë për dështim.
/Project Syndicate